Që prej ardhjes së tij në krye të Shtëpisë së Bardhë, një ndër çështjet më të rëndësishme me të cilat është përballur Donald Trump ka qenë ajo e emigrantëve, e cila së fundmi është bërë më e nxehtë.
Rreth 5 mijë emigrantë, të nisur që nga Hondurasi, krijuan një karvan të gjatë me destinacion “tokën e premtuar”, Amerikën, por tashmë që kanë mbërritur në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, ata janë duke u përballur me autoritetet amerikane që nuk kanë ndërmend t’i lejojnë të futen në territorin e tyre.
Presidenti Donald Trump edhe njëherë e ka ritheksuar faktin se nuk do të lejohen të hyjnë ilegalisht në Amerikë. Së fundmi, mes shumë imazheve të publikuara në internet nga emigrantët në kufi, një prej tyre është bërë virale ku nëna së bashku me dy fëmijët e saj mundohet t’i largohet forcave të policisë.
Kjo ka ngjallur e reagime të shumtë dhe mes të cilave ka pasur edhe shumë personazhe të famshëm e një prej tyre ishte edhe aktorja, Eva Longoria.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo del kundër Donald Trump, ndërsa teksa i referohet fotos, shkruan ndër të tjera se “kjo nuk është Amerika!”
“Nuk është kjo ajo çka ne jemi si amerikanë. Të lëshosh gaz lotsjellës për fëmijët? Ata nuk janë kriminelë. Janë familje që kërkojnë strehë. Sigurisht që duhet të mbrojmë kufijtë tanë, por duhet të përdorim këto burime për të mbrojtur vendin tonë nga terrorizmi. Kjo është një foshnje me pelena. Çfarë po mendon @realdonaldtrump?? Këta janë qenie njerëzore. Të përgjërohem t’i trajtosh me dhembshuri dhe t’i trajtosh me dinjitet. Ata po largohen nga vendet e shkatërruara nga droga që është historikisht diçka që vjen nga paqëndrueshmëria që ne kemi shkaktuar. Këto janë fëmijë dhe mama që kërkojnë strehim. Kjo foto më ka thyer zemrën dhe besimin tim në humanizëm”, ka shkruar Eva pranë fotos.