“Isha i gatshëm të shkruaja diçka mjaft të vështirë për ta shkruar”.
Kazuo Ishiguro, laureati i çmimit Nobel në letërsi 2017 dhe Man Booker Prize në Britani, veprat e të cilit janë përkthyer në shumë gjuhë të botës, lindi më 8 nëntor 1954.
Shkrimtari britanik me origjinë japoneze, shpërngulur nga Japonia në moshën 5-vjeçe, 1959, për t’u vendosur në Britaninë e Madhe, atdheu i tij i dytë dhe gjuha në të cilën shkruan, konsiderohet si një nga shkrimtarët më të shquar të sferës anglishtfolëse, i nominuar katër herë për çmimin Man Booker, çmim të cilin arriti ta fitojë më 1989 me romanin “Mbetjet e ditës”. Romani i tij “Mos më lër të shkoj” (2005), u vlerësua nga Revista Times si romani më i mirë i vitit 2005, dhe u përfshi në listën e 100 romaneve më të mira në gjuhën angleze nga 1923 deri 2005. Është diplomuar në Universitetin e Kentit, dega Gjuhë Angleze dhe Filozofi.
Fitoi çmimin Nobel për letërsi me motivacionin: “Në romane që përshkohen nga një fuqi e madhe emocionale na e ka zbuluar humnerën që fshihet pas ndjesisë së rreme të lidhjes sonë me botën”.
Po ashtu, në vitin 1982 ka fituar çmimin Winifred Holtby. Në vitin 1983, u përfshi në listën e shkrimtarëve më të mirë të rinj britanikë, së bashku me Martin Amis, Ian McEwan, Salman Rushdie, Julian Barnes, Graham Swift, Rose Tremain dhe Pat Barker. Tre vjet më vonë, romani i tij: “Artisti në botën lundruese” mori çmimin “Whitbread” dhe në vitin 1989 romani “Mbetjet e ditës” fitoi Man Booker Prize.
Lajmin e marrjes së Nobelit Ishiguro e pëshkroi si një lajm befasues: “Është një nder i madh, kryesisht sepse kjo nënkupton që unë jam në gjurmët e autorëve të mëdhenj që kanë jetuar, kështu që ky është një lavdërim i frikshëm”.
“Shpresoj vetëm të mos ngathtësohem ose të vetëkënaqem, shpresoj që puna ime nuk do të ndryshojë. Shpresoj gjithashtu që lexuesit e rinj të mos më largohen ngaqë fitova çmimin Nobel. …Jam shumë krenar që kam këtë audiencë më të re”.
Duke iu referuar fitimit të Nobelit të Ishiguros, poeti laureat Andrew Motion, shprehet: “Bota imagjinare e Ishiguros ka virtytin e madh dhe vlerën e të qenit njëkohësisht shumë individuale dhe thellësisht e njohur – një botë mistike, e izoluar, vigjilente, kërcënuese dhe mahnitëse”.
“Ai është shumë i interesuar në të kuptuarin e së shkuarës, por nuk është një shkrimtar prustian, nuk rreket të shpengojë të shkuarën, ai eksploron mbi atë se çfarë duhet harruar për të mbijetuar si individ apo shoqëri”, – shprehet Danius, i cili e quan Ishiguron shkrimtar të integritetit të madh dhe shton se “ne zgjodhëm atë që mendojmë se është absolutisht një romancier brilant”.
Veprat e Ishiguros bien në sy për mënyrën e përmbajtur të të shprehurit, pavarësisht nga ngjarjet që ndodhin. Ai ka krijuar një univers estetik kryesisht të tijin, në të njëjtën kohë proza artistike më e fundit përmban karakteristika fantastike. Disa nga veprat kryesore janë: “Mbetjet e ditës”, “Mos më lër të shkoj”, “Pamje e zbehtë e kodrave”, “Artisti i botës lundruese”, “Të pangushëlluarit”, “Gjigandi i varrosur” etj.
Shpeshherë, shkrimtari distopian Ishiguro merr një nëngjuhë të mirëfilltë imagjinare dhe e transformon kryekëput. Ndonjëherë, ngaqë ai shtrembëron rregullat e një zhanri imagjinar,
fillimsht veprat e tij provokojnë njëfarë pakënaqësie. Shkrimtari shkruan për të gjitha kohët, duke i përdorur mjete të tilla të kontrolluara me kujdes, rigoroz, por edhe origjinal. Kazuo Ishiguro e di në mënyrë intuitive, se çfarë duan apo ndjejnë njerëzit, ai mund të jetë jashtëzakonisht diplomatik dhe taktik. Ai është gjithashtu i durueshëm dhe bashkëpunues. Kazuo punon mirë me grupet dhe gjen një mënyrë për të krijuar harmoni midis opinioneve të ndryshme.
“Bota ndodhet në një periudhë shumë të pasigurt dhe shpresoj që të gjitha çmimet Nobel të shërbenin si forcë për diçka pozitive në botë, siç është në këtë moment. Do isha thellësisht i prekur, në qoftë se unë, në një farë mënyre, këtë vit do të isha pjesë e një klime, duke kontribuar paksa për një atmosferë pozitive në një kohë shumë të pasigurt”, – shprehet në një intervistë për ‘’The Guardian Ishiguro’’.