Në nje deklaratë për mediat nga PD, Kryedemokrati Lulzim Basha ka shpërthyer në akuza ndaj kryeministri Edi Rama. Ai tha se Rama donte ta bënte policen dëshmore për karrigen e vet dhe se po shet Shqipërinë.
Basha deklaroi se opozita dhe banorët nuk do ta lejojnë ‘aferën 40 mln euro’ dhe i bëri thirrje kryeministrit të zmbrapset.
“Rama është shfaqur para shqiptarëve, duke sulmuar këdo. Kërkon t’u rrëmbejë pronën banorëve dhe të përfitojë nga megaafera 40 mln euro.
Është i obsesionuar të mbrojë marrëveshjen që ka lidhur për të vjedhur 40 mln euro, ndaj po burgos qytetarë të pafajshëm nëna e fëmijë. Flet nga mëngjesi në darkë për karrigen e tij, për tepsinë e tij është gati të flakë në rrugë qindra familje pa strehë.
Po përdor policinë si burracak duke vendosur vajza të pambrojtuara në rresht të parë. I përdor me propagandë dhe do t’i bëjë dëshmore me zor. Do të pëlqente ta bëjë dëshmore me zor o plehrë, me siguri mezi po pret o i sëmurë.
Ajo nuk do ishte në radhë të parë të protestës nëse do kishe një polici të trajnuar”, u shpreh Basha.
Ai e akuzoi kryeministrin se po shet Shqipërinë duke i bërë thirrje të tërhiqet nga afera korruptive e Unazës.
“Kështu e mbajte mandatin e parë i bërë kriminelët biznesmenë dhe kështu do ti bësh gratë e vajzat dëshmore për karrigen tënde o i çmendur, o i sëmurë.
Për para po shet Shqipërinë. Tërhiqu nga afera korruptivë e Unazës. Asnjë centimetër nuk do përparosh. Do jemi aty për të penguar ty dhe së shpejti do marrësh atë që meriton. Ndal dhunimit të nënave, ndal dhunimit barbar. I bëj thirrje autoriteteve të verifikojnë torturat njerëzore.
Nuk ka për të përfunduar me kaq Edi Rama. Nuk ke për t’i marrë ato 40 mln euro. Kjo është vija e kuqe për ty dhe çdo shqiptar.
Zmbrapsu dhe mendohu i mirë. I bëj thirrje çdo polici dhe policeje të mos përballet me motrat e vëllezërit e tyre por të bëhen pjesë e qëndresës”, deklaroi kreu i PD.
Basha tha më tej se protesta do të nisë sërish sot pasdite dhe se PD do të jetë aty. “Sot në orën 17:00 do ketë protestë. PD do jetë aty.
I bëj thirrje qytetarëve të bashkohen për të qëndruar bashkë kundër këtij hajduti”, tha Basha.