Dhënia e Statusit të Naftëtarit po ecën me ritme të ngadalta. Nga hyrja në fuqi e ligjit, rreth 15% e punonjësve të naftës dhe gazit që kanë aplikuar, kanë arritur të pajisen me dëshmitë përkatëse.
Pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë shkuar 10 500 dosje të personave që kërkojnë të pajisen me Dëshmi Zyrtare Identifikuese, ndërkohë që sipas listave të publikuara dokumentin e kanë marrë më pak se 1500 prej tyre.
Ligji “Për statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit” ka hyrë në fuqi që në muajin shkurt të vitit të kaluar, ndërkohë që ai parashikon një sërë përfitimesh, për ata naftëtarë që do të arrijnë të pajisen me dëshminë përkatëse.
Më konkretisht, personat, që gëzojnë statusin e naftëtarit dhe që janë të papunë, përveç përparësisë në punësim, kanë të drejtën e një përfitimi financiar , i cili, në asnjë rast nuk mund të jetë më i vogël se 80% e pagës minimale në shkallë vendi.
Po ashtu, edhe personat, që gëzojnë statusin e naftëtarit dhe që, pas hyrjes në fuqi të ligjit, dalin të papunë si rezultat i ristrukturimit të ndërmarrjes apo për shkaqe që nuk lidhen me ta, gëzojnë përparësi në punësim dhe përfitojnë nga punëdhënësi një shpërblim financiar në masë dhe kohëzgjatje, sipas përcaktimeve të kontratës kolektive të punës, por jo më pak se 80 për qind të pagës minimale në shkallë vendi dhe jo më pak se tre vjet.