387 martesa kanë përfunduar në dyert e Gjykatës së Durrësit, me objekt zgjidhje martesore në 9 mujorin e parë të këtij viti, ku shkaqet dhe arsyet janë nga më të ndryshmet.
Arsyet kryesore, që japin ekspertët ligjorë dhe ata të fushës psikologjike, lidhen fort me shoqërinë shqiptare ndër vite: dhuna, varfëria, emigracioni, mblesëritë. Por, duket se të tjera arsye po bëhen të dukshme, si rritja e pozicionit të femrës në shoqëri, diferencat në arsim dhe në prioritet, apo edhe bixhozi etj. Divorci është një proces i gjatë, i lodhshëm, i kushtueshëm dhe shpeshherë me pasoja të rënda shoqërore.
Nëse analizojmë martesat sipas grupmoshës dhe gjinisë, shohim se te gratë më shumë se 54,9% e martesave realizohen deri në moshën 24 vjeç, dhe 83,0% e martesave realizohen deri në moshën 29 vjeç.
Kjo shpjegon dhe moshën relativisht të re në martesë për gratë, e cila është 25,1 vjeç. Për burrat 52,9% e martesave realizohen deri në moshën 29 vjeç, dhe 82,2% e martesave për këtë gjini realizohen deri në moshën 34 vjeç.
Krahasuar me 10 vite më parë, gratë martohen relativisht tre vite më të mëdha. Ky ndryshim është relativisht i ngadaltë, por kjo sjellje vihet re me të njëjtin trend për të dy gjinitë.
Divorci është një situatë tepër stresuese për të gjithë pjesëtarët e familjet që e përjetojnë atë dhe paraqitet si një ndryshim madhor në jetën e individit, të cilit i nevojitet një kohë e konsiderueshme për t’u rikuperuar e adaptuar me të.
Studimet e shumta kanë treguar se zakonisht personat që përballojnë dhe kalojnë me sukses stuhitë e shumta të martesës janë ata individë që, martohen pas moshës 25 vjeçare e që të dy partnerët janë rritur në një familje të qëndrueshme.