MENU
klinika

Parashikimet e Bankës Botërore

Ekonomia e rajonit do të rritet me 3.5%

04.11.2018 - 10:32

Banka Botërore parashikon që rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në Ballkanin Perëndimor do të përshpejtohet në 3.5%, gjatë periudhës 2018-2019 dhe më tej në 3.8% në 2020. Në pjesën më të madhe të rajonit, parashikimet e rritjes për 2018 janë rishikuar në rritje.

“Në të gjithë rajonin po shohim rritje të mbështetur nga investimet dhe shpenzimet publike,” tha Linda Van Gelder, drejtore rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Vendet që patën një rritje të investimeve private, gjithashtu u përballën me një rritje më të shpejtë ekonomike. Megjithëse shpenzimet shoqërore të pakontrolluara dhe pagat publike kanë ndikuar pozitivisht në rritjen afatshkurtër, ato rrisin dobësitë fiskale. Rritja e investimeve private dhe e eksporteve është një mënyrë më e qëndrueshme për t’u rritur”, vlerëson Banka Botërore.

Sipas parashikimeve të rishikuara për vitin 2018, ekonomitë e Kosovës dhe Shqipërisë pritet të rriten me 4% secila. Rritja e Malit të Zi, me 3.8%, parashikohet të jetë 1 pikë përqindje më e lartë, edhe pse ende më e ulët se vitin e kaluar. Rritja në Bosnje Hercegovinë vazhdon të jetë e qëndrueshme në rreth 3.2%. Ekonomia e Serbisë, ndërkohë, është rikthyer në 3.5% rritje pas ngadalësimit të vitit të kaluar. Rritja e Maqedonisë gjithashtu u rikthye në 2.5%, pasi besimi i investitorëve u rivendos.

Rritja në vendet e Ballkanit Perëndimor u stimulua nga investimet dhe konsumi më i lartë publik dhe mbi 90 mijë vende pune u krijuan në gjysmën e parë të vitit 2018, me punësim të ri kryesisht në industri dhe shërbime.

Megjithatë, përgjigjja e përgjithshme e tregut të punës ndaj rritjes ishte më e ngadaltë se sa mund të kishte qenë, duke reflektuar natyrën e përkohshme të stimujve të konsumit, si dhe një rritje të pasivitetit të punës, vuri në dukje Banka Botërore, duke shtuar se në disa vende joaktiviteti dhe emigrimi sesa krijimi i vendeve të reja të punës, shpjegojnë rënien e papunësisë.

Sipas raportit, mbështetja për rritjen afatgjatë kërkon reforma të brendshme që nxisin investimet dhe eksportet. Raporti gjithashtu kërkon një integrim më të madh ekonomik për të nxitur një rritje më të lartë dhe të qëndrueshme dhe për të stimuluar krijimin e vendeve të punës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sinjal besimi në rritje

Banka Botërore vlerëson eurobondin