Nëse Shqipëria është krenuar me peshëngritjen, Kosova këtë e bën me xhudon, ku edhe sot ka arritur të marrë medalje ari. Në turneun e kryeqytetit të Uzbekistanit, Tashkent, sportistët kosovare arritën rezultate të shkëlqyera, dy medalje ari dhe një argjendi.
Favoritja kryesore në disiplinën e saj, Majlinda Kelmendi, nuk i zhgënjeu parashikimet, duke u ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit në finalen e peshave deri në 52 kilogramë. Në “Grand Prix”, që po mbahet në Uzbekistan, Kelmendi ka mposhtur me “Ippon” xhudisten nga Zvicra, Evelin Tshop.
Në kategorinë deri 48 kilogramë Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë, duke mundur në finale hungarezen Eva Tsernovksi. Sportistja u imponua me meritë në finale, madje la jashtë betejës epike edhe serben, Milia Nikoliç.
Përfaqësuesja e Kosovës ishte pranë një triplete historike në turneun në Tashkent, por vetëm fati i keq i mohoi medaljen e tretë të artë. Nora Gjakova humbi finalen ndaj gjermanes Stroll, në kategorinë deri në 57 kg, duke u mjaftuar vetëm me medaljen e argjendtë.