MENU
klinika

Ç'është liria?

‘Më mirë të shes m… njeriu, se të shkruaj për shqiptarët!’

26.11.2018 - 19:38

Të gjithë e pranojnë karakterin kontravers të Konicës, megjithatë prirja ka qenë që ai gjithnjë të rrezatojë nën një dritë shkëlqyese të të diturit, atdhetarit, fisnikut. Të gjithë e dinë se ai ka qenë i krimbur në borxhe dhe me një stil jetë jo aq simpatik, sa, po të kishte qenë ndër ne të gjallët do ishte bërë qepaze, pavarësisht kulturës së thellë që mund të zotëronte nga të lexuarit e shumtë apo zotërimi i gjuhëve të huaja.

Ne këtu po sjellim një shkrim të tij, në të cilin ka fraza nervoze, pse jo dhe urrejtje ndaj shqiptarëve, por që nuk bën gjithsesi që mos gjykohen në një konteskt të caktuar. Por kjo nuk e përjashton atë nga të qënit një personalitet plot dritë-hije, gjë që në fakt shkon në përputhje dhe me anën halabakërore të tij krahas asaj intelektuale…

Çështë liria?

Ç’është liria? – Më mbetet pakë kohe akoma. Dua të marr shpatën, t’u çanj kokën gomarëve, edhe, në vend të trurit, të kllas këtë: ç’është liria? Te mos të kisha nisur këtë fletën, (gazetn Albania), vaftë në Djall! s’do të humbja kohën time të mësonj gomerave ç’është liria. Dy muaj janë që u- nis kjo puna, dhe që tani jam lodhur nga shkaku i gomarëve.

Më mirë te shes pleh njeriu se të nisje punë për Shqiptarët. Janë nja 50 Shqiptarë që kuptojnë ç’është liria: ata nuk na shkruajnë gomarërira se dinë që është i lirë njeriu të thotë si e ka në fund të shpirtit. Po të tjerët janë gomarë, dhe, si të shtyp 12 numra mbas fjalës që dhashë, a e dini ç’kam për të bërë? Qibarët le të mbyllin veshët: kam niet të vete të shes mut, në vend që të mbanj të përkohshmen; më mirë të shes mut njeriu, se të shkruaj për Shqipetarët. Gomarëve pra, le të përpiqem akoma një herë t’u mbush kokën me këtë: ç’është liria?

Liria është të mundet njeriu:
1. të besojë ç’i do zemra;

të thotë ç’i do zemra;
të shkruanj ç’i do zemra;
të bëjë ç’i do zemra, veç ato që janë kundër lirisë së tjeteri njeriu.
Shqiptarët, më të shumët, janë shpirtrobër. Për dëftim: Janë Shqiptarë që kanë fe. Unë thom: “ata janë të lirë të kenë fe, janë të lirë të thonë që kanë fe, janë të lirë të shkruajnë që feja është e mirë, janë të lirë të bëjnë ç’urdhëron feja” dh kur më dërgojnë artikuj për të lëvduar fetë, i shtyp pa besuar, se s’ kam të drejtë t’u pres lirin’ e fjalës. Po kur unë besonj, thom; shkronjë që më vjen të vjellur për ç’do fe.

– ata shpirtrobërit më thërresin: “S’të lëshojmë lirinë të shash fetë!” S’më lëshoni të shaj fetë. Por unë, shpirtrobër, pse u lëshonj t’i lëvdoni fetë? A kini, në mos fillosofi, pakëz mend për të kuptuar që fjala juaj është fjalë gomari?

Vëllezër Shqiptarë! mjaft rrojti e gjora Shqipëria jetën e Kurmit; duhet dhe ajo të nisjë tani të rrojë jetën e mendjes (La vie intellectuelle). Jeta e mendjes është të hapim të tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës tjatrit, të kuvendojmë si njerëzit e qytetëruar që mblidhen të lëftojnë me fjalë për iderat e tyre.

Mos besoni se kështu do të largonemi njëri – tjatrit! për kundër, do të qasemi më shumë, se do të njihemi më mirë, s’do të kemi mendime të fshehura, dhe do të kuptojmë që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshërimi i së Vërtetës e dëshërimi i Shqipërisë.

Për të qenë e mirë e përkohëshmja, duhet të jete si pazar, – nji pazar ku gjenden njerëz të pasure, njerëz të vorfër, gra, burra, djem, të krishterë, muslimanë, të pafe, të tërë tok, dhe, duke kuvenduar, miren vesh për mbrothësin’ e punërave të tyre

T.S (TRANK- SPIRO BEG (pseudonimi i Faik Konicës, shënimi ynë –V.H)

Gazeta Albania, v. 1897, nr. 2, f. 32