MENU
klinika

Të paktën ajo që deklarohet

Paga mesatare e shqiptarëve është 390 euro

12.11.2018 - 14:56

Paga mesatare mujore në Shqipëri është 49 mijë lekë ose rreth 390 euro në muaj. Mbështetur në të dhënat e Institutit të Statistikave, për vitin e kaluar paga mesatare u rrit mesatarisht me 7%.

Rritja ekonomike me 3.8% duket se ka ndikuar pozitivisht edhe tregun e punës, megjithatë, paga mesatare mujore bruto i referohet vetëm pagesave të deklaruara dhe është llogaritur mbështetur në të dhënat administrative. Rrjedhimisht, rritja e pagave mund të përfshijë brenda edhe efektet e formalizimit të pagave, proces ky që po përshkallëzohet vit pas viti, për shkak të presionit në rritje nga administrata tatimore.

Shumë prej atyre që punonin në të zezë apo deklaronin paga minimale janë detyruar të bëjnë deklarime të plota, apo së paku më afër pagës reale. Kjo duket edhe nga rënia e peshës së të punësuarve me pagë minimale, që për vitin 2017 ra nën 30% të totalit.

Sidoqoftë, duhet pasur gjithashtu parasysh se në Shqipëri vetëm 44% e të punësuarve janë të punësuar me pagë. Pjesa më e madhe rezultojnë të vetëpunësuar apo si punëtorë pa pagesë në biznesin familjar.

Sipas Instat, vitin e kaluar shkalla mesatare e papunësisë ishte 13.7%, në rënie nga niveli 15.2% i vitit 2016. Papunësia ra sidomos mes të rinjve, duke zbritur në 25.9%, nga 28.9% që ishte një vit më parë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN