MENU
klinika

Zbulimet në Pogradec

Pak ‘dritë’ mbi prehistorinë e tokës shqiptare

17.11.2018 - 09:25

Zbulimi i tre vendbanimeve të reja prehistorike në zonën e Pogradecit, plotëson dosjen e qytetit për tu njohur nga UNESCO si pjesë e ansamblit të mbrojtur kulturor dhe natyror të liqenit të Ohrit.

Nga Gëzim Kabashi

Hartës së zbulimeve të periudhës prehistorike në juglindje të vendit tonë i janë shtuar edhe katër stacione të reja, dy me moshë rreth 7000 mijë vjeçare dhe dy të tjerat me moshë rreth 3500 vjeçare. Tre prej tyre ndodhen në liqenin e Ohrit, ndërsa i katërti, buzë Prespës së Madhe, në fshatin Kallamas.

Deri tani kultura prehistorike në zonën e Korçës lidhej kryesisht me zbulimet e Maliqit dhe stacioneve rreth tij, si Sovjani, Dunaveci dhe Kamniku, por zbulimet e fundit janë dëshmi të lidhjeve parahistorike midis këtyre rajoneve.

“Zbulimet e fundit në liqenet e Pogradecit dhe Prespës, janë tregues i lidhjes mes dy rajoneve, pa harruar që edhe Maliqi në kohët e hershme ka qenë liqen,” tha për BIRN arkeologu nënujor Adrian Anastasi, i cili në ujërat e dy liqeneve juglindorë ka identifikuar në thellësitë deri katër metra elementët e hershëm të banesave palafite, por edhe qeramikën me moshë gati 7-mijëvjeçare.

Prej 5-6 vitesh Dr. Adriani, me një ekip studentësh dhe teknikësh të fushës po punojnë për të dokumentuar dhe marrë materialin e nevojshëm arkeologjik, që bën të mundur studimin dhe përfundimet shkencore të këtyre gjetjeve me shumë rëndësi.

Dy nga stacionet prehistorike të zbuluara ndodhen pranë fshatit Lin, një tjetër pranë fshatit Hudënisht, ndërsa në Prespë të dhënat e para për vendbanimin prehistorik të Kallamasit i ka dhënë prof. Frano Prendi që në fillim të viteve 1970.

Arkeologu Adrian Anastasi ka bindjen se mes kulturave të Maliqit dhe atyre të sapo-zbuluara në liqenin e Pogradecit dhe Prespës ka një lidhje të ngushtë.

“Unë besoj se banorët e lashtë në këto zona shkëmbenin mallrat dhe kulturën e kohës, duke shfrytëzuar kalimin në dy qafa të njohura, ajo e Plloçës dhe ajo e Zvezdës”.

Zbulimet e kahershme të Maliqit, apo edhe ato të fundit në brigjet e liqeneve në Pogradec dhe Prespë, kanë ngjallur interes si atraksione të mundshme turistike.

Megjithatë, sipas dr. Adrianit, më parë se të shfrytëzohen për turizëm kulturor materialet arkeologjike duhet ti nënshtrohen një procesi serioz studimi, konservimi si dhe të plotësohen të gjitha kriteret e mbrojtjes së siteve arkeologjikë.

“Një muze prehistorik mund të ndërtohet vetëm nëse ai pasqyron sintezën e studimeve të vendbanimit prehistorik përkatës dhe jo fantazi,” shpjegon Anastasi.

‘Prehistoria’ mblidhet në Maliq

Të rejat shkencore mbi këto vendbanime prehistorike janë paraqitur ditët e fundit në konferencën ndërkombëtare të Prehistorisë që u zhvillua në Maliq, qyteti i njohur për zbulimet e para prehistorike në vend, pikërisht në vitet kur u tha këneta pranë tij. Prof. Luan Përzhita kujton me respekt kolegët që nuk jetojnë më, të cilët me objektet e para që u zbuluan teksa thahej këneta, shënuan edhe fillimet e arkeologjisë 70-vjeçare shqiptare.

Studiues arkeologë nga vendi ynë, Kosova, SHBA, Zvicra, Franca dhe Greqia, sollën rezultatet e gërmimeve të kryera dhe diskutuan mbi paralelet që i bashkojnë këto zbulime, por edhe nevojën për tu thelluar në metodologjinë e përdorur.

“Datimet e zbulimeve mund të jenë të vlefshme, vetëm kur përcaktohen periudhat e hershme në territor, si fazat e ndryshme të neolitit (epoka e gurit), apo edhe eneoliti (epoka e bakrit),” tha për BIRN, Rudenc Ruka, i cili paraqiti në konferencë punimin e përbashkët me kolegun amerikan Galaty, nga Universiteti i Miçiganit.

Studiuesit vlerësojnë se në rajonet jugore të Evropës, datimet e periudhave historike janë më të vjetra se sa në ato të veriut për shkak të ndryshimeve të klimës, duke shtuar se datimet absolute arrihen vetëm me analizën e karbonit 14 dhe mund të kryhen vetëm jashtë vendit.

“P.sh., kemi arritur në përfundimin se vendbanimi i Kallamasit në Prespë ka një moshë 3500 vjet para erës së re-tregon Rudenci, sipas të cilit ende analizat kryhen shoqërisht në SHBA me kolegun e huaj, pra “pa asnjë financim nga shteti shqiptar”.

Kjo është një nga vështirësitë që e kanë të gjithë arkeologët që punojnë në terren.

Duket se kjo është arsyeja, që të pranishmit vlerësojnë mbështetjen e deritanishme të kryebashkiakut të Maliqit, Gëzim Topçiu, i cili nga podiumi i konferencës i quan vazhdimisht “profesorë” arkeologët në sallë, dhe u jep fjalën që bashkë me këshillin bashkiak do të vazhdojë mbështetjen e ekspeditave në zonën e Maliqit.

Kryebashkiaku vendos zyrtarisht shiritin kuq e zi për të nderuar kujtimin e prof. Frano Prendit, i cili gërmoi në Maliq dhe në Dunavec, duke hedhur bazat e prehistorisë në vendin tonë. Profesori i ndjerë merr titullin “Qytetar Nderi i Maliqit” (pas vdekjes), bashkë me mirënjohjen e të gjithë kolegëve për kontributin e jashtëzakonshëm në këtë fushë.

Një burrë i gjatë nga Prishtina ka vendosur në një vend të dukshëm dy botimet e fundit të Institutit të Arkeologjisë së Kosovës.

“Këto janë publikimet e fundit nga vepra e Çeskut, siç e thërrisni edhe ju prof. Franon,” Shafi Gashi. “Janë gjashtë vëllime gjithsej, që të gjitha botuar me sponsorizimin e kompanive shtetërore dhe private në Kosovë,” shtoi ai.

Më pas Shafiu, si edhe Vesel Hoxhaj nga Prizreni, kumtojnë raportet kulturore e kronologjike midis Maliqit II dhe Hisarit II Kosovë”, si dhe tiparet kulturore të neolitit në rajonin e Prizrenit, referime që zgjojnë edhe interesin e të pranishmëve.

Ndalesë në Pogradec

Gjatë kthimit nga Maliqi, Adrian Anastasi do të ndalojë sërish në Pogradec. Bashkë me Gentin, teknik i specializuar nënujor i ekipit të tij dhe një mik pogradecar, përfitojnë nga ditët e ngrohta të nëntorit për të kontrolluar palafitet e njërës prej pikave të zbuluara në liqenin e Ohrit.

Dr Adriani tregon për “cungka”-n, mjet lundrues i përftuar nga një trung i gërryer, të cilën në gjuhën shkencore e quajnë “monoxil” ose “pirogë”.

“Deri në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, cungkat përdoreshin si mijëra vjet përpara nga peshkatarët e liqenit të Prespës së Madhe dhe të Vogël si dhe nga ata të Maliqit. Madje një “cungkë” e tillë, në vend që të jetë në muze, zbukuron një restorant në Pustec,” shpjegoi me keqardhje Adriani.

Një vit më parë “dosja e Pogradecit” për tu anëtarësuar në UNESCO u plotësua edhe me tre vendbanimet prehistorike të zbuluara në liqen vitet e fundit. Dy specialistë të UNESCO-s erdhën për tu njohur nga afër me këto vendbanime palafite, të cilat renditen nga më të mëdhatë në gadishullin e Ballkanit.

“Pas vëzhgimit të hollësishëm të bregut liqenor nga Lini në Pogradec, që do të vazhdojë për disa vite, radhën do ta ketë zona nga qyteti deri në Tushemisht,” shprehet drejtuesi i projektit dr. Anastasi, i cili mendon se këto brigje ndodhen pikërisht nën qafën e Plloçës, vendkalimi i shkëmbimeve ekonomike dhe kulturore mes banorëve të hershëm në fushën e Korçës me ata të liqenit të Pogradecit.

Por, atraksionet turistike në brigjet tona mund të nisin më shpejt. Në Lin është identifikuar një skelë disashekullore, dhe trungjet që shërbenin si këmbë të skelës shihen ende mbi ujë

“Mbi fshat ndodhet bazilika me mozaik e Linit,” shprehet Adriani, duke shtuar se edhe “skela pranë shtëpive të fundit buzë liqenit, mund të kthehet në një vend të vizitueshëm me një projekt të menduar mirë”.

Lëvizje e shtuar në Kapshticë

Emigrantët kthehen për festat e fundvitit

Korça, Tirana, Vlora e Shkodra destinacionet më të preferuara

Të huajt zgjedhin Shqipërinë për festat e fundvitit!

Nëna kërkon ndihmë nga policia

Zhduket në rrethana misterioze 16-vjeçari

150 familje mbeten pa energji elektrike

Rikthehet dëbora në juglindje të vendit