MENU
klinika

Eqrem bej Vlora

Flamuri i pavarësisë nuk ishte i Marigosë!

05.12.2018 - 16:00

Këtë fakt, po e ilustrojmë me një narracion nga libri me kujtime të viteve 1885-1925, të Eqrem bej Vlorës, kushëriri i Ismail bej Vlorës, nga një trung familjar, i cili shprehet: 

“Vera e 1907-ës më gjeti përsëri në rrugë. Motrës sime të dytë Faziletit, të martuar me Ekrem bej Libohova-Arsllan-Pashalinë, i vdiq vajza 4 muajshe, Belkizi. Dhe kështu unë me dy motrat më të vogla, bëmë një udhëtim çlodhës, së pari në Shqipëri, te gjyshja, pastaj nëpër Dalmaci shkuam në Austri, në kështjellat e disa miqve tanë në Tirol, në Zvicër e më së fundi arritëm në Paris.

Këtu gjetëm kunatin tonë, Eqremin, i cili si oficer nuk mund të merrte më shumë se një muaj leje, ndaj edhe kishte ardhur drejt e në Paris. Ne e njihnim qytetin dhe qendrimi në “Ville lumiere” nuk na dha asgjë të re. Vetëm një takim këtu ka lënë mbresë në kujtesën time, sepse ka një lidhje të çuditshme me ngritjen për herë të parë të flamurit kombëtar në Shqipëri.

Ne i bëmë një vizitë në Paris don Aladro Kastriotit në shtëpinë e tij, një vilë e bukur. Mua më interesonte veçanërisht biblioteka e mbushur me libra të bukur dhe të rrallë albanologjikë, si dhe koleksioni i tij i madh i gravurave.

Don Aladro na ftoi për darkë në vilën e madhe ku na njohu me shoqërinë e lartë të pranishme aty. Pasi përfundoi darka një shërbëtor na solli një kuti kadifeje të kuqe mbi një tabaka argjendi dhe e vendosi para don Aladros.

Ai u ngrit dhe me ca lëvizje teatrale na mbajti një fjalë të bukur për ndjenjat e tij atdhetare për Shqipërinë. Pasi fjalimit ai hapi kutinë kadife dhe nxorri prej andej një flamur shqiptar, një shqiponjë e zezë dykrenare në fushë të kuqe dhe ma dha mua: “Ditën që do të plotësohet ëndrra ime, po ju ngarkoj ta ngrini këtë flamur dhe të mendoni për mua”!

Unë e mora flamurin, shumë serioz, duke e mposhtur me vështirësi gazin dhe me pak fjalë e falenderova për besimin dhe interesin që tregonte për Shqipërinë. Pesë vjet rresht e ruajta unë këtë flamur në dhomën time të gjumit, varur në një gozhdë anësh krevatit, derisa erdhi vërtet dita që kishte profetizuar don Aladroja i gjorë, dhe krejt papritur e krejt rastësisht, ky flamur u ngrit vërtet si simbol i Pavarësisë së Shqipërisë!

Një javë pas kthimit tim në Vlorë çova Murat bej Toptanin dhe Hydai efendin tek Ismail Qemali, duke iu lutur të më kthente flamurin që i pata huajtur. Më premtuan të ma kthenin atë menjëherë, sapo zonja Marigo Posio ta kishte qepur e qendisur flamurin e ri. E pra, në 28 nëntor, kryeobjekti i ditës, flamuri si simbol i pavarësisë, me atë pakujdesinë tipike shqiptaro-lindore, ishte harruar.

Për më tepër shumica nuk e dinte se si ishte ai. Kurrkush më përpara as e kishte parë, as e kishte mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njeri-tjetrin të hutuar. Atëherë ngrihet miku im Hydai efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqrem beut varet në mur një flamur shqiptar, i futur në një kornizë të bukur dhe pyeti:

“A mund të merret pa qenë aty i zoti”?

Ismail beu i dha leje dhe kështu flamuri, që dikur don Alandro Kastrioti ma kishte dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vetë qendronte pranë, në dritare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB