Kohët e fundit, Donald Trump, ka lajmëruar se do të tërhiqet nga një traktat i rëndësishëm armësh bërthamore me Rusinë, që daton që nga Lufta e Ftohtë. Duke folur për gazetarët në fund të muajit tetor, presidenti Donald Trump deklaroi se Rusia kishte “shkelur” traktatin.
Traktati i nënshkruar në vitin 1987 nga SHBA dhe BRSS i ndalon Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, posedimin, prodhimin dhe transportin e armëve raketore. Në kohën kur dy udhëheqësit e mëdhenj botëror, Ronald Regan dhe Mikail Gorbaçov e nënshkruan këtë traktat, ai u konsiderua një nga hapat themelorë të ruajtes së paqes botërore dhe mospërshkallëzimit të Luftës së Ftohtë.
Po kush ishte Mihail Gorbaçov, njeriu që nënshkroi këtë traktat të rëndësishëm, që i dha fund Bashkimit Sovjetik e që “theu” komunizmin?
Mikhail Gorbaçov, i lindur më 2 mars 1931, ishte Sekretari i fundit i Përgjithshëm i Bashkimit Sovjetik. I emëruar në vitin 1985, reformat e brendshme të Gorbaçovit dhe marrëveshjet e çarmatimit bërthamor ndihmuan në përfundimin e Luftës së Ftohtë, dhe përfundimisht çuan në rrëzimin dramatik të komunizmit në Evropë.
Jeta e hershme politike
Gorbaçovi u pranua në vitin 1950 në Universitetin Shtetëror të Moskës dhe në 1955 u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë. Ai u kthye në Stavropol pas universitetit dhe punoi si një zyrtar rajonal i Partisë Komuniste, ku hyri në vitin 1967, dhe pas kësaj filloi të ngrihej në radhët e Partisë Komuniste provinciale.
“Ngjitja e shkallëve”
Në 1970, Gorbaçov nisi karrierën e mirëfilltë politike me një emërim si Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë në Stavropol. Duke bërë emër si një modernizues dhe reformator rajonal, në vitin 1978 ai u thirr në Moskë dhe u emërua në Komitetin Qendror Bujqësor. Nën udhëheqjen e zyrtarëve të lartë të Partisë Komuniste, Gorbaçovi u promovua me shpejtësi në Komitetin Ekzekutiv të Bashkimit Sovjetik, Politburo.
Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit Sovjetik
Nga vitet 1980, ekonomia sovjetike kishte nevojë të madhe për reforma. Në vitin 1985, pas tre udhëheqësve të moshuar që humbën jetën, Gorbaçov, një mbrojtës i ish-udhëheqësit sovjetik Yuri Andropov, u emërua Sekretar i Përgjithshëm dhe kreu i Bashkimit Sovjetik. Në moshën 54 vjeç ai ishte një nga udhëheqësit më të rinj dhe u pa si njeriu që mund të “pastronte” sistemin e vjetër sovjetik.
Gllasnosti dhe Perestrojka
Gorbaçovi bëri përpjekjet për të “ringjallur” Bashkimin Sovjetik me dy plane: Gllasnosti (që do të thotë hapje, transparencë) dhe Perestrojka (që do të thotë ristrukturim). Duke zbutur burokracinë dhe censurën, Gorbaçovi shpresonte të transformonte regjimin stalinist sovjetik në një demokraci sociale më moderne.
Traktati me SHBA-në, dhe marrëdhëniet e ngrohta me Ronald Regan
Gjatë dekadave të Luftës së Ftohtë, përparimet e vogla në marrëdhëniet amerikano-sovjetike, në një mënyrë ose në një tjetër, pothuaj gjithmonë dështonin. Por, Gorbaçov, me politikën e tij të “Gllasnostit” dhe “Perestroikës” ishte i vendosur të ndryshonte Bashkimin Sovjetik dhe sistemin e tij në mënyrë radikale.
Politika e Gorbaçovit ndaloi avancimin e garës për armatim, mes SHBA dhe BS, që po shkonte drejt rrezikut të pashmangshëm të një lufte bërthamore. Në 11 tetor 1986, u duk qartë që në BS po frynte një erë ndryshe. Gorbaçov takoi presidentin amerikan, Regan, në Reykjavík, Islandë. Në 1987, u firmos Traktati për eliminimin e armëve nukleare dhe kjo sinjalizoi fundin e Luftës së Ftohtë.
Madje,madje vetë Presidenti Regan, gjatë një konferencë për mediat në Moskë në vitin e tij të fundit si president në vitin 1988, kur u pyet për rolin që ai vetë kishte luajtur në dramën e madhe të shekullit të 20, në vend që të fliste për rolin e tij, u përgjigj duke theksuar rolin e ish-udhëheqësit sovjetik: “Zoti Gorbaçov ka meritat më të mëdha, si udhëheqës i këtij vendi (Bashkimit Sovjetik), për influencimin e transformimeve që më në fund tronditën Evropën dhe botën”, tha presidenti Regan.
Rritja e nacionalizmit
Të frymëzuar nga Gllasnosti dhe të ngushëlluar nga refuzimi i Gorbaçovit për të përdorur fuqinë ushtarake, disa kombe të Paktit të Varshavës dhe republikat sovjetike shpallën synimet e tyre për t’u çliruar nga sundimi komunist. Deri në fund të mandatit të tij, Muri i Berlinit ishte rrëzuar dhe republikat e mëdha si Ukraina, Bjellorusia dhe Lituania kishin shpallur pavarësinë e tyre.
Përpjekjet për ta rrëzuar
Në vitin 1991, repartet reaksionare të forta në Partinë Komuniste, nga frika e rënies së Bashkimit Sovjetik, u përpoqën ta largonin Gorbaçovin. Përpjekjet e presidentit rus Boris Jelcin dhe protesta masive e grushtit të shtetit dështoi. Gorbaçovi u kthye në Moskë, por shpejt e kuptoi se balanca e pushtetit dhe mbështetja popullore ishte zhvendosur tek Jelcin.
Fundi i Bashkimit Sovjetik
Pas grushtit të dështuar të Jelcinit, dy goditje në mënyrë efektive i dhanë fund Bashkimit Sovjetik, si dhe karrierës së Gorbaçovit. Së pari, si President i Rusisë, ai ndaloi të gjitha aktivitetet e Partisë Komuniste në tokën ruse. Së dyti ai, së bashku me presidentët e Ukrainës dhe Bjellorusisë, nënshkruan një traktat për të krijuar një komunitet të ri të republikave. Pa këto kombe kryesore Bashkimi Sovjetik ishte “i vdekur”. Pas kësaj, Gorbaçovi dha dorëheqjen.
Dalja në pension
Pas formimit të disa partive të reja, karriera politike e Gorbaçovit mbaroi. Në pension ai krijoi Fondacionin Gorbaçev, një institut përgjegjës për hulumtimin e politikave politike ruse.
Shqipëria dhe e gjithë Evropa ish-komuniste duhet të ndihen në borxh ndaj Mihail Gorbaçovit për rolin historik që ai luajti në revolucionet anti-komuniste, kryesisht pa gjak, anë e mbanë Evropës Lindore e Qendrore.
Ndaj, është disi e pabesueshme dhe deri diku edhe e pafalshme që një figurë historike si Mihail Gorbaçov, pothuaj është zhdukur nga vëmendja për rolin e tij jetik në shpërbërjen e komunizmit.
Ai duhet rreshtuar, me të drejtë, bashkë me Reganin dhe Papa Gjon Palin II, si njëri prej arkitektëve kryesorë të rrëzimit të diktaturës së komunizmit.
Disa nga thëniet e politikanit të famshëm janë:
-Nëse ajo që ke bërë dje të duket shumë, nuk ke bërë shumë sot.
-Ajo që na nevojitet është Paqja e Yjeve (Star Peace) dhe jo Luftërat e Yjeve (Star Wars).
-Jezusi ishte socialisti i parë, i pari që kërkonte një jetë më të mirë për njerëzimin.
-Unë jam komunist, komunist i bindur! Për disa mund të jetë një fantazi. Por për mua është qëllimi im kryesor.
-Do të ishte naive të mendohej se problemet që shqetësojnë njerëzimin sot mund të zgjidhen me mjete dhe metoda të cilat u aplikuan ose dukej se funksiononin në të kaluarën.
-Tregu nuk është një shpikje e kapitalizmit. Ai ka ekzistuar për shekuj me radhë. Është një shpikje e qytetërimit.
-Ne nuk i braktisim bindjet tona, filozofinë apo traditat tona, as nuk kërkojmë që dikush të braktisë të tijat.
-Bota është një anije, në të cilën jemi të gjithë pasagjerë, nuk duhet të lejojmë që ajo të mbytet.