Ndoshta shumë prej jush janë të njohur me termin e terapisë së masazhit “Trigger Point”, ose “Pikat Triger”, por përveç atyre që punojnë me pacientë dhe përdorin këtë terapi në mënyrë të rregullt, sa prej nesh e dimë se si formohen ato dhe çfarë mund të bëhet për të lehtësuar këto dhimbje të bezdisshme?
Trigger points (TP), ose “kontraktimet ” muskulare, janë pika të ndjeshme në muskuj, të cilat kur bashkohen në një numër të madh, quhen “sindroma e dhimbjes muskulare”. Ato zakonisht përshkruhen si mikro-dhimbje, por shkenca është ende e paqartë për to.
Pika“Trigger” mund të përshkruhet si një pikë në një muskul të caktuar, që jep ndjesinë e dhimbjes, apo dobësisë, në një zonë tjetër të trupit. Për shembull, pika “Trigger” në muskulin e shpatullës mund të jetë shkak i ndonjë problemi në anë të kokës, prapa veshit.
Pikat ”Trigger” janë të përhapura dhe mund të formohen në çdo muskul të trupit. Pacientët shpesh ankohen për dhimbje të vazhdueshme, që rezultojnë në një rënie të gamës së lëvizjes të atij muskuli.
Muskujt më të prekur zakonsht janë në kokë dhe në qafë. Ato mund të çojnë në zhvillimin e simptomave të tjera si: dhimbje koke, dhimbje nofullash, zhurma dhe dhimbje të veshit apo të syrit.
Çfarë janë Pikat Triger?
Pikat “Trigger”janë pika që priren drejt një gjendje të vazhdueshme patologjike të kontraktuar në disa zona të muskulaturës, ose në shtresat e dendura të saj, të cilat shpesh janë të dhimbshme ndaj palpimit (prekjes me dorë).
Termi “Pikat Trigger” u prezantua nga Janet Travell (1901-1997) në vitin 1952 edhe pse, prej mëse një shekulli në qarqet mjekësore “zyrtare” koncepti ishte i njohur, por jo shumë qartë.
Edhe vet Travell bëri një përkufizim të pjesshëm e të përmbledhur të tyre: “Pjesë të mbledhura si nyje në një muskul apo zone muskulore, jashtëzakonisht të irrituara dhe të dhimbshme”.
Dhimbja akute dhe e bezdisur, zakonisht përqëndrohet në një pikë, e quajtur “Pika Trigger”, nga ku dhimbja përhapet dhe mund të përfshijë gjithë zonën muskulare përreth saj.
Pikat Triger duken si nyje ose xhunga nën lëkurë. Kur ushtrohet shtypje mbi to, shumë njerëz nuk ndjejnë dhimbje apo bezdi, por në disa raste bëhën shumë të ndjeshme dhe disa njerëz ndjejnë shumë dhimbje në zonën përreth këtyre pikave.
Llojet e Pikave “Triger”
Ekzistojnë disa tipologji të këtyre pikave, me karakteristika të vecanta:
• Primare (ose qëndrore): janë ato me klasiket, të përqëndruara në qendër të zonës muskulare, dhe janë ato që pacientët i kuptojnë dhe dinë t’i dallojnë më lehtësisht;
• Sekondare (ose satelite): krijohen në muskujt përreth pikës primare dhe janë ato që duhen trajtuar fillimisht;
• TP në pikat e sulmit: janë ato që gjenden në pikat e tendineve;
• TP të përhapura: përfshijnë një pjesë të tërë të trupit dhe janë të lidhura me deformime të posturës si skolioza ose hiper lordoza;
• TP aktive: primare ose sekondare, rizgjojnë dhimbjet e mëparshme dhe janë të dhimbshme në palpim. (prekje);
• TP latente (ose jo aktive ): të cilat nuk shkaktojnë dhimbje të mirëfillta, dhe nuk janë të dhimbshme, por provokojnë ngurtësim të muskujve dhe mund të riaktivizohen nëpërmjet stimulimit të tyre.
Pse shkaktohen?
• Një aksident i ndodhur së fundmi ose në të shkuarën;
• Mungesa e të ushtruarit fizik;
• Posturë e gabuar per një kohë të gjatë;
• Mangësi e vitaminave;
• Shqetësime të gjumit;
• Aktivitet i stresuar në punën e përditshme apo atë rekreative;
Si trajtohen?
Ka shumë mënyra për trajtimin e tyre, si:
• Agopuntura;
• Terapia manuale (si kiropraktika);
• Masazhi;
• Mënyra jo invazive si: ultrasuoni, lazer, stimulimi elektrik (makina TENS, që dërgon impulse të vegjël elektrik nëpërmjet lëkurës, për të modifikuar mënyrën se si sinjalet e dhimbjes dërgohen në tru);
• Injeksion i steroideve (që i mundësojnë mjekut të veprojë direkt në vendin e dëmtuar per të zvogëluar inflamacionin).
Ku gjenden Pikat Triger?
Pikat Trigger dhe kontraktimet muskulare mund të ndodhen në çdo pjesë të trupit. Në çdo pjesë muskulore të trupit mund të ketë një zonë të vogël me muskuj të tendosur. Kjo mund të shërbejë si një pikënisje.
Zonat më të zakonshme janë:
• Muskujt trapez të sipërm, në të dy anët e qafës direkt mbi shpatulla;
• Muskujt në pjesën e poshtme të shines;
• Muskujt e pasëm të kofshës;
• Muskujt e pulpës;
• Në pjesën iliotibiale.
Nëse pikat trigger shfaqen në mënyrë të shpeshtë, mund të arrihet në dhimbjet kronike dhe sindromin e dhimbjes së kontrakturave muskulare.
Sindroma e dhimbjes së kontrakturave
Kjo sindromë është një problematikë që mund të prekë të gjithë pa dallim, për shkak të krijimit të Pikave Trigger. Pikat Trigger kanë specifikën dhe simptomatologjinë e dhimbjes dhe përhapjes së saj, që mund të shkaktojë shqetësime të tjera, prandaj është e rëndësishme të njihen dhe të analizohen në të gjitha aspektet e tyre.
Të kuptuarit e tyre është një element i rëndësishëm në përcaktimin e një diagnoze të saktë, që do të mundësojë reduktimin në minimum të gabimeve për vlerësimin e tyre dhe në terapinë e duhur.
Për të arritur në njohjen dhe trajtimin e duhur të kësaj sindrome, është e nevojshme të njihen mirë:
• Karakteristikat e dhimbjes;
• Përhapja;
• Topografia e të gjithë pikave trigger në cdo muskul;
• Kushtet që mund të aktivizojnë ose dizaktivizojnë pikat trigger;
• Aftësia për analize të diferencuar me simptoma të problematikave apo patologjive të tjera.
Sindroma e dhimbjes së kontrakturave mund të jetë e vështirë për t’u trajtuar. Dhimbja është kaq e shpërndarë dhe misterioze, sa mund të jetë e vështirë nga duhet të fillohet trajtimi.
Në cilat problematika ndikon prezenca e Pikave “Trigger?
• Shpatull e dhimbshme në prezencë të kalcifikimeve, lëndimeve të ndryshme dhe inflamacioneve;
• Dhimbje mesi me ose pa prezencë të hernieve, probleme të ndërtimit anatomik, apo të disqeve vertebrale;
• Dhimbje cervikale (të qafës) dhe krahë-qafë, me praninë ose mungesën e hernieve, zgjatjeve ose diskopative të ndryshme;
• Probleme te kaviljes;
• Dhimbje të shiatikut;
• Dhimbje koke dhe migrenë;
• Dhimbje e ijeve;
• Dhimbjet e bërrylit;
• Problemet të kyçit të këmbës (dalje të vazhdueshme) ose kyçet e duarve;
• Rënie e forcës fizike;
• Dhimbje muskulare ose të kyçeve.
Këto janë vetëm një pjesë e problemeve të trajtueshme, pasi sipas disa studimeve, pikat “Triger” janë të lidhura ngushtë me sistemin nervor autonom.
Trajtimi i patologjisë së këtyre pikave, çon në shumë efekte të drejtpërdrejta në proceset e ndërvarura nga ky sistem (si tretja). Proceset patologjike të lidhura me zonat e pikave Trigger mund të krijojnë gjithashtu probleme të mosfunksionimit të mirë (për shembull në bllokimin e diafragmës) dhe problemeve në nivelin e brendshëm, duke çuar kështu në simptoma të tilla si gastriti dhe kapsllëku.
Si mund të parandalohen apo përmirësohen “Pikat Triger”?
Trajtimi duhet të bëhet nga persona kompetentë si mazoterapistë dhe fizioterapistë, që janë në gjendje të vlerësojnë më kujdes situatën dhe të ndërhyjnë manualisht në zonën e interesuar dhe që pas vlerësimit të situatës, manipulojnë manualisht zonën e prekur (zakonisht duke filluar nga pikat primare).
Masazhimi i Pikave “Trigger”, zakonisht është shumë efektiv, kur kryhet mirë dhe bazohet në parimin e kompresionit-shtypjes dhe frenimit. Si rregull i përgjithshëm, masazhi nuk duhet të shkaktojë dhimbje të tepruar, por më tepër një lloj bezdije, duke proçeduar hap pas hapi në kalimin e pikave të ndryshme, duke kërkuar frenimin e tyre në shkurtimin e muskujve ose zgjatjen e tyre.
Si parandalohet?
• Ushtrimet fizike: Të ushtruarit në mënyrë të rregullt dhe pa sforco, është një pjesë e rëndësishme e mbajtjes së muskujve të zhdërvjellët dhe në parandalimin e bllokimit të tyre;
• Përmirësimi i posturës: Mënyra e qëndrimit ulur apo në këmbë, mund të këtë një impakt afatgjatë në shëndetin tënd. Bëhu i vetëdijshëm për mënyrën se si e akumulon stresin. Zakonisht njerëzit e akumulojnë stresin dhe tensionin në zonën lombare (në mes), apo në qafë. Përmirësimi i posturës është një hap përcaktues që mund të ndihmojë në zvogëlimin e Pikave Trigger;
• Dietë e rregullt: Ndoshta duket surprizuese, por të mbash një ekuilibër korrekt të vitaminave dhe mineraleve në jetën tënde, mund të të ndihmojë në parandalimin e Pikave Trigger të mundshme, apo në përkeqësimin e tyre. Nje dietë e ekuilibruar është gjithmonë një normativë e mirë;
• Gjumë i mjaftueshëm: Gjumi është i rëndësishëm për trupin, ndër të tjera edhe për t’i dhënë atij mundësinë dhe kohën për të rifilluar një ditë të re aktive;
• Stretching: Për punën apo për sportet rekreaktive, zgjatja e muskujve para dhe pas aktivitetit është gjithmonë e rëndësishme.