Delegatët e partisë kristiandemokrate CDU janë mbledhur në Hamburg ku do të zgjidhet sot pasardhësja/pasardhësi i kryetares së partisë, Angela Merkel, e cila do të vazhdojë të mbetet kancelare. Kryetarja e deritanishme e partisë kristiandemokrate CDU Angela Merkel, u largua nga ky post, pas 18 vitesh, me një fjalim, i cili u përcoll me brohoritje dhe duartrokitje frenetike.
“Ka qenë një nder i madh, një kënaqësi e madhe”. Me këto fjalë Merkel përfundoi fjalimin 35 minutësh, për herë të fundit si kryetare e CDU-së. Merkel bëri një rishikim të kohës në krye të partisë, duke theksuar sukseset por edhe dështimet në faza të ndryshme. Kancelarja tha se tani ka ardhur koha “për një kapitull të ri”, dhe ftoi partinë e saj që të mbetet e bashkuar.
Ndarja me lot dhe duartrokitje
Pas fjalimit ajo u përshëndet me një duartrokitje të gjatë prej gati 10 minutash. 1001 delegatët e mbledhur në Hamburg u ngritën nga vendi, shumë prej tyre mbanin pankarta me mbishkrimin: “Faleminderit shefe”. Nuk mungonin as lotët tek shumë delegatë. Ndërsa Merkel gjatë fjalimit ishte shumë personale dhe e prekur nga duartrokitjet e gjata, të cilat ndërprenin shpesh fjalimin e saj. 64-vjeçarja Angela Merkel largohet nga posti i kryetares së partisë CDU pas plot 18 vitesh. Por ajo vazhdon të mbetet kancelare e Gjermanisë.
Më fjalë të mira për udhëheqjen e kancelares në periudhën e kaluar folën të gjithë ata që morën fjalën para saj, por edhe pas saj. Ndonëse edhe vet Merkel e kishte të qartë se gjatë kësaj kohe ka pasur edhe ngjarje aspak të lehta. “Se ku na çojnë grindjet mes vete, këtë më së miri e kanë kuptuar CDU dhe CSU vitet e fundit”, tha Merkel, e cila bëri thirrje që këto parti të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë mes vete.
Pasdite zgjedhet pasardhësja/pasardhësi
Delegatët e kongresit sot pasdite do të zgjedhin pasardhësen, apo pasardhësin e Angela Merkelit. Deri tani kanë kandiduar sekretarja e përgjithshme e CDU Annegret Kramp-Karrenbauer, ish-shefi i grupit parlamentar në Bundestag Friedrich Merz dhe ministri i Shëndetësisë Jens Spahn. Nëse asnjëri prej tyre nuk fiton më shumë se 50% të votave në raundin e parë, në raundin e dytë kualifikohen dy të parët.