Nga foltorja e Kuvendit, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi ka sqaruar lajmin për procedimin nga ana e policisë, për profesor Edmond Tupen dhe studentët, si pjesë e protestës së paligjshme në rrethrrotullimin te “Zogu i Zi”.
Ministri ka sqaruar se jo vetëm nuk ka pasur asnjë procesim nga ana e policisë, për profesor Tupen apo studentët, por ka ka filluar “procedurat për të nxjerrë përgjegjësinë ndaj atyre personave përgjegjës në Policinë e Shtetit, të cilët nuk kanë ndërmarrë hapat e nevojshme për ta përgënjeshtruar këtë lajm, i cili mori vëmendje të madhe publike dhe ngatërroi shumëçka”.
Fjala e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë seancës së sotme plenare:
Faleminderit zoti Kryetar!
Të nderuar deputetë!
E mora fjalën për të bërë vetëm një ndërhyrje të shkurtër që ka lidhje me protestat e studentëve.
Gjatë ditës së djeshme ka qarkulluar që herët në mëngjes një lajm për kinse fillimin e procedurave penale ndaj disa studentëve dhe pedagogëve pjesëmarrës në protestat e zhvilluara këto ditë në vendin tonë.
Ky lajm ka gjetur një jehonë të gjerë mediatike, publike, ka pasur diskutime, elaborime të shumta.
Edhe miq të mi në radhët e profesorëve më kanë shqetësuar dje lidhur me pakuptimësinë e këtij lajmi, ose të kësaj ndërhyrjeje të policisë, dhe në momentin më të parë që gjeta kohë për t’u marrë me ketë çështje, i kam kërkuar Policisë së Shtetit informacione të detajuara rreth kësaj ndërhyrjeje, rreth këtij procedimi dhe për befasinë time të madhe rezulton që lajmi është plotësisht i pavërtetë. Dje nuk ka patur kurrfarë procedimi penal ndaj asnjë pedagogu dhe ndaj asnjë studenti pjesëmarrës në protestat e vendit.
Është lehtësisht e provueshme kjo, në qoftë se dikush do kishte marrë mundimin të interesohej pranë organeve të Prokurorisë apo përmes avokatëve përkatës.
Pra edhe njëherë e përsëris, më shumë për opinion publik: Nuk ka pasur asnjë lloj procedimi penal ndaj asnjë pedagogu apo asnjë studenti pjesëmarrës në protestat e ditëve të fundit, të zhvilluara në Tiranë apo në qarqet e tjera të vendit.
Sigurisht që pas këtij konstatimi kam filluar procedurat për të nxjerrë përgjegjësinë ndaj atyre personave përgjegjës në Policinë e Shtetit, të cilët nuk kanë ndërmarrë hapat e nevojshme për ta përgënjeshtruar këtë lajm, i cili mori vëmendje të madhe publike dhe ngatërroi shumëçka.
Faleminderit!