MENU
klinika

Amerika në zi

01.12.2018 - 09:02

Vdekja e George HW Bush, çfarë shkruajnë Obama e TrumpKa ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare George H.W. Bush, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara. Prej disa vitesh ai vuante nga parkinsoni vaskular, një sëmundje që i kufizoi lëvizjet fizike.

George H.W. Bush u shua vetëm disa muaj pas gruas së tij, pasi më 17 prill të këtij viti ndërroi jetë Barbara Bush në moshën 92-vjeçare. Por kush ishte George H.W. Bush? Ai ishte veterani i fundit i Luftës së Dytë Botërore që shërbente si president dhe babai i Presidentit të 43-të amerikan, George W. Bush.

George Herbert Walker Bush lindi më 12 qershor 1924. Bush shpesh njihej si “George H W Bush”, “Bush 41”, “Bush Plaku”, apo “George Bush Sr.” për ta dalluar atë nga djali i tij, ish-presidenti George W. Bush.

Ai ka qenë drejtor i CIA-s, i dërguar i SHBA në Pekin, kongresmen republikan, nënpresident dhe më pas President nga viti 1989 deri në 1993, vetëm në një mandat, pasi e humbi garën për mandatin e dytë kundër ish-Presidentit Bill Clinton. George H.W. Bush pasoi në Shtëpinë e Bardhë Ronald Reagan.

Jo vetëm për diplomacinë në Luftën e Ftohtë dhe në kohën e rënies së Murit të Berlinit, por George H. W. Bush do të mbetet në memorie për shqiptarët edhe për mesazhin e tij në 1992 për Sllobodan Millosheviç ku e paralajmëronte se në rast të një konflikti në Kosovë, SHBA do të jenë gati të përdorin forcën ushtarake sikur ndodhi.

Vdekja e George HW Bush, çfarë shkruajnë Obama e Trump

Donald Trump e Barack Obama, kanë shprehur ngushëllimet e tyre për vdekjen e Presidentit të 41 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ndërroi jetë në moshën 94-vjeçare.

Trump bëri një deklaratë më pak se një orë, duke njoftuar se Shtëpia e Bardhë do të ulte flamurin amerikan në gjysmë shtizë. “Melania dhe unë i bashkohemi kombit që po vuan sot humbjen e ish-Presidentit. Me një origjinalitet thelbësor, grintë dhe devotshmëri për vendin e familjen e tij, Presidenti Bush ka frymëzuar breza të tërë,” tha Trump.

Ndërsa Barack Obama vizitoi rezidencën e George HW Bush më herët këtë javë, dhe sot u shpreh se “vendi humbi një patrioit dhe shërbëtor të përulur”. “Trashëgimia e shërbimit të tij, do të mbetet gjithmonë mes amerikanëve. Ngushëllimet tona shkojnë për të gjithë familjen Bush sot dhe të gjithë ata që u inspiruan nga shembulli i George e Barbara”.