Nga Eugent Kllapi/
Në datën 18 janar në Teatrit Eksperimental ‘’Kujtim Spahivogli’’ në Sallën Gothe do të shfaqet ‘’Artisti i vetëm’’. Kjo vepër ka për autor Ralph Hammerthaler dhe do të realizohet nga aktori Naim Berisha. Regjia e veprës vjen nga Naim Berisha dhe Shkëlqim Bunjaku, skenografia po nga Naim Berisha, me Kostume të Shkëlqim Bunjakut, toni i Përparim Namani dhe Dizajni i dritave të Gëzim Hysenit.
Shfaqja është një dramë që në qendër të saj ka vetëm një artist, por në vetvete ka shumë drama, dramën e vetvetes, dramën e tjetrit, dramën e shoqërisë, dramën e harresës dhe dramën e zhbërjes së vlerave dhe të kulturës së vërtetë, si dhe sikur përbashkohet me dramën e teatrit ”Kujtim Spahivogli” për ndërtesën e saj.
Është vetëm një aktor, Hanz Klip në retrospektivë, por shpreh një psikologji individuale për ekzistencializëm sa dhe një psikolgji të tërë shoqërore. Dramën e një vlere të humbur për hise të antivlerave që duan me forcë dhe dhunë të bëhen vlera, në një shoqëri imazhesh, shoqëri indiference, shoqëri e tëhuajtur nga vetvetja. Aty ku e kundërta zë vendin tjetrës ka paradokse, absurde dhe drama të mëdha. Kjo ndodh në çdo komb dhe njeh vetëm një ligjësi, të vërtetën. Është një tragjedi e ‘’unit’’ kundrejt shumë ‘’unëve’’ që vetëm një gjë nuk po duan, vlerën.
Po si mund të përcillet një rol i një artisti brenda artistit të vërtetë në monodramë?
Ajo është drama më e përhershme e artstit. Artistët e njohin mirë vetveten, ndonjëherë duan të dëshpërohen që të rikthehen te dramat e vetvetes dhe të harrojnë dramat e tjera të roleve në vazhdim.
Sepse ata e kanë mësuar të vërtetën tashmë, ata e dinë se ç’është drama, nuk mundet dot të dalin jashtë saj kur e mësojnë, ndryshe shoqëria që endet duke u kënaqur në ato të vërteta iluzionare. Artisti është analizuesi më i hershëm që me lindjen e dramave, ai qep karakteret më të vështira njerëzore, e jo më mos të njohë dramën e vetvetes.
Janë dy botë të kundërta ku protesta e artistit zhvillohet duke u futur në këtë botë të tërë shoqërore dhe duke iu treguar çfarë duhet të jetë e vërteta. Ai që thotë të vërtetën gjithmonë është i urryer nga masa, dhe i dëshiruar në brezat në vazhdim, kurse Hanz Klip të luajtur nga Naim Berisha, ‘aktori i madh’, përballet me të tanishmen dhe i dëshpëruar. Sepse madhështia vjen te ai te ndjesorja, te shija, te vlera, te komunikimi, tek raporti i vetes me publikun e harruar.
Artisti është çka publiku do në magjinë e tij, kjo magji tashmë nuk ndodhet më brenda vetes, këtë ai e kupton si buka që ha dhe si ajri që thith, kjo dramë thur tragjedi. Edhe jeta e shoqërisë është dramë në qoftë se janë nën sjelljen e dhunës, në forcën e një shoqërie që nuk i do artistët por i tall apo i mënjanon me dhunë.
Në këtë kuptim drama sillet si fantazmë në çdo qenie njerëzore që do ta kompesojë këtë me kënaqje të fabrikuara, me vlera të tëhuajtura nga sipërfaqësoriteti.
”Nga dhuna nuk mund të lindë gjë tjetër përveçse dhunë”.
Shoqëria që është bërë për të qarë hallin, ka dramat e saj që nuk i kupton dhe sillet duke urryer dhe dashuruar vlera të tjera sipërfaqësore, shije bajate, shabllone dhe jo dramën e vërtetë ku duhet të kuptojë veten, aty te artistët e mëdhenj, aty ku jepet kuptimi i domethënieve të jetës së personazheve ku janë vetë ata, jeta e tyre. Për shoqërinë me antivlera, një artist i madh bie në humnerë, me mijëra lulëzojnë.
Dihotomia e artistëve me publikun fillon e ngjizet fort për një debat të madh, porse në dhunë ngelet vetëm artisti i dëshpëruar që qan brengat e madhështisë së tij të harruar. Forca e shprehisë ngelet vetëm monologu, ai flet asnjë nuk dëgjon.
Drama më e madhe e artistëve është të jetë i urryer, përkundër asaj që duhet të jetë i adhuruar. Në lavjerësin e pashmangshëm të urrejtjes dhe dashurisë ai endet për të marrë atë që meriton dhe atë që gjen.
Drama “Artisti i vetem’’, trajton brengën e brendëshme të këtij artisti të madh, në situata të skajshme jetësore dhe ekzistenciale. Ekzistenca e tij varet vetëm prej artit, ai ‘’proteston sepse duhet që të ekzistojë’’ njësoj si shkrimtari Kamy, por sepse dhuna nuk njeh protestë, ajo përveçse mund të shtypë me forcë fizike mund të anashkalojë vlera të vërteta artistike, mund t’i dhunojë edhe ato.
Këtë dramë shfaq Hans Klip, zgjat gjatë prezentimit të tij të fundit para publikut të tij. Ai zgjedh rrëfimin monolog për t’i dhënë forcë lëngimit të tij, momenteve kulminante që ka kaluar në retrospektivë dhe dramën e tanishme. Por sepse të gjithë janë në një monolog ku të gjithë nuk dëgjojnë.
Në fund të monologut të tij Hans Klip ndjek rrugën e pakthyeshme të dëshpërimit, ai është i mënjanuar nga një botë që pret duartokitjet e tij, është i harruar nga ato vlera që ai ka ndjekur gjithmonë si ideal, është indiferent në sytë e një publiku që nuk do ta shohë, ai është i përjashtuar. Kjo sjell dhe tragjedinë e tij.
Mesazhi i veprës vjen i fortë në këtë shfaqje për t’u rikthyer tek vlerat e vërteta kulturore, për t’u larguar sipërfaqësores, te shijet bajate te fabrikimi i ideve dhe shijeve sipas njeriut automat, njeriut që ndjen nevojën ta kojnë sipas shijeve të fabrikuara.
Vepra e tij bën apel për shoqërinë e spektkalit, ashtu si dikur një filozof francez Gi dë Borg ngrinte fort mesazhin e tij për një shoqëri të zbehtë që nuk do t’ia dijë për vlerat e vërteta teatrore, por për shije të ardhur nga një mekanizëm që fal zbrazëti dhe shoqëri të spektaklizuar nën efektin e mirazhit, nën ombrellën e shumë kënaqësie të dëshpëruar.
Vepra bën thirrje të fortë për një protestë të gjithkohshme, të ngritjes së vlerave të vërteta kundrejt antivlerave, në një kohë kur antivlera është e kultivuar aq shumë si vlerë.
Për analogji drama e kësaj shfaqje çuditërisht shfaqet në dramën e vetë Teatrit Eksperimental ”Kujtim Spahivogli”, i cili po ashtu vuan nga kjo dramë për pak vëmendje të vërtetë. Një përjetim i Naim Berishës brenda dramës së Hanz Klip në një dramë të pashuar të teatrit. Drama që mblidhen në të njëjtin vend e duan zjgidhje. E çfarë do të dëshironte më shumë Naim Berisha!
Mesazhi i artistit brenda botës së një tjetër artisti të madh si Hans Klip të harruar është vetë harresa, indiferenca që vret shumë më tepër sesa njerëz, vret shoqëri, vret kombe ngadalë por në mënyrë të sigurt. Protesta e artistit të vetëm vlen, sepse është në gjendje të ‘’protestojë, prandaj do të ekzistojë!’’. Atje ku artisti vdes qytetërimi zbret pafundësisht pakthyeshëm në fundin e humnerës.
Shikoni artin, ai vret bindshëm dhe fort indiferencën, andej nga vijnë gjithë humbjet e shoqërive njerëzore. Shkoni në Teatër, aty është vendi ku duhet kuptuar drama e vetvetes.
Vepra në mesazhin e saj, bënë thirrje për kthimin e vlerave kulturore, në një shoqëri që është zhveshur dhe zhvyshkur nga vlerat e mirëfillta dhe paraqet protestën më sublime kundër antivleres. Ajo është më aktuale se kurrë, protesë dhe ndaj nesh, edhe ne kemi indiferencat tona brenda interesit e ngushtësisë tonë, ajo është realitet.
Hyrja është e lirë!