Shqipëria ka eksportuar rreth 32.8 miliardë lekë ose 262 milionë euro produkte bujqësore për vitin 2018.
Sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, eksportet bujqësore janë rritur me rreth 20 milionë euro krahasuar me një vit më parë.
Nga të katër grupet që përbëjnë hartën e eksporteve, bujqësia renditet në vendin e parë, me rreth 14.3 miliardë lekë me një rritje modeste prej 700 milonë lekësh. Ndërkohë vendin e dytë e mbajnë produktet agroindustriale, ku gjatë vitit 2018 eksportet kanë arritur në në rreth 13.4 miliardë lekë.
Po ashtu, ecuri pozitive ka pasur edhe sektori i peshkimit, ku janë eksportuar rreth 5,2 miliardë lekë produkte. Ndërsa, sektori i blegtorisë në total ka rezultuar në rënie me 31 milionë lekë krahasuar me 2017-ën dhe eksportet janë regjistruar në vlerën e 863 milionë lekëve.
Sa i takon importeve, vitin e kaluar ato kanë pësuar një rënie të lehtë, duke u regjistruar në vlerën e 111.7 miliardë lekëve. Defiçiti tregtar në këtë sektor llogaritet në rreth 78.9 mld lekë ose 631 milionë euro.