MENU
klinika

Analizë Kulturore

Kur Franca fliste nga zemra e Hygoit

22.01.2019 - 10:53

Ai është një nga autorët më të dashur për shqiptarët dhe më të vlerësuarit në rang botëror. Humanisti i madh Viktor Hygo (1802-1885) lindi atëherë kur duhej të lindte dhe të shkruante dramat e mëdha të njerëzimit, vuajtjen, mizerjen, trishtimin, lëngatën, thjeshtësinë dhe njeriun në unicitetin e vet kur duhet të shkruheshin.

Shkrimtari që hyjnizoi të mjerën dhe lartësoi të thjeshtën, ai që talli butaforiken të një shpirti gur që quhej njeri. Ky njeri, sa qenie madhështore, dhe fundore në shpirtin e Kozetës, a Gavroshit. Një nga veprat më interesante të tij është libri ‘’Njeriu që qesh’’.

Një reflektim të kësaj vepre që projektohet me zhvillime paralele që në hyrje të njerëzimit e deri te ditët sot na e sjell një shkrimtare e re e quajtur Armenida Jolldashi.
Ajo hedh dorashkën e kuptimit të dialektikës së vetë njeriut nëpërmjet dy të kundërtave të tij, midis vlerave njerëzore dhe qenies kafshërore. Midis instiktit dhe arsyes, midis të ndërgjegjshmes dhe të pandërgjegjshmes, në fund të fundit midis njeriut që fle brenda, apo ujkut që zgjohet pareshtur. Fare mirë sjell ironinë e fortë të Hygoit madhështor dhe të pararendësve të tij që ulërasin edhe për kohën sot.

Ekskluzivisht për Konica.al Armenida Qyqja Jolldashi jep një relfektim të saj veprën e Hygoit ”Njeriu që qesh”. Janë po të njëjtat situata për kohën sot, pasi disa vlera te njeriu janë universale. Çfarë përshkruan ajo në këtë analizë? Një reflektim të plotë po ua sjellim në vazhdim:

Nga Armenida Qyqja Jolldashi

‘’Njeriu që qesh i Viktor Hygoit, zë njeri apo ujk?!’’

“Njeriu që qesh”, një roman i Viktor Hygoit i shkruar në vetëm pesëmbedhjet muaj, ndërkohë që ishte i dëbuar nga mbreti i Francës në ishujt e Chanelit për shkak të ideve të tij politike të pasqyruar në veprat e tij të mëparshme.

Shkrimtar të dënuar me dëbim! Sindromë e të gjitha kohërave kjo, frika nga penat, nga arti, magjia e shprehjes se tij! Që nga lashtësia vijnë e zgjasin gotat me helm Sokrati e Aristoteli, shtyllat e filozofisë.
Dante na la pas “Komedinë Hyjnore” me paralelizmat e jetës së tij në përndjekje, i dëbuar nga Firenze, dëbim që zgjati tërë jetën. Të tjerë shkrimtarë e artistë nga kohët tona të tjera histori tregojnë.

Por a ishte ky ndëshkim i mjafueshëm që Hygoi të hiqte dore nga pasqyrimi i së vërtetës ose së paku le të themi pasqyrimi i lirë i mendimeve të tij? Aspak! Ai nuk është reformuar a trembur aspak! Ai e hap këtë vepër që kishte ndërmend t’a botonte me titullin ‘’Me Urdhër Te Mbretit’’, me ironin therese të ndërrimit të emrave, ku ujku quhet ‘Homo’, njeri në latinisht dhe njeriu quhet ‘Ursus’, ujk në latinisht.

Që në fillim Hygo kërkon të luajë me këtë ndërrim rolesh, të shtrojë skemën e të treguarit, të vërtetës nëpërmjet ironive. Dhe të vërtertat e ironitë vazhdojnë radhazi që me shëmtimin e dhunshëm e të përjetshëm të fytyrës së një fëmije vetëm për t’a përdorur si mjet fitimi, shpëtimin e një foshnje nga ngrirja në stuhinë e borës, që i ka marr jetën nënës së saj.

Shpëtimi i një foshnje nga një fëmijë i mbetur rrugëve, pa strehë, i vetëm në mes të stuhisë së borës. A nuk do ishte më e lehtë t’a linte aty dhe të mendonte vetëm për veten?

A nuk u gjend asnjeri nëpër ato udhë t’i shihte ato dy figura pashpresë duke ngrirë jashtë në mes të borës?
Ndoshta bota ishte e verbër, ndoshta shurdhe. Dhe vijnë keto dy fëmijë tek ‘Ursus’, një shitës karnavalesh shëtitës, që s’ka asgjë veç karrocës së tij dhe ujkun që e quan Njeri. A nuk është ironi e fatit verbëria e Deas, një qënie jo vetëm e bukur fizikisht por edhe shpirtërisht?

Dea duke qenë e verbër nuk e sheh shëmtin e Guinpleit. Ajo mendon se ai thjeshtë është gjithnjë i lumtur dhe buzëqesh. Dea dhe Guinplen u rritën bashkë, të pandarë dhe ajo e sheh atë me sytë e shpirtit, sheh thellë brenda tij.

Verbëri e saj sheh atë që nuk sheh ajo botë që sytë i ka në rregull, por qesh e argëtohet me shëmtinë e tij, me atë buzëqeshje groteske të gdhendur në fytyrën e tij.
Ja, pikërisht aty godet Hygoi dhe i tregon botës se sa e verbër është ajo vete, që nuk i përdor sytë që ka në ballë, por i mban mbyllur. Na tregon sa dritë ka në shpirtin e një vajzë të verbër dhe sa errësirë ka në sytë, në shpirtin e botës.

Janë këto të vërteta që mbarten nga epoka në epokë që e bëjnë këtë vepër të pavdekshme. Kohët ecin, evulojnë nga karrocat në avion, raketa, por thelbi i qenies njerëzore mbetet po ai. Kompleks.

Me të verbër që shohin me sytë e shpirtit dhe rrezatojnë kaq shumë mirësi e dritë dhe sy që bëjnë dritë vetëm për vete. Të shohesh me sytë e shpirtit! Ironitë që nisen që në hapje vazhdojnë.

A janë njerëzit njerëz, apo janë ujqër? Si rrjedhojë e një loje të ulët në kurriz të Xhosianës, vajzës së paligjshme të mbretit James ll, zbulohet dhe identiteti i vërtet i Guinplenit, djalë i rivalit të mbretit, markezit të Korleones.

Nje mbret që urdhëron grabitjen e një fëmije e që më pas e shet tek kriminelët që masakrojnë, shpërfytyrojnë fëmijët për qëllime fitimi.
Ja kaq ulet bie një mbret! Koka e shtetit! Një ujk i uritur për pushtet. “ Parajsa e të pasurve ngrihet nga ferri i të varfërve”

Ja ku i kishte faktet, provat, tek duart e përlyera të një mbreti në krime: në rrëmbime, masakrime, syrgjynosje. Në varfërinë e një shtrese viktimë.
Rendin shekujt, por a nuk po na bien të njëjtat këmbana brenda vetes? A nuk kemi mbetur po të njëjtit ujqër me luftëra për pushtet, me thikat pas shpine, vrasje, eleminime, skandale?

E ku më shumë se ku, ky realitet i Viktor Hygoit i përngjet më shumë një realiteti aktual? I mbetet lexuesve të gjejnë paralelizmat, mjaft të mbajnë sytë hapur.
Sa për Guinplenin e gjorë ai pati vetem një marramendje të shkurtër nga shkëlqimi i asaj bote fallse. I papërkrahur si markez, i tallur nga lordat në fjalimin e tij ai e kuptoi që kishte hyrë mu në mes së kopesë së ujqërve. Ai e kuptoi se cilës bote i përkiste, vetëm se ishte vonë.

Dea nuk e përballoi dot ikjen e tij dhe me pas ai të saj. Një fund tragjik dëshmitarë të të cilit ishte Ujku dhe Njeriu. Ujku dhe Njeriu. Cili mban cilin brenda? Kush është më i forti?! Aty qëndron tërë thelbi! Të gjithë e kemi një ujk të vjetër brenda.

Puna ështe që, na zotëron ne ai, apo ne atë! “ Ai që nuk është zot i mendimeve të tij, nuk është përgjegjës për veprimet e tij” Një ndër rreshtat domethënës në këtë libër.
Sipas legjendës ishte një ulkonjë që me gjirin e vet ushqeu dy foshnja të braktisura, Romus e Remulus, dy vëllezërit që ndërtuan Romën. Dhe ulkonja vetë dëgjoi një instikt maternal dhe jo vetëm që nuk i hëngri, por i ushqeu, i mbrojti, i birësoi.
Ulkonja u bë njerëz e ngriti Romën, Roma mbajti ulkonjën brenda vetes, që në kohën kur u lind.

Mediat thanë: Turp për njerëzimin

Dhe sa herë të tjera duhet të vdes
Në gjak i mbuluar i helmuar, përndjekur,
debuar detrash pa anë i mbytur?
Dhe sa herë vdekje makabre do të pres?
Brigjeve ndërrohet me kot lëkura ime
Nën të jam po ai. I masakruar, i tmerruar, i vdekur.
Dhe lajmet, gazetat, internetrat
Për vdekjen time do të buçasin.
Ja ashtu here pas here
Si punë e bubullimave.
Po bota do të vazhdoje
Të qesh, dëfreje, jetojë…
Në libra historie do të shkruaj numra njerezish, data…..
Dhe vrasësit do të ndryshojnë Emra, kombësi, pretekse
Dhe une… une do të vdes përsëri
Mes bombash, helmesh, dallgësh i ri, i vjeter, grua, femijë.
Në djallë! I kërkova dy fjalë heshtjes
Përkufizim t’i vinin buzëve të brengës
Që shqyhet si hon të më thithë,
Anë me anë, cep më cep të shpirtit.
Dy fjalë i kërkova
Në vend të miljona pse-ve.
S’më dha asnjë. Veç ironi therëse, heshtje.
E mallkova atë,
Telefonin, kompjuterin
Ketë shekull të zhurmshëm
Rrëmpallën mashtruese. Tra la….lala tra..
Një miljon tra la la të shumëzuara me zero.
Zhurme shurdhuese
Dhe një heshtje korb të zezë.
Në djall vafshin të gjitha tra la la-të
Dhe heshtja që lajm s’më sjell
Në djall le të shkoj!
Mbi varr le të më rrij si epitaf po të dojë!

Armenida Qyqja Jolldashi lindi në Tiranë në vitin 1977. Që në fëmijëri është dalluar për një shpirt reflektues dhe shumë krijues.
Në vitin 1995 ajo u largua nga Shqipëria duke i lënë përgjysëm studimet e shkollës së mesme dhe duke i përfunduar ato në Vankuver, Kanada dhe më pas vazhdoi studimet e larta për stomatologji. Është e martuar me dy fëmijë.

Gjithmonë e dhënë pas letërsisë ajo e vazhdoi pasionin e saj dhe thirrjes së së brendshmes për të shkruar. ‘’Përtej kangjellave të shiut’’ është libri i parë i saj me poezi dhe është në pritje të një libri të dytë së shpejti. Ka qenë aktive dhe në disa media të ndryshme ku herë pas here ka hedhur essete e saj si reflektim i kohës dhe i situatave në Shqipëri. Së fundmi vazhdon një projekt të saj për t’i përmbledhur të gjitha esetë në një libër të tretë, gjë që punon edhe më fort kur ajo ka kohën e lirë dhe pasionin për të shkruar që nuk i humbet kurrë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB