MENU
klinika

99-vjetori

Lindi për të aktruar e vdiq duke aktruar!

06.01.2019 - 18:38

Sandër Prosi u lind në Shkodër më 6 janar 1920. Familja e tij u shpërngul drejt Tiranës kur qe katërmbëdhjetë vjeç, atje mbaroi shkollën fillore dhe vazhdoi Gjimnazin e Tiranës.

Drama e parë në të cilën merr pjesë është “Vilhelm Teli”. Me bursë shtetërore shkoi për studime në Austri për stomatologji, të cilat nuk i mbaroi.

Më 1947 merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjerë dhe e larmishme artistike.

Ky aktor krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si A.Z. Çajupi, K. Jakova, B. Levonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj.

Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë sonë.

Përvoja që ky aktor krijoi dhe përpunoi gjatë këtyre 35 vjetëve në krijimin e më se 100 roleve, bashkë me përvojën e aktorëve të tjerë të këtyre përmasave, përbëjnë atë “Universitet” nga lindi e u zhvillua shkolla jonë kombëtare e interpretimit skenik e filmik, prandaj tiparet karakterizuese të artit të Sandër Prosit kanë tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të shikuesve.

Krijimet e Sandër Prosit zbulojnë jo vetëm vlerat e artit të aktorit në ekran, por edhe mjeshtërinë e tij të lartë skenike. Ato janë studiuar e do të vazhdojnë të zbërthehen më tej, mbasi janë të pasura me vlera të mëdha kombëtare.

Si të tilla zënë një vend të rëndësishëm në ndihmesën që teatri dhe filmi ynë japin në thesarin tonë të kulturës përparimtare si dhe në atë të nivelit botëror të interpretimit.

Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera.

Në 25-vjetorin e vdekjes së aktorit Sandër Prosi, Presidenti i Republikës e nderon me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Në 24 shkurt 2017, aktori Sandër Prosi u nderua me urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” pas vdekjes.

Për herë të parë interpretoi në vitin 1948 në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës në rolin e Shaqir Agës. Luajti përkrah Mihal Popit, Loro Kovaçit, Marie Logorecit. Më pas vazhdoi me role të tjera nga dramaturgjia kombëtare dhe botërore.

Në teatër ka interpretuar tek “Cuca e maleve”, “Hamleti”, “Otello”, “Makbethi”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “14 vjeç dhëndër”, etj.

Pas vitit 1961, rolet e tjera i takojnë kinematografisë në filmat “Debatik”, “Detyrë e posaçme” (1963), “Horizonte të hapura” (1968), “Plagë të vjetra” (1968), “Guximtarët” (1970), “Gjurma” (1970), “I teti në Bronz” (1970), “Mëngjese lufte” (1971), “Yjet e netëve të gjata” (1972), “Shtigje lufte” (1973), “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1975), “Në fillim të verës” (1976), “Përballimi” (1976), “Fijet që priten” (1977), “Njeriu me top” (1977), “Gjeneral Gramafoni” (1978), “Udha e shkronjave” (1979), “Yje mbi Drin” (1979), “Vajzat me kordele të kuqe” (1980), “Plumba perandorit” (1980), “Plaku dhe hasmi” (1981), “Qortimet e vjeshtës” (1981), “Nëntori i dytë” (1982), “Dora e ngrohtë” (1983), “Kush vdes në këmbë” (1984) dhe “Pranverë e hidhur”, filmi i regjisorit Muharrem Fejzo që ai la në mes.

Më 25 mars 1985, Sandër Prosi ndahet nga jeta ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB