Me nismën e Kryetarit të LDE, Arian Galdini dhe Kryetarit të Ballit Kombëtar Demokrat z. Artur Roshi janë mbledhur ditën e sotme në një Tryezë pune disa parti joparlamentare të djathta dhe të qendrës së djathtë të cilat i përkasin Koalicionit Opozitar të kryesuar nga Partia Demokratike.
Këto parti të djathta dhe të qendrës së djathtë diskutuan mbi aktualitetin dhe zhvillimet politike në vend dhe mbi rrugët e alternativat e vijimësisë së tyre politike.
Deklarata e plotë e dalë nga këto:
Deklaratë e Partive Joparlamentare të së Djathtës dhe Qendrës së Djathtë
Sapo kemi lënë pas një vit me problematika dhe dinamika të mëdha ndarëse dhe dekurajuese për shoqërinë shqiptare për shkak të keqqeverisjes së Rilindjes.
2018 erdhi si një dhjetë vjetor i ligësht i krimit më të madh që i është bërë demokracisë dhe lirisë në Shqipëri nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të këtij Kodi Obskurantist Elektoral që kemi ende në fuqi.
Dy binarët e ndryshuar në 2008, Kushtetuta dhe Kodi Elektoral, e kthyen pas trenin e demokracisë dhe lirisë në vendin tonë duke marë peng të gjithë shoqërinë dhe çdo qytetar e institucion shqiptar.
Prej 18 shkurtit të vitit 2017 e deri në 17 – 18 majin e po atij viti, ne Partitë e së Djathtës dhe Qendrës së Djathtë i besuam dhe i qëndruam besnikë në ÇADRËN E LIRISË, Partisë Demokratike, jo thjesht pse ishim në Koalicion me të, por sepse na u premtua që ajo betejë ishte për zgjedhje të lira dhe të barabarta si edhe për ndryshime rrënjësore dhe thellësisht përmbajtësore pro lirisë dhe pro konkurencës së ndershme dhe të barabartë, në Kodin Zgjedhor.
Por kaloi edhe 2017, edhe 2018, e ne sapo kemi hyrë në vitin 2019 kur zgjedhjet lokale janë në prag.
Asgjë nuk ka ndryshuar dhe sipas nesh ky është një gong për të gjithë Shqiptarët sepse kur zgjedhjet janë në rrezik, liria është në rrezik, e ardhmja europiane e shqiptarëve është në rrezik.
Ne gjykojmë se agresiviteti dhe arroganca e së majtës të kapsuluar si Rilindje, vijnë si rezultat i mosllogaridhënies së tyre ndaj qytetarëve dhe si rezultat i zhvleftësimit të qytetarëve sepse votat e tyre gjithësesi vidhen ose blihen ose tjetërsohen.
Prandaj Qeveria e Majtë e Rilindjes i ka shpallur luftë Teatrit Kombëtar, i ka shpallur luftë banorëve të Astirit, të Bregut të Lumit e ngado, ka nisur transaksionin e ofertave dhe disgregimit të protestës studentore, e kështu me rradhë, sepse gjithçka do Edi Rama, është që të hyjë në zgjedhjet e qershorit me këtë Kod e ti akaparojë zgjedhjet me krim, oligarkë, manipulime e maskaradë zgjedhore.
Prandaj ne Partitë e së Djathtës dhe Qendrës së Djathtë i bëjmë thirrje Koalicionit Opozitar, Partisë Demokratike para së gjithash, që ta kthejnë betejën për një Kod të ri Zgjedhor në një betejë për lirinë dhe për rithemelimin e demokracisë në Shqipëri.
Gjithashtu propozimi ynë është që ne Partitë e së Djathtës dhe Qendrës së Djathtë tu bashkohemi e ti bashkojmë të gjitha grupet e interesit dhe komunitetet që po përballen me agresionin e së Majtës në Qeveri.
Tu bashkohemi pronarëve (ish-pronarë i quan e majta) të cilët ende nuk i kanë marë pronat e tyre dhe që ligji i ri i Rilindjes ua rivjedh përsëri.
Tu bashkohemi ish të përndjekurve politikë, të cilëve Qeveria Rama ua ka shndërruar këstet e shpërblimit në stacione shitblerjeje dhe cënimi të dinjitetit të tyre.
Tu bashkohemi heronjve të Aleancës për Teatrin, të cilët prej muajsh e muajsh po rezistojnë në mënyrë të pashoqe për ta mbrojtur godinën e Teatrit Kombëtar.
Tu bashkohemi studentëve duke u dhënë alternativën tonë sesi kauza e tyre mund të e duhet të shndërrohet në njê kauzë me vlerë të lartë publike për vetë Edukimin dhe Arsimin në Shqipëri por edhe për të gjithë shoqërinë shqiptare.
Tu bashkohemi banorëve të Astirit, Bregut të Lumit, etj, duke vlerësuar dhe mbështetur kauzën e tyre për kompensim të drejtë sipas tregut.
Tu bashkohemi bizneseve të vogla e të mesme, sepse ata janë mrekullia e ekonomisë shqiptare.
Ne jemi parti probiznes dhe properëndimore.
Ne jemi Parti që deklarohemi vendosmërisht se 3 prioritetet e Shoqërisë dhe Politikës shqiptare sot janë:
1. Reforma Zgjedhore dhe një Kod i ri Zgjedhor që çliron zgjedhjet dhe hap rrugën përfundimisht për themelimin e zgjedhjeve të para vërtetësisht të lira dhe të barabarta në historinë 106 vjeçare të shtetit shqiptar.
2. Mbështetjen pa asnjë rezervë dhe me vetëdijen e fuqinë e plotë politike të partive tona të Projektit që SHBA dhe BE kanë me Reformën në Drejtësi. Ne jemi besimplotë në qëllimet dhe planin e SHBA dhe BE për Reformën në Drejtësi.
3. Mbështesim fuqishëm Hapjen e Negociatave të BE me Shqipërinë në muajin qershor.
Për përmbushjen e këtyre objektivave propozimi ynë bashkues për këdo që është përballë Rilindjes apo nën agresionin e Qeverisë së Rilindjes është ky:
1. Nga qëndrimi Jodialog me Kryeministrin Rama, të kalohet në qëndrimin Qeveria Rama Nongrata.
2. Duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Rama, ne gjithashtu propozojmë që në dakordësi mes të gjitha palëve politike parlamentare dhe joparlamentare, së bashku me Partnerët tanë Ndërkombëtarë SHBA dhe BE të krijohet një Qeveri e Integritetit me akademikë dhe njerëz me pastërti morale, profesionale, të papërlyer, të cilët nuk do të vendosen nga politika por nga një Komision AdHoc me Akademikë, Diplomatë Ndërkombëtarë dhe Përfaqësues nga Komisioni Europian dhe SHBA. Ky Komision AdHoc do tu bëjë edhe vettingun njerëzve që do të propozohen për në Qeverinë e Integritetit. Në Qeverinë e Integritetit janë të mirëpritur të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe të zotë të Diasporës që janë të gatshëm të kthehen për ti shërbyer vendit.
3. Dialogu i grupeve të interesit nis vetëm me Qeverinë e Integritetit.
4. Qeveria e Integritetit të ketë mandat 1 ose 2 vjeçar për të kryer disa Reforma madhore që do ti hapin rrugën zhvillimit dhe integrimit europian të Shqipërisë, nga Reforma Elektorale deri tej Arsimi, Pronat, Shëndetësia e Drejtësia, etj. dhe Etikë.
Më tej pas mbledhjes, kreu i LDE-së Galdini, shkruan:
“Një përvojë për mos tu harruar kurrë.
Miq,
A doni ta kuptoni të vërtetën në këtë vend?
Ja ku po jua shpjegoj.
Sot, kam përjetuar Gestapon Mediatike shqiptare.
Mallkimi i Shqipërisë janë mediat shqiptare, Televizionet, gazetarët, analistët tanë.
Organizuam sot një Tryezë me së paku 8 parti opozitare joparlamentare të së djathtës dhe qendrës së djathtë.
Kishte edhe shumë përfaqësues civilë dhe të grupeve të interesit.
Tryeza ishte me vlerë të vyer për demokracinë shqiptare dhe me interes për publikun sepse njerêz publikë dhe parti politike kumtuan mesazhe dhe morën vendime.
Unë vetë personalisht, kam njoftuar absolutisht çdo media e gazetë, portal e radio. Gjithëkënd.
Dhe a e dini sesa TV e media kishim në aktivitetin tonë për të pasqyruar Tryezën tonë?
Asnjë.
Absolutisht asnjë.
Unë e kuptoj kur nuk vijnë dot të gjitha, pra vijnë vetëm disa.
Kuptoj edhe kur vjen vetëm 1 TV apo media…
Por asnjë, absolutisht asnjë media, këtë nuk e kuptoj dot.
Pra, të TVtë e majta dhe mediat e majta i kuptoj se i ndalon Qeveria e nuk kanë interes.
Por ato pak media opozitare, kush i ndalon?
Asnjë media. Asnjë.
Kini parasysh se mediat i kam njoftuar personalisht unë Arian Galdini, person publik dhe Kryetar Partie.
Kini parasysh se mediat i ka njoftuar edhe Artur Roshi, person publik dhe Kryetar Partie.
Dhe asnjë media, absolutisht asnjë nuk erdhi.
Rrofshin mediat sociale, facebook, youtube, etj.
Sepse TV dhe mediat në Shqipëri janë turp dhe turp dhe turp i pafundëm.
Falenderoj vetëm Standart, Koha Jonë, CNA dhe Artur Nura që si portale na kanë pasqyruar.
Turp për çdo TV shqiptar.
Ku është ai TV gjoja i lirë opozitar Fax News? Ku?
Ku janë Ora News, News 24, Ku? Po Report TV, po A2?
Apo duan pagesa apo urdhëra?
Turp të kenë.
Pikë.
Janë thjesht pjesë e fëlliqësisë që mban llumin e këtij sistemi gjallë.
Duhen shkallmuar bashkë me Sistemin.
Kur të shihni TV sot apo lexoni gazetat nesër, kujtohuni miq se një Tryezë me Parti Politike të Djathta është mbledhur.
Por e dini pse nuk e shihni dot në TV apo nuk e lexoni dot në gazeta?
Sepse është Tryezë me të vërtetë e lirë, e njerëzve të lirë.
Ja pse nuk më shihni mua më në TV.
Ja pse nuk shihni askënd të lirë më në TV…
Sepse të gjitha mediat, absolutisht të gjitha janë me pagesë apo nën urdhërat e llumit politik majtas e djathtas.
Kaq.
ps: Jam i lumtur që jam i lirë. Jam i lumtur që nuk bëj lajm në mediat llum që i shërbejnë llumit.”