MENU
klinika

Shifrat sipas INSTAT

Rritet konsumi/ BSH: Në 2018 turistët sollën 1.47 miliardë euro

31.01.2019 - 09:34

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara në INSTAT, konsumi i popullatës ka pësuar rritjen më të lartë në 3 vite.

Sipas INSTAT kjo rritje në vitin 2018, vjen si efekt i rritjes së ndjeshme të numrit të turistëve që vizitojnë vendin.

Në të dhënat e publikuara në tremujorin e tretë konsumi i popullatës është rritur 4%, niveli më i lartë ky që prej tremujorit të dytë të 2016.

Në vitin 2015, konsumi pësoi luhajtje të mëdha si rezultat i ngadalësimit të aktivitetit ekonomik.

Në vitin 2018, nga gjallërimi i turizmit në vend, edhe blerjet u bënë më të qëndrueshme. Kjo pasi turistët që vizituan vendin kanë shpenzuar për hotele, ushqime, udhëtime, argëtim dhe suvenire të ndryshme vendase.

Gjithashtu INSTAT ka publikuar edhe numrin e vizitorëve të huaj që zgjodhën Shqipërinë, i cili ishte rritur me rreth 16% në 2018.

Pra vetëm në 2018 janë 5.6 milion të huaj që kanë vizituar vendin për pushime.

Kujtojmë që në 2017, në vend për të pushuar erdhën rreth 4.6 milionë turistë të huaj.

Pas INSTAT edhe Banka e Shqipërisë ka bërë një bilanc të të ardhurave që kanë ardhur në vend nga turistët e huaj.

Sipas BSSH-së, vetëm në periudhën janar-shtator të 2018 të niveli i të ardhurave nga të huajt është rritur me 12% nga viti i kaluar, duke shkuar në vend 1.47 miliardë euro.

Një shumë kjo që ka shënuar nivelin më të lartë rekord të regjistruar ndonjëherë.

Në kulmin e sezonit turistik, që i bie në 3 mujorin e tretë të 2018, turistët e huaj kanë shpenzuar 863 milionë euro në vendin tonë.

Furnizuesi kryesor i turizmit në vend është Kosova, numri i të cilëve u rrit me 19%vmë shumë nga viti i kaluar, duke shkuar në 1 milionë shqiptarë të Kosovës që erdhën dhe pushuan në Shqipëri.

Grupi i dytë më i madh i turistëve që vijnë në Shqipëri janë shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, ku numërohen për këtë vit rreth 680 mijë vizitorë.

Pas Maqedonisë rënditen Itali, Greqia dhe Mali i Zi.

Në 2018, numri i turistëve nga Polonia është rritur me 34.2% në krahasim me një vit më parë. Në total për këtë vit vendin e vizituan 153,7 mijë polakë.