Shfaqja “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve” nga Ken Ludwig, është produksioni më i fundit i teatrit Metropol i cili do të rikthehet si premierë ekskluzive për publikun e Tiranës prej datës 17 Janar në sallën Shekspir të Metropolit.
Me regji dhe përkthim nga Shkëlzen Berisha dhe lojën e aktorëve: Amri Hasanlliu; Ermir Hoxhaj; Klodjana Keco; Mirela Naska; Roerd Toçe, Rozi Kostani. Në këtë shfaqje disa prej aktorëve luajnë dy deri në trembëdhjetë karaktere.
Langoi i Baskervillëve bashkon dy zhanre letrare popullore: përrallën gotike dhe trillin e letërsisë detektive, duke mbajtur kështu kureshtjen e publikut të ngacmuar nga suspanca për të lidhur fijet e ngjarjeve dhe shijuar në maksimum proçesin e zbulimit.
Shfaqja është një spektakël dinamik, plot ngjyra dhe gjallëri, plot energji që shpërthen nga ironia e situatave, në të cilat pritshmëria dhe realiteti janë në kundërshtim me njëri-tjetrin.
Ritmi, ngjyrimi dialektor, puna me gjuhën dhe theksat, harmonia mes fjalës dhe gjestit tek individi dhe pastaj mes ansamblit kanë qenë sfidat e këtij procesi mjaft të pëlqyeshëm.
Romani përdor temat dhe simbolet tipike gotike: një mallkim familjar dhe një legjendë për një qen paranormal dhe djallëzor, një hero i bllokuar në një vend të çuditshëm, shkelja e tabuve morale, shqopishtet e zymta që mbajnë sekrete të këqija, hijet e errëta, dhe peizazhe të tmerrshme, të mbuluara nga mjegulla.
Sherlok Holms sulmon legjendën e mallkimit Baskerville me armën e arsyes dhe të metodave shkencore të vëzhgimit, analizës dhe përfundimit.
Megjithatë, kur Sherlock Holmes nuk është në tregim dhe Dr.Watsoni drejton komplotin, elementët gotikë e marrin përsipër rrjedhën e tij.
Si do ta zgjidhë enigmën e vrasjes së Sër Çarllsit, dedektivi i famshëm Sherlok Holms?
Datat e shfaqjes në vazhdim:
17, 18, 19, 20, 24, 25, 26, 27, 31 Janar, 1, 2, 3, 7, 8, 9, 10 Shkurt