MENU
klinika

Miliarderi sulmon ashpër Kinën

Soros: Zyrtarët marrin ryshfete për të pranuar investimet e Kinës

25.01.2019 - 14:19

Miliarder George Soros ka sulmuar ashpër Kinën dhe presidentin e saj Xi Jinping në fjalimin e tij vjetor në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos, Zvicër.

Soros përdori fjalimin e tij të Davosit vitin e kaluar për të sulmuar gjigandët e teknologjisë së lartë si Facebook për atë që ai konsideroi të ishte efekti i tyre korroziv në sistemet demokratike.

Por këtë vit, zemërimi i tij lidhej me Pekinin dhe në veçanti planin e investimeve “Brezi dhe Rruga”, i cili po ndërton rrugë hekurudhore dhe detare për të nxitur tregtinë me vendet në mbarë botën.

“Ishte projektuar për të promovuar interesat e Kinës, jo interesat e vendeve pritëse,” tha ai. “Projektet ambicioze të infrastrukturës u financuan kryesisht nga kredi, dhe zyrtarëve të huaj shpesh u janë dhënë ryshfete për t’i pranuar ato”.

Soros paralajmëroi se inteligjenca artificiale dhe makinat e leximit mund të përdoren për të forcuar kontrollin totalitar në vend.

“Kina nuk është regjimi i vetëm autoritar në botë, por është më i pasuri, më i forti dhe teknologjikisht më i avancuar”, tha ai duke vënë në dukje shqetësime edhe për Rusinë e Vladimir Putinit. “Kjo e bën Xi Jinping kundërshtarin më të rrezikshëm të shoqërive të hapura,” tha ai.

Soros, një donator i shquar i Partisë Demokratike në SHBA, gjithashtu kritikoi qëndrimin e administratës Trump ndaj Kinës.

Ai i kërkoi Uashingtonit të godasë kompanitë e teknologjisë kineze si Huawei dhe ZTE, të cilat ai tha se paraqesin një “rrezik të papranueshëm të sigurisë për pjesën tjetër të botës”. Më gjerësisht, Soros paralajmëroi se regjimet represive mund të shfrytëzonin teknologjinë për të kontrolluar qytetarët e tyre.

Biznesmeni 88-vjeçar hungarez i lindur në Hungari, i cili mbijetoi okupimit nazist duke falsifikuar dokumentet e identitetit, u bë i famshëm për përfshirjen e tij në zhvlerësimin e paundit britanik, të njohur si Black Wednesday. Por janë aktivitetet e tij filantropike dhe politike që e kanë bërë atë një figurë të njohur në SHBA, Evropë dhe më gjerë.

Ai ka shpenzuar miliarda nga paratë e tij duke financuar projekte për të drejtat e njeriut dhe sipërmarrje liberale demokratike në mbarë botën dhe është bërë një objektiv i shpeshtë për kritikat nga grupet e krahut të djathtë.

Vitin e kaluar, një pako e dyshimtë u gjet në një kuti postare në shtëpinë e tij në Nju Jork.