MENU
klinika

Profil/ Udro Uillson

Uillson, presidenti që kërkonte paqe por ishte racist…

06.01.2019 - 15:24

Shqiptarët gëzojnë respekt të jashtëzakonshëm për figurën e presidentit amerikan Uillson, për rezistencën që bëri ndaj moscopëtimit të mëtejshëm të Shqipërisë dhe njohjen e pavarsisë së saj, edhe tani që do edhe pak vjet që të plotësohet një shekull që kur ai u nda nga jeta.

Por kush ishte Udro Uillson, që shqiptarët e respektojnë kaq shumë?

President i SHBA në vitet 1913-1917 dhe 1917 – 1921, kryetar i delegacionit amerikan në Konferencën e Paqes në Versajë (1919-1920); hartues i Deklaratës së 14 pikave të shpallura më 8 janar 1918, etj, mjaftojnë për të përmbledhur kontributin e këtij njeriu, që shumë e konsiderojnë të papërsëritshëm…

Presidenti Udro Uillson ka qenë një mik i përhershëm i shqiptarëve. Ka mbetur prej tij shprehja “një votë kam edhe atë do t’ia jap Shqipërisë”.

Kur dhe ku u lind Uillson?

Ai u lind më 28 dhjetor 1856, dhe prindërit e tij ishin Jessie Janet Woodrow dhe Joseph Ruggles Wilson, një ministër prezbiterian.

Jeta e hershme dhe arsimi

Tomi, siç thirrej në fëmijëri, ishte i treti i katër fëmijëve. Një familje e ngrohtë, e zellshme dhe e devotshme, jetonin në Jug, duke u zhvendosur shpesh, nga Staunton, Virxhinia, në Augusta, Gjeorgji. Në vitin 1870 ata u shpërngulën në në Karolinën e Jugut, ku babai i Uillsonit, Reverend Wilson, studionte në Seminarin Teologjik të Kolumbisë.

Duke jetuar në Jug dhe duke dëshmuar shkatërrimet e Luftës Civile, nëna e Tomit  kujdesej për ushtarët e plagosur gjatë konfliktit.

Kur ishte fëmijë, mendonin se Udro kishte një formë të disleksisë, pra vështirësi në të mësuar, dhe kështu ai u stërviti nga i ati i tij Reverend Uillson në oratori dhe debat, i cili u bë një pasion i veçantë përtë. Ai u regjistrua në Kolegjin pranë Davidson, por u transferua në Princeton në 1875 (i njohur si Kolegji i New Jersey deri në 1896). Wilson vazhdoi të studionte ligj në Universitetin e Virxhinias dhe mori doktoraturë në shkenca politike dhe histori në Universitetin Johns Hopkins.

Karriera akademike

Udro Uillson u emërua për të dhënë mësim në Bryn Mawr dhe Wesleyan. Ai arriti punën e tij të ëndrrave, u bë profesor në Princeton, në 1890. Në vitin 1902, ai u bë presidenti i 13-të i universitetit. Kjo ishte kryesisht për shkak të përpjekjeve të Uillson që Kolegji i New Jersey të evolonte dhe të bëhej një universitet prestigjoz. Ai u votua shpesh si mësuesi më popullor, i njohur për sjelljen e tij dhe idealet. Por ishte aftësia e tij oratorike që i solli famë përtej mjedisit të universitetit.

Ambiciet politike dhe politika universitare e kishin shndërruar Uilsonin në një demokrat social, dhe ai u propozua si guvernatori i New Jersey në vitin 1910. Një reformator i vendosur, sukseset e tij e bënë atë të preferuarin e Progresistëve përpara zgjedhjes së tij si president në vitin 1912.

Presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara

Udro Uillson ishte presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara, që shërbeu nga 1913 deri në 1921. Ai u propozua si kandidat presidencial demokrat në platformën New Freedom në vitin 1912 dhe u përurua më 4 mars 1913.

Si president, ai udhëhoqi Amerikën gjatë Luftës së Parë Botërore, duke negociuar Traktatin e Versajës dhe duke hartuar Lidhjen e Kombeve, një pararendëse e Kombeve të Bashkuara. Trashëgimia e tij përfshin reforma gjithëpërfshirëse për klasën e mesme, të drejtën e votës për gratë dhe parimet për paqen botërore.

Votimi i grave

Presidenti i ri hyri në Shtëpinë e Bardhë sapo lëvizja për votimin e grave po fitonte mbështetje. Ndonëse në fillim ai nuk dukej se do e mbështeste, historianët përgjithësisht pajtohen se ai e mbështeti përfundimisht çështjen. Në një fjalim para Senatit në janar të vitit 1918, Uillson publikisht miratoi të drejtën e gruas për të votuar.

Reformat ekonomike

Në 1913, ai nënshkroi Aktin Underwood-Simmons, i cili reduktoi normat e taksave që më parë kishin favorizuar industrialistët për biznesin e vogël. Ai gjithashtu miratoi Aktin e Rezervës Federale, duke bërë hua më të kapshme për amerikanët mesatarë. MbështetI sindikatat, duke lejuar grevat, bojkote etj.

Luftës së Parë Botërore

Në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore në Europë më 26 korrik, 1914, Uillson e deklaroi Amerikën neutral, duke krijuar kështu një slogan të fushatës për zgjedhjen e tij të dytë: “Ai na mbajti jashtë luftës”.

Ai më në fund i kërkoi Kongresit të shpallte luftë në prill 1917, kur Gjermania në mënyrë të përsëritur injoroi neutralitetin e SHBA. Kur lufta mbaroi, gati një vit e gjysmë më vonë, amerikanët u perceptuan si heronj.

Katërmbëdhjetë Pikat e Uillsonit

Uillson propozoi “Katërmbëdhjetë Pikat”, si bazë për traktatin e paqes në Versajë, me pikën e fundit krijimin e Lidhjes së Kombeve për të siguruar paqen në botë. U miratua nga Evropa, por Kongresi nuk e miratoi bashkimin e SHBA në Lidhjen e Kombeve. Uillson u përpoq shumë të t fitonte mbështetjen dhe ndaj iu dha edhe çmimin Nobel për Paqe në vitin 1920.

Një president racist që kërkonte paqe?!

Edhe pse përpjekjet e Uillsonit për paqen në botë, të drejtat e grave dhe reformën e punës është shembullor, ai thuhet se ishte racist. Ndoshta ishte edukimi i tij në jug ose ndoshta ishte vetëm një produkt i kohës kur pabarazia racore konsiderohej normale nga shumica e amerikanëve.

Si President i Shteteve të Bashkuara, Uillson caktoi një numër të demokratëve jugorë në kabinetin e tij. Në disa departamente, duke përfshirë Thesarin, Marinën dhe Postën, u zbatuan politikat e Jim Crow-it, duke krijuar tualete të ndara, kafeteri dhe madje disa ndërtesa “vetëm të bardhët”.

Uillson dhe shqiptarët – Njeriu që e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi

Presidenti Wilson gëzon respekt në kombin shqiptarë për rezistencën që bëri ndaj moscoptimit të mëtejshëm të Shqipërisë dhe njohjen e pavarsisë së saj. Qeveria e Nolit e pas revolucionit të qershorit 1924 i vuri emrin Qyteti Uillson qytetit të Shëngjinit në nder të presidetit të SHBA-ve. Megjithatë, emërtimi u mbajt deri në kohën e komunizmit.

Uillson kundërshtoi kompromisi anglo-franko-italian në janarin e 1920, e cila parashikonte kalimin e Shkodrës dhe Shqipërisë së Veriut në kufijtë e Mbretërisë S.K.S vetëm të drejtën e një daljeje ekonomike në territorin e shtetit shqiptar. Ndërhyrja e tij ishte fitim kohe për Lëvizjen Kombëtare shqiptare e cila e organizoi Kongresin e Lushnjës (28-31 janar 1920) dhe Luftën e Vlorës (11 qershor- 2 gusht 1920), që siguruan tërësinë tokësore dhe pavarësinë e Shqipërisë. Pas vdekjes së presidentit, Asambleja Kushtetuese më 4 shkurt 1924, nderoi kujtimin e tij, si njeriu që e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi.

Vitet e fundit të jetës

Kur presidenti Uillson pësoi goditjen e dytë të rëndë në tetor 1919, gruaja e tij e dytë, Edit, e fshihte seriozitetin e sëmundjes së tij, duke marrë vendime në vend të tij. Uillson u shërua pjesërisht, por i kaloi vitet e tij të mbetura me aftësi të kufizuara. Pas largimit nga detyra në vitin 1921, Uillson u zhvendos në një shtëpi në veriperëndim të Uashingtonit.

Vdekja dhe trashëgimia

Uillson vdiq nga një ndërlikim në tru dhe në zemër në moshën 67 vjeç, më 3 shkurt 1924, dhe u varros në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit.

Ai u nxit nga një ndjenjë e misionit dhe një ideali që babai i tij ia kishte imponuar, për të lënë botën një vend më të mirë se sa e gjeti, dhe ai e bëri…

Disa nga thëniet më me vlerë të tij janë:

-Unë nuk përdor vetëm trurin që kam, por gjithçka që mund të marr hua.

-Nëse një qen nuk do të vijë tek ju pasi ta keni parë në fytyrë, duhet të shkoni në shtëpi dhe të shqyrtoni ndërgjegjen.

-Njeriu që po noton kundër lumit e di fuqinë e tij.

-Nëse doni të bëni armiq, përpiquni të ndryshoni diçka.

-Miqësia është e vetmja çimento që e mban botën së bashku.

-Ne jemi qytetarë të botës. Tragjedia e kohëve tona është se ne nuk e dimë këtë.

-Dallimi midis një njeriu të fortë dhe një të dobëti është se i pari nuk heq dorë pas një humbjeje.

-Vetëm paqja mes të barabartëve mund të zgjasë.