MENU
klinika

E lindur për të sfiduar kohën

Fatimja, e para grua e veshur si burrë në odën e malësorëve

27.02.2019 - 22:27

Fatime Sokoli lindi në Dragobi të Tropojës, më 18 qershor 1948 dhe jetoi në Bajram Curri, aty ku heroizmi shqiptar kishte faqe të ndritshme të qëndresës shekullore kundër pushtuesve.

Në ata shkrepa të Dragobisë u rritë bija e Malësisë, e cila nga mosha e re, falë talentit u rritë me tingujt e çiftelisë e të sharkisë, duke kënduar këngë trimërie për heroinat e trimat shqiptarisë.
Këngëtarja dhe instrumentistja e shquar tropojane, Fatime Sokoli, për brezin e sotëm më shumë se një cak kujtese, asgjë tjetër mund të mos i interesojë nga ky fakt. Por Fatime Sokoli nuk ishte vetëm një nga këngëtaret më të shquara, dhe një pasuri e traditës sonë të vyer të folkut.

Ajo ishte shumë më shumë, ishte gruaja e parë që dëshmoi, së pari në malësi dhe kudo gjetkë, ku gruaja mbahej nën zgjedhë, se nuk ishte vetëm për të lindur, rritur dhe edukuar, fëmijë, për punët e shtëpisë dhe për t’iu nënshtruar pushtetit të burrit, ajo ishte për më shumë, ishte edhe për të sfiduar kohën dhe skenën.

fatime sokoli-konica.al

Ajo ishte dhe mbeti një zë i jashtëzakonshëm, një interpretuese dhe instrumentiste që do të mbetet në fondin e artë të traditës sonë të shkëlqyer të folklorit. Ata që e dëgjuan, që e njohën, e shijuan zërin e saj, e duartrokitën, nuk do ta kenë patur të vështirë ta ruajnë në kujtesë. Ajo kishte ardhur për të mbetur një emër, një kontribut, një vlerë, një simbolikë e shprehive më të qenësishme të pasurisë sonë shpirtërore.

Kontributi i saj i shquar e ka shpërblyer atë me titullin “Artiste e Merituar”, një vlerësim i merituar dhe arritur me shumë punë dhe përpjekje.

Pas shumë vitesh në skena koncertesh e festivalesh, në lëndinat e bjeshkëve dhe gurët e bardhë të Valbonës, në oda burrash malësie e në skenat e disa vendeve të Evropës, qe kthyer në një simbol të Malësisë së Gjakovës, këngës dhe shpirtit të saj.

“Bilbili i Tropojës”, Fatime Sokoli u shua më 12 gusht të vitit 1987 në një moshë të re, ndoshta pikërisht atëherë kur mund të jepte ende në fushën krijimit, interpretimit dhe virtuozitetit. U nda nga të gjallët e saj për të lënë në eterin e maleve të Dragobisë, gumëzhimën e Valbonës, bashkë me tingujt e saj magjepsës, edhe zërin e saj kumbues. Ajo s’i kishte mbushur të dyzetat, por la pas këngët e saj të pavdekshme, zërin e saj të papërsëritshëm, la mesazhet patriotike, mesazhet për jetën dhe punën, për njeriun dhe dashurinë.

fatime sokoli-konica.al

Këndoi ajo dhe u laureua në festivale brenda dhe jashtë vendit; këndoi ajo për Bac Bajramin, Mic Sokolin, Emin Durakun, Haxhi Zekën e Tom Kolën. Në fonotekën e Radio Televizionit Shqiptar, ruhen shumë këngë të saj, por ato kanë mbetur në gojë të popullit, duke përjetësuar kujtimin e këngëtares ndër shekuj.

Fatime Sokoli ka mbetur në kujtesën e njerëzve si një dëshmi e gjallë e përpjekjeve dhe arritjeve të një gruaje, edhe atje ku pushteti i ligjësive zakonore i kishte privuar asaj të ishte diçka tjetër, më shumë se nënë, grua, argate. Ajo provoi duke guxuar, arriti duke u përpjekur, sfidoi duke luftuar, besoi te talenti dhe u shpërblye.

Dhe ne sot i detyrohemi një përulje me respekt për veprën që la si testament vlerash, pasioni dhe përkushtimi.

Fatime Sokoli ” ishte çika e parë e Malsisë që kapi për herë të parë çiftelinë në dorë dhe hyri me guxim në odën e burrave, e veshur si burrë dhe këndoi më mirë se burrat. Për afro 30 vjetësh në skena koncertesh e festivalesh, në lëndinat e bjeshkëve dhe gurët e bardhë të Valbonës, në oda burrash malsie e në skenat e disa vendeve të Europës, qe kthyer në një simbol të Malësisë së Gjakovës. Ajo u shfaq si krijuese, instrumentiste e interpretuese virtuoze dhe origjinale, me zë të veçantë bjeshkor të shoqëruar me muzikalitet. Në repertorin e Fatime Sokolit, zënë një vend të gjërë këngët kushtuar heronjve dhe veçanërisht Kosovës. Ajo la pas jo vetëm këngën brilante, por edhe shembullin e një gruaje të emancipuar, duke thyer çdo tabu për kohën dhe Malësinë.

fatime sokoli-konica.al

Nderi i kombit Margarita Xhepa e vlerësonte si një këngëtare të vecantë jo vetëm për zërin, por edhe vlerat e kontributet si vajzë e malsisë. Zëri i saj, i papërsëritshëm, shoqëruar me iftelinë, që ia dridhte aq mjeshtërisht telat, gjëmoi në skenat e Evropës, kur ishte me Asamblin e këngëve dhe valleve.

Në repertorin e saj, në 30 vjet karrierë, numërohen mbi 100 këngë të kënduara, por këngët që u dëgjuan në këtë aktivitet ishin:“Moj Kosovë, moj kështjellë burrnie”, “Kënga e Bajram Currit”, “Ty Kosovë, këtë këngë të këndova”, “Moj Kosovë, o nëna ime”, “Në këtë tokë me rrënjë të lashta”, “Pushkë e mbushur me tufane”, “Tym të zi, po qet Europa”, etj.

Fatime Sokoli është një emër i madh i adhuruesve të muzikës folklorike shqiptare dhe këngës me çifteli.

Ajo veçanërisht është shumë e njohur në veriun e Shqipërisë dhe në Kosovë.

/Bionelda Skonja

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB