Shqipëria ka fituar 7 vende përsa i përket shëndetit të përgjithshëm.
Sipas raportit të vitit 2019, për Indeksin e Shëndetit të Vendeve, që përpilohet nga Bloomberg, Shqipëria renditet në vendin e 43-të, me një nivel prej 68.04 pikë, nga vendi i 50-të që ishte një vit më parë.
Përpara Shqipërisë, me një diferencë shumë të vogël renditen vendet e rajoni, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi. Përsa i përket renditjes së përgjithshme, Spanja e ka tejkaluar Italinë, duke u bërë vendi më i shëndetshëm në botë.
Indeksi i Bloomberg për Shëndetin e Vendeve merr në analizë 169 vende të botës, sipas faktorëve që kontribuojnë në shëndetin e përgjithshëm të një vendi. Kur u publikua për herë të parë në vitin 2017, Spanja mbante vendin e gjashtë.
Katër kombe të tjera Europiane bëjnë pjesë në dhjetëshen e parë, si Islanda, Zvicra, Suedia dhe Norvegjia. Japonia rezultoi si vendi më i shëndetshëm në Azi, duke fituar tre vende krahasuar me raportin e vitit 2017.
Indeksi i klasifikon vendet bazuar në disa variabla të ndryshëm, si jetëgjatësia, duke imponuar edhe penalitete mbi rreziqe të tilla si, duhanpirja dhe obeziteti.
Gjithashtu, merren në konsideratë faktorët mjedisorë, duke përfshirë aksesin në ujë të pastër dhe kanalizimet.
Indeksi përfundimtar përfshin vendet me të paktën 300 mijë banorë dhe të dhëna të mjaftueshme pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Hulumtuesit shprehen se, zakonet e të ushqyerit dhe dieta mesdhetare mund të arsyetojnë nivelet e larta të shëndetit në Spanjë dhe Itali. Ekonomitë subsahariane përbënin 27 nga 30 kombet jo të shëndetshme.