MENU
klinika

"Zogeshat"

Jeta mondane e motrave të Zogut dhe episodet komike

06.02.2019 - 20:30

Zogu pati gjashtë motra. Dy më të mëdhatë Adile e Nafije u martuan më herët, ndërsa e treta Senije gjatë qenies së tij në pushtet.

Për fatin e tyre të keq, tre më të voglat Mexhide, Myzejen e Ruhije nuk u martuan asnjëherë. Ato, nga jeta patriarkale dhe obskurantiste që sundonte në atë kohë në Veri sidomos për femrën, ranë në një shoqëri tjetër, mondane, të paperceptueshme për to, por edhe të vështirë për t’u ambientuar e për të vepruar në bazë të normave të kësaj shoqërie.

Ndaj dhe në jetën e tyre ka mjaft episode komike. Duke ndjerë inferioritetin kulturor, u dërguan për të mbaruar shkollën në Francë dhe në Gjenevë të Zvicrës, ku mësuan frëngjisht, si dhe u ngarkuan me detyra dhe funksione në oborr. Princesha Maxhide u bë kryetare e Drejtuesve të Vajzave. Ato ishin në krye të “Batalioneve të Vajzave” në ushtrinë mbretërore shqiptare.

mbreti zog-konica.al

Shumica qenë fejuar nga një herë. Më 1938 mbreti Faruk, me origjinë shqiptare nga trungu i Muhamet Aliut të Egjiptit, qe dakord që kushëriri i tij, princi Abdul Monheim të martohej me princeshën Myzejen. Ai ishte i biri i kedivit të mëparshëm Abbas Helmi Pasha II i Egjiptit dhe thuhej se kishte trashëguar një pasuri të madhe. Por s’ qe e thënë të bëhej kjo lidhje mbretërore, pasi nuk deshi i ati i djalit.

Pas fejesës së mbretit Zog më 1938 dhe përpara dasmës së tij, tri motrat më të vogla të mbretit Zog bënë një udhëtim të vullnetit të mirë në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe u kthyen nëpër Angli, Francë dhe Itali.

Ato u nisën nga Napoli në Itali më 20 shkurt 1938 me anijen italiane Konti di Savoia dhe arritën në Nju-Jork më 28 shkurt. I priti Faik Konica, ministri shqiptar në SHBA, që u bë përkthyesi i tyre. Qendër e qëndrimit të tyre në SHBA ishte suita mbretërore në hotelin Ritz-Carlton në Nju-Jork dhe kudo udhëtuan me tren.

Qëllimi i udhëtimit ishte të siguronin pajtimin politik me peshkopin Fan Noli, të garantonin investime amerikane në Shqipëri dhe ta ngrinin reputacionin e Shqipërisë në SHBA. Interesi publik i amerikanëve për mbretin Zog qe ngjallur për shkak të fejesës së tij me konteshën gjysmë-amerikane Geraldina Aponi.

Për pasojë, mediat amerikane e mbuluan me interes udhëtimin dhe u vunë motrave të Zogut nofkën “Zogeshat”.

Me tren ato udhëtuan nga Nju-Jorku në Boston, ku u pritën nga 6.000 shqiptarë. Më 12 mars u bëri vizitë peshkopi Fan Noli, kreu i Kishës ortodokse shqiptare. Noli ishte kundërshtar politik i mbretit Zog që kur Zogu i mori pushtetin më 1924. Ato morën pjesë në një shërbesë të mëngjesit në katedralen e Shën Gjergjit në Rrugën Emerald, ku Fan Noli për herë të parë bëri lutje për mbretin Zog. Kjo bëri aq përshtypje, saqë dëgjuesit bënë një gjë të pazakontë: duartrokitën. Pajtimi mori trajtë simbolike kur Fan Noli publikisht zbriti nga navata, u shtrëngoi duart motrave të Zogut dhe u lut për to. Ato u larguan nga Bostoni më 19 mars. Më 20 mars 1938 ato vajtën në Filadelfi të Pensilvanisë, ku morën pjesë në shërbesat e kishave shqiptare katolike dhe ortodokse.

Më 23 mars princeshat u larguan nga Nju-Jorku me anijen Mbretëresha Maria dhe u drejtuan për Angli.

mbreti zog me princeshat-konica.al

Princeshat Myzejeni, Ruhija dhe Maxhidja arritën në Southamton me anijen Mbretëresha Maria më 28 mars 1938, pas pesë ditësh, për të kapërcyer Atlantikun. Dervish Duma i Legatës Shqiptare i priti në Southampton dhe po atë ditë me tren ato erdhën në stacionin e Vaterlosë të Londrës. U ndalën në hotelin Ritz në Pikadilli të Londrës. Gjatë qëndrimit në Angli u takuan me mbesën e tyre, Danushë Doshishtin, që ndiqte shkollën Heathfield në Askot, e cila gjithashtu u bëri atyre vizitë në Londër. Zog Ziegler-i e kujton që një prej gazetarëve, të cilët mbulonin këtë ngjarje, kishte qenë i ati, një gazetar i lirë me emrin z. Frank H. Ziegler, i cili ra në dashuri me njërën nga princeshat. Nga Londra ato shkuan në Paris, udhëtuan përmes Italisë dhe morën anijen në Bari për t’u kthyer në Tiranë më 22 prill. Kishin qenë jashtë Shqipërisë për 3 muaj.

Duke parë deficencat te motrat e tij, Zogu u kujdes që të paktën mbesat e tij të kishin një arsim dhe kulturë me rrënjë.

Kështu ai i dërgoi ato që të vogla në Angli, në Shkollën Heathfield, që kishte një emër të madh. Aty kishte nxënëse vajza të shumë familjeve mbretërore, ndër to princesha LSM Aleksandra, kushërirë e mbretëreshës, princesha Ekaterina e Rusisë, princesha Aleksandra e Greqisë (e cila më vonë u martua me mbretin Peter II të Jugosllavisë) dhe Bettina von Ribbentrop, e bija e ambasadorit gjerman në Britani. Westrow Cooper-i e mbante mend, që së ëmës, Terit, i kujtohej se si Dervish Duma nga Legata shqiptare i merrte për udhëtime njëditore dhe për piknike, kurse ato e pëlqenin shumë. Teri u kthye në Shqipëri më 1937 dhe e la Danushën në shkollë. Më 1938 Danushën e vizituan princeshat Myzejen, Ruhije dhe Mexhide gjatë udhëtimit të tyre të vullnetit të mirë në SHBA dhe Angli. Danusha ndenji deri më 1939, kur shkoi te familja e vet në Francë.

SHBA kishin qenë një vend tradicional për emigrimin shqiptar që nga fundi i viteve 1800.

Të krishterët shqiptarë prireshin të mërgonin në Anglinë e Re, sidomos në Boston dhe Filadelfi, ndërsa myslimanët shqiptarë parapëlqenin Detroitin. Në secilin qytet Faik Konica, ai burrë kryeneç, që nuk e ulte kurrë hundën para askujt, përulej para princeshave për të mbrojtur interesat e tij. Ai i çoi ato në vende me interes, i njohu me shqiptarë të shquar të Amerikës dhe i çoi në shërbesat e kishave shqiptare ortodokse dhe katolike. Më 7 mars 1938 ato shkuan te ndërtesa Empire State. Vizituan gjithashtu Vajzat bojskaute amerikane, sepse princesha Maxhide ishte kryetare e Gjyrmueseve shqiptare. Në Nju-Jork ato u takuan me konteshën Seherr-Thoss, një kushërirë austriake e konteshës Geraldina Aponi. Më 4 mars bënë një udhëtim njëditor në Vashington D.C., vizituan Shtëpinë e Bardhë si të ftuara nga Eleanor Rusvelti, e shoqja e presidentit.

mbreti zog me princeshat-konica.al

Tanja Visirova, dashnorja e Zogut në kujtimet e saj shkruan kështu për motrat e Zogut: “Pasi mbërritëm ne Tirane njoha familjen e tij, shtatë motrat dhe nënën. Armiqësia e tyre ndaj meje ishte e menjëhershme. Unë isha shumë jashtë shijeve të motrave të Mbretit, nuk kisha prirje të njëjta për gjërat e kota me të cilat ato merreshin gjithë ditën e ditës. Ndërsa e ëma e detyroi Zogun t’i premtonte se asnjëherë sa të qe gjallë ajo, ky nuk mund të merrte për grua një vajzë që nuk ishte myslimane, siç isha unë. Martesa me të nuk ishte ndonjë ide që mund të më tërhiqte. Jetoja në një botë që nuk qe imja. Nuk dashurohesha dot pas gjërave që shihja në Tiranë. Me gjithë europianizmin e vet, Ahmet Zogu ishte një despot oriental. Klani i tij dhe të motrat i jepnin vetes një rëndësi të kotë, të padëgjuar.

Ato visheshin me rrobe ushtarake në pjesën më të madhe të kohës, një uniformë që u shkonte dhe që maskonte shëmtinë e tyre.

Më tej Xoi Xoxe rrëfente se si Parisi dhe Shaneli u shndërruan në “burrin e nënës” për të.

“U nisëm për Paris. Në Paris na kishte dalë të na priste princ Abidi, i biri i sulltan Hamitit, që kishte marrë për grua princeshën Senije, me gjithë personelin e Legatës. Princ Abidi ishte i ngarkuari me Punë i Shqipërisë në Paris, duke pasur për sekretar të Legatës, Milto Noçkën, të nipin e kryeministrit Kostaq Kota, domethënë djalin e së motrës.

Unë për të parën herë po i njihja këto princesha dhe kujtoja se duhej të lozja rolin e një sekretari të vërtetë diplomatik, por vura re se ato filluan të më përqeshnin. Unë kujtoja se diç ishin, po menjëherë arrita t’i kuptoj se ishin boshe dhe, si të tilla, donin të merreshin vetëm me kotësira. Pas nja katër a pesë ditësh, që ndodheshim në Paris, princesha Mazhide më tha t’i telefonoja “Shanelit” dhe t’i thosha se kishim ardhur në Paris dhe dëshironim ta vizitonim.

-Kush është “Shaneli”? – pyeta.

-Si, more, nuk ditke as “Shanelin”? – m’u përgjigj ajo duke ia plasur gazit. – Po “Shanelin” e njeh gjithë bota. Këtu në Paris vijnë njerëzit vetëm për “Shanelin”. Edhe ne disa herë kemi ardhur vetëm për “Shanelin”. Hajt, telefonoji.

Më në fund e gjeta “Shanelin”! Në orën pesë pasdreke, “Shaneli” do të ishte i çelur vetëm për Princeshat. E kuptova menjëherë se ai do kishte pasur shumë “përfitime” prej tyre që të sillej me aq fisnikëri.

mbreti zog me princeshat-konica.al

Pasi kaluam një sërë dhomash, që komunikonin me njëra-tjetrën, më në fund drejtori na shpuri në një sallon të madh, edhe ky me mure pasqyrash dhe me qilim kadifeje. Në një shenjë të drejtorit, perdja e mëndafshtë u hap dhe në skenë dolën nja njëzet a tridhjetë vajza, të veshura me lloj-lloj kostumesh, duke mbajtur nga një numër në dorën e djathtë. Ato zbritën rëndë-rëndë nga skena, u afruan te ne, rrotulloheshin me ngadalë dhe me hijeshi për një copë herë, me qëllim që t’i kundronim mirë. Kështu me radhë, njëra pas tjetrës. Ndërkaq drejtori po dërdëlliste, duke shpjeguar cilësitë e fustaneve dhe herë pas here më drejtohej mua dhe më thoshte:

-Ju lutem shumë, kini mirësinë t’u shpjegoni Princeshave se ky është fustani i modës së fundit dhe bëri shumë bujë në Angli ku e veshi për herën e parë Princesha Margaret…

Unë ua përktheja, po vura re se ato nuk u besonin fjalëve të tij: Donin të zgjidhnin pas shijes së tyre dhe jo pas rekomandimit të tij.

Më në fund princesha Ruhije pëlqeu një fustan, u këshillua edhe me të motrat të cilat, pas shumë çuçuritjesh midis tyre, vendosën të porosisnin të trija nga një si ai, po me disa ndryshime. Ia shpjegova drejtorit duke pasur modelen përpara meje. Atëherë ai thirri piktorin, i cili mbante në krahun e majtë një letër të trashë vizatimi mbi një dërrasë të madhe dhe në dorën e djathtë një penel. Kur mësoi dëshirat e princeshave, aty për aty ai e pikturoi atë fustan me ndryshimet që dëshironin ato.

Që nga kjo ditë “Shaneli” m’u bë burri i nënës: ditë për ditë, në orën pesë pasdreke, do shkonim medoemos te “Shaneli”. Mirëpo s’kisha ç’të bëja: për ato tërë Parisi nuk vlente sa “Shaneli”

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB