MENU
klinika

Nga Albert Z. Zholi

Kujtim Gjonaj, 50 vjet në ekranin e filmit

02.02.2019 - 17:36

“Shkolla dhe praktika”, ishte i pari skenar që shkruante i fundit “Rilindësi Josif Bageri”

Këtë shkurt “Mjeshtri i Madh” Kujtim Gjonaj, mbush gjysmë shekulli në kinematografinë shqiptare.

Në këta 50 vjet krijimtaria e tij përfshin mbi 200 filma dokumentarë, artistikë dhe vizatimore si regjisor, skenarist dhe producent.

50 vjet me dashurinë për ekranin e magjishëm, për dashurinë madhore të mijëra e mijëra spektatorëve.

Është regjisor që e gjeti veten me artin e tij në të dy kohët, që mori vlerësime maksimale për krijimtarinë e vet.

kujtim gjoni-konica.al

Gjatë krijimtarisë gjysmë shekullore mori këto vlerësime:

1979-Medalja “Naim Frashëri”;

1987-Urdhri” Naim Frashri” i Klasit të Parë;

2002- Urdhri “Naim Frashri i Artë”;

2012-Titulli “Mjeshtër i madh”;

2015-titulli “Mirënjohje e shoqatës Mallakastra”;

2016-Titulli “Qytetar nderi “i Tepelenës;

2016- Mirënjohje e shoqatës patriotike Çamëria;

2017- Çmimin e Institutit të medias dhe imazhit: Imazhi i regjisorit shqiptar;

2017- Personalitet i Madh i shoqatës patriotike “Shqipëria”;

Krahas këtyre vlerësimeve regjisori Gjonaj në shumë nga krijimet; e tij është nderuar me shumë çmime në rang kombëtar dhe ndërkombëtar për filmat e tij.

kujtim gjoni-konica.al

1981- çmim të dytë për skenarin e filmit “Kryengritjet e mëdha” në konkursin e madh kombëtar.

1986- filmi “Më e madhja dashuri” vlerësohet si filmi më i mirë i vitit.

1990- filmi “Kështjella e këngëve” vlerësohet me çmimin e parë në festivalin e 8-të të filmit dokumentar

1990- filmi “Kështjella e këngëve” vlerësohet me çmimin e spektatorit.

1998- filmi “Shembja e idhujve” vlerësohet me çmimin special në festivalin e filmit të V të filmit dokumentar në Palermo.

2006.-filmi “Enciklopedia që ecte me këmbë” vlerësohet me çmim në edicionin e 12 -të të filmin dokumentar.

2011- filmi “Ëndrra e Çamërisë” fiton çmimin e Akademisë “Kult” si filmi më i mirë dokumentar i dy viteve te fundit.

Me vlerësime shumë të larta janë pritur nga kritika, shtypi dhe shikuesi filmat “Margarita”, “Gjeneral Ramush Haradinaj”, “Ditët e fundit të një Luani”, “Deti i diturive Hasan Tahsin” apo filmi “I fundmi i rilindësve” për Josif Bagerin që pati dy premiera madhështore në Shkup dhe Tiranë.

Krahas këtyre kontributi i regjisorit Gjonaj ka spikatur edhe në letërsi me tregimet e veta si dhe në publicistikë ku dhe në këto fusha nuk kanë munguar vlerësimet: Në vitin 1967 cikli me tregime “Në emër te jetes” fiton çmimin e parë në konkursin kombëtar të gazetës “Studenti”.

kujtim gjoni-konica.al

1971- Në konkursin kombëtar për letërsinë vëllimi me tregime “Fëmijtë tanë” vlerësohet me çmim të tretë.

1981- Reportazhi ” Metalurgët” me çmim të parë ne konkursin e shpallur nga gazeta “Puna”

Vlerësimet e personaliteteve:

Studiuesi Përparim Kabo në një nga vlerësimet e tij për regjisorin shkruan: “Kujtim Gjonaj me filmat e tij dokumentarë ndërtoi një kujtesë ndryshe. Ajo u lidh me historinë e vendit tonë dhe e fiksoi atë, të vjetrën dhe të renë, optimisten dhe tragjiken, atë që ka folur dhe atë që ka heshtur.

Sa mirë kur në jetë ndërton udhën e mbi të ve gjurmët, le shpirtin tënd, le nga fryma jote dhe nga arti yt….do të mësosh për Nënë Terezën apo për Hasan Tahsinin? Shiko filmat e mjeshtrit Gjonaj dhe mëson sa në një enciklopedi…”

kujtim gjoni-konica.al

Apo po citoj një pasazh te regjisorit Muharrem Fejzo për krijimtarinë e Gjonajt: “Në filmat e regjisorit Gjonaj, Shqipëria si lëndë historike vjen me peshën e ngjarjeve dramatike e tragjike të saj, ndërsa si lëndë shpirtërore, me kulturën e saj befauese nga më të çuditshmet e më të larmishmet, me mjaft kolor, jo vetëm në hapësirat ballkanike, por edhe më gjerë. Këtë lëndë historike regjisori Gjonaj jo vetem e njeh mirë, por e shndërron atë në imazh dhe imazhin në emocion.”

Ndërsa poeti dhe regjisori Petrit Ruka kur shkroi për filmin “Ëndrra e Çamërisë ndër të tjera theksoi: “Rrallëherë më ka ndodhur të shoh në një sallë më shumë se një mijë frymë, shumica e të cilëve mbajnë në trurin e tyre një dhimbje të gjate të etërve dhe nënave çame… Për herë të parë, në një vepër të gjerë dhe nga një mjeshtër i vërtetë i filmit dokumentar si Kujtim Gjonaj, Çamëria dhe historia popullit të saj, vijnë me një pamje plotë tronditëse. Kjo është fuqia e artit dhe artistit .

Emocioni në filmat e tij është kudo i prekshëm. Është një emocion i brendshëm, jo deklarativ, ose çjerrës. Shikoni me kujdes filmat “Etyd pranë detit”, “Kështjella e këngëve”, apo “Gjaku ynë i shprishur”…shikoni filmat me temë historike si “Vëllezërit Topulli”, “Kryengritjet e mëdha” apo “Shembja e idhujve” apo edhe një nga kryeveprat e regjisorit, një nga filmat e fundit “Margarita” që pa frikë është jo vetëm arritje e tij por edhe e filmit shqiptar dokumentar.”

kujtim gjoni-konica.al

Origjina:

Origjina e tij zë fill nga Tepelena, nga Mezhgorani, një vend me tradita të hershme kulturore dhe atdhetare. Në lashtësi Tepelena bënte pjesë në trevën e Kaonisë. Duke qenë një vendbanim i hershëm, të dhënat arkeologjike flasin se që në shekullin e katërt pas Krishtit u ndërtua një kështjellë, mbi një pikë strategjike që vëzhgonte lehtë kryqëzimin e rrugëve të Vjosës, grykën e Këlcyrës, luginën e Drinos dhe kodrat e hapësirës së Mallakastrës.

Rreth kështjellës u ndërtuan herë pas here shtëpitë e para që zënë fill në shekullin e pestë e deri në shekullin e nëntë, ku ajo përfshihet në Themën e Nikopojës e më pas në Despotatin e Epirit.

kujtim gjoni-konica.al

Në shekullin e 17-të, Tepelena kishte 250 shtëpi, por gjurmët e pushtuesve osmanë, si kudo në Shqipëri, dominuan për keq edhe në Tepelenë. Në vitin 1789, qytetin e mori në zotërim Ali Pashë Tepelena dhe që nga ky vit njohu një rigjallërim të shpejtë.

Qyteti u bë rezidenca e dytë e Pashait të Janinës. Pra Tepelena është një krahinë që shquhet për trimëri, bujari dhe me figura të lavdishme të historisë shqiptare, ku simbol i gjenialitetit historik të kësaj krahine është Ali Pashë Tepelena, me oborrin e tij perandorak dhe trillet e thëna e të pathëna që rrethonte qenien e tij gati-gati të mistershme dhe epokale në historinë e kombit shqiptar.

kujtim gjoni-konica.al

Trima të Ali Pashës, si Xhelil Bregu, i njohur më pas për bëmat e tij, si Çelo Picari, komandant i trupave të Pashait që mbrojtën Tepelenën në vitin 1821. Çelo Picari mori pjesë në vitet që pasuan në kryengritjen mbarë shqiptare të drejtuar nga ai me Tafil Buzin dhe Xelal Gjolekën. Çelo Picari, Tafil Buzi, Tahir Abazi dhe prijës të tjerë shqiptarë besnikë të Ali Pashait të Janinës, në mesin e shekullit 19-të, lanë gjurmë të rëndësishme jo vetëm në historinë e krahinës së Tepelenës, por në të gjithë Shqipërinë.

Erdhi në jetë një djalë.

Në këtë vend me bukuri natyrore të mahnitshme, me ajrin që të mbush mushkëritë me pastërtinë e tij, me këngën e zogjve dhe ujin që gurgullon burimeve do të vinte në jetë në vjeshtën e vitit 1946, Kujtim Gjonaj. Ishte viti i dytë pas lufte dhe fshati me përpjekje mbinjerëzore po mbyllte plagët. Një pjesë e madhe e burrave të fshatit i qenë përgjigjur kërkesave të kohës për rindërtimin e vendit. Edhe i ati, Qemali, në atë kohë ndodhej në hapjen e rrugës Kukës- Peshkopi, ose si quhej atëherë, rruga e Rinisë, në krye të brigadës vullnetare të Tepelenës dhe për fatin e tij të keq, nuk ishte i pranishëm në lindjen e të birit. Nëntori kish hyrë i sertë atë vit dhe ajo ditë e 13 nëntorit kish gdhirë me shi të rrëmbyeshëm e plot bubullima e vetëtima. Përroi i Solokushes uturinte me tërë furinë e vet duke rrëshqitur drejt Vjosës me tërsëllimë.

kujtim gjoni-konica.al

Shtëpia e Gjonajve, pa djemtë në shtëpi, jo vetëm Qemali por edhe Resuli ndodhej larg, priste me ankth, në këtë dite vjeshte të egërsuar, ardhjen e një fëmije. Gjysh Ymeri, i merakosur vinte vërdallë në katin e poshtëm, duke shtrënguar fort për dore Fatmirën e vogël që qante me ngashërim e trembur sa nga moti i egërsuar aq edhe nga rrëmuja që ndjehej në shtëpi. Plaku me mjekër të bardhë ngrinte herë-herë sytë lart nga qielli, sikur të kërkonte ndihmë për të renë që përpëlitej duke shtrënguar dhëmbët nga dhimbjet e lindjes. Por Lalaja e Gjonajve dhe nënë Sadua gra të rrahura me vaj e uthull për lindjet në fshat e qetësonin dhe i rrinin pranë Hamidesë, vajzës së ardhur nuse nga Luzati, duke e qetësuar dhe ndihmuar të lindte sa më kollaj dhe me sa më pak dhimbje. Dhe mes gjëmimit të pa reshtur të qiellit u dëgjua një klithmë rrënqethëse dhe në më pak se një sekondë një e qarë e fortë mbushi gjithë hapësirën aty pranë.

-Djalë. Nusja na lindi djalë! -kumboi zëri i nënë Sados.

Ymer, Qemali t’u bë me djalë.

Lalaja e ngriti lart të porsaardhurin në këtë jetë, sikur të donte t’ua tregonte gjthë të pranishmëve me mburrje.

-Shikoni djali i Qemalit ka lindur me këmishë, – dhe sytë i shkëlqenin nga gëzimi dhe dhembshuria për krijesën e sapo ardhur në këtë botë. Ishte vërtet një fëmijë i shëndetshëm, bardhosh që sokëllinte duke qarë njëlloj si përroi atje matanë.

-Do t’ia vëmë emrin Kujtim, për hatër të Qemalit që nuk është i pranishëm në këtë gëzim të madh.

Gjysh Ymeri nuk tha asnjë fjalë, vetëm miratoi me kokë.

kujtim gjoni-konica.al

Filmi i parë.

Pse e kujton gjithnjë skenarin e filmit të parë? Përse sa herë i shkon mendja te ai film dokumentar gjoksi i gufon nga emocionet dhe kujtimet i vërshojnë si një përrua i rrëmbyer që zbret me vrull nga shpati i malit? Ishte maj, muaji më i bukur i vitit, kur çelin trëndafilat dhe pemët kanë lulëzuar tërësisht, kur njerëzit lehtësohen nga veshjet e rënda të dimrit, kur gjaku i rinovuar vërshon vrullshëm nëpër rremba, kur vajzat duken më të bukura, a thua se i kanë shpallur konkurs bukurive të natyrës. Në maj çdo gjë lulëzon, lulëzon natyra, njerëzit, zogjtë. Pak ditë më parë e kishte thirrur drejtori në zyrë dhe ndër të tjera i kishte thënë:

Më pëlqejnë tekstet e tua…i shkruan vërtet mirë, me ndjenjë.

Djaloshit të ri nuk i kish kaluar pa u ndjerë vlerësimi i drejtorit, po atë ditë që e dëgjoi vetë, e gëzoi ky fakt.

-Mendoj se ka ardhur koha për ndonjë punë më serioze.

Pas një pauze të shkurtër, drejtori shtoi:

-Mendo për ndonjë skenar dokumentari.

kujtim gjoni-konica.al

Kaq tha drejtori dhe mjaftoi, që ai të përfshihej nga ndjenja e krijimit. Idetë vinin e iknin njëra pas tjetrës. Duke shëtitur në një nga ditët e mrekullueshme të majit, i erdhi ngacmimi “të shkruajë diçka për shkollën e mesme”. Vendosi të shkruante një skenar për një nga shkollat me me emër në Tiranë, për gjimnazin “Qemal Stafa”. Shkoi disa herë në shkollë.

U takua me shumë mësues dhe nxënës. Takoi aty ish mësuesen e tij të historisë Nekije Demin, Afrim Karagjozin me të cilin njihej që nga fakulteti. Bisedoi dhe me mësues të tjerë të njohur në aksionet e rinisë apo kur kish shkruar për ta në gazetë. Në biseda e sipër i lindi ideja të përqendrohej në dy nga tre komponentët që përbënin themelin e mësimit të asaj kohe, trekëndëshin mësim-punë-kalitje. Iu duk mendim interesant. Pra struktura dramaturgjike e filmit do të mbështetej në mendimin se krahas mësimit kuadrot e ardhshme të vendit do të formësohen jo vetëm teorikisht por dhe me dashurinë dhe respektin për punën.

kujtim gjoni-konica.al

Trendi i asaj kohe ishte puna prodhuese e nxënësve si ajo e punimit në dru, me metal, apo punime artizanale qelqi etj. Për ditë të tëra ndoqi klasat e ndryshme në këto orë praktike. Kështu lindi skenari i filmit të ardhshëm “Shkolla dhe praktika”. Ishte i pari skenar që shkruante. Dhe si të gjithë ata që shkruajnë u zhyt në botën e krijimit.

Bashkëudhëtarja në jetën e tij.

Kanë qenë dhe janë një familje model. Një familje perfekte e qëndisur në çdo detaj me finesë e vlera njerëzore. Kanë jetuar me prindërit. Në formimin e tij intelektual dhe si artist në radhë të parë meritën e kanë prindërit. Babai për gdhendjen e personalitetit të tij dhe nëna për larminë dhe butësinë e karakterit që latoi tek ai si njeri. Dhe kur familja u zgjerua një vend shumë të rëndësishëm e zuri bashkëshortja. Ajo bëhet pjesë e krijimtarisë së tij, e filmave që ka bërë. Është pjesë e edukatës, e të ardhmes që ato e gdhendën të dy.

Kanë disa dekada bashkë me njëri –tjetrin. Bukra zë një vend të veçantë se bën pjesë në një kategori grash që është përpjekur me urtësinë dhe mençurinë e saj, me përkujdesjen ti krijojë kushtet më të përsosura për të realizuar karrierën e tij si kineast. Prindërit dhe Bukra u morën me mirërritjen e fëmijëve kur ai ishte larg për motive profesionale. Duke patur një bazë të fuqishme si familja, iu krijua komoditeti për t’iu përkushtuar profesionit. Mbështetja kryesore ka qenë shoqja e tij Bukra e cila asnjëherë nuk i ka krijuar andralla apo pengesa për të bërë një film.

kujtim gjoni-konica.al

“Është bashkudhëtare, bashkautorë dhe konsulente që nga filmi i parë në vitin e largët 1969 kur u njohën dhe ranë në dashuri me njëri-tjetrin”.

Thotë ai dhe pa humor shton: “Veç se është një konsulente jo e saktë, dhe aspak realiste…pëlqen çdo film që bëj unë”.

Ai thotë një të vërtetë. Ajo e ka adhuruar gjithnjë krijimtarinë e tij. Ishte gjithnjë studiuesi dhe vlerësuesi i parë. Edhe pse me profesion është farmaciste ajo thoshte gjithnjë mendimin e saj.

kujtim gjoni-konica.al

Nuk ka luajtur rolin e kritizeres por të një publiku të sinqertë. Gjithnjë e angazhuar që atij ti krijohej çdo mundësi për ta kryer punën në kohë dhe pa andralla. Nuk ka nxjerrë kurrë shkaqe dhe arsye që atë do e pengonin në punën e tij.

Një grua e përkushtuar dhe me zemërgjerësi të jashtëzakonshme.