Mallrat apo artikujt e dorëzuar pranë institucioneve shtetërore nga kompanitë që fitojnë tenderë publikë, nuk janë sipas specifikimeve teknike mbi bazën e të cilave janë paraqitur, vlerësuar dhe shpallur fitues.
Konstatimi ka ardhur nga Agjencia e Prokurimit Publik, pas analizimit të formularëve të dërguar nga autoritetet kontraktore, mbi procesin e zbatimit të kontratave si dhe raportet e monitorimit të përcjella nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara.
Nisur nga kjo situatë, APP është mjaftuar duke kërkuar nga autoritetet kontraktore që të verifikojnë mallrat e dorëzuar nëse ato përputhen me specifikimet e bëra gjatë garës tenderuese.
Por, nuk ka shkuar më tej për të analizuar nëse në këtë rast kemi elementë të garës së pandershme, duke qenë se operatorët e ekonomikë duhet të përmbushin kriteret e përcaktuar për t’u shpallur fitues.
Si pasojë e këtyre shkeljeve, mund të përjashtohen nga gara operatorë ekonomikë që paraqesin oferta më të ulëta, çka do të sillte edhe më pak shpenzime për një shërbim të caktuar dhe nga ana tjetër dëmtohet konkurrenca e ndershme mes kompanive, si pasojë e s’kualifikimeve të padrejta.
Por Agjencia e Prokurimit Publik ka konstatuar shkelje edhe në drejtim të vetë institucioneve shtetërore, të cilat nuk respektojnë afatet ligjore për dërgimin e formularit të nënshkrimit të kontratës së nënshkruar.
Gjithashtu, edhe marrja në dorëzim e mallrave apo shërbimeve që prokurohen, nuk shoqërohet me procesverbalin përkatës, sikurse përcakton legjislacioni në fuqi.