MENU
klinika

Marrja e masave

Euroizimi/ BSH kërkon bashkëpunim nga qeveria

23.02.2019 - 13:52

Për të ulur euroizimin e ekonomisë nevojitet bashkëpunim edhe nga institucionet e tjera, sipas Bankës së Shqipërisë.

Banka qendrore në analizën periodike lidhur me efektet e masave për uljen e euroizimit, arrin në konkluzionin se lëvizjet në shumicën e tyre sugjerojnë një ulje të përdorimit të valutës në sistemin financiar.

 Sipas Bankës së Shqipërisë, vlerat e treguesve mbeten të shmangura ndjeshëm nga vlerat mesatare të treguesve për vende me ekonomi të ngjashme si Shqipëria.

Për këtë arsye, vlerësohet e nevojshme marrja e masave për të kontrolluar dhe ulur këto nivele, në mënyrë graduale.

Në raportin e fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar sugjeronte që strategjia e deeuroizimit duhet të mbështetet edhe nga qeveria, përmes masave administrative që do të nxisin kuotimin e çmimeve dhe kryerjen e pagesave në lekë për transaksionet e brendshme në ekonomi.

Megjithëse Banka e Shqipërisë nuk shprehet konkretisht për llojin e masave që nevojiten, duket se kjo kërkesë i drejtohet sidomos qeverisë shqiptare, që, deri tani, nuk ka ndërmarrë masa për të kufizuar përdorimin e euros në ekonomi.

Masat e ndërmarra vitin e kaluar nga Banka e Shqipërisë deri tani kanë dhënë efekte të kufizuara. Kredia në euro ndaj totali gjatë vitit 2018 ka ngelur në nivele të përafërta me një vit më parë, por pozitiv është fakti se ka rënë pesha e kredisë në valutë të ekspozuar ndaj rrezikut të kursit.

Ndërkohë, pesha e depozitave në valutë është rritur lehtë edhe për vitin 2018. Sidoqoftë, Banka e Shqipërisë theksoi që në fillim se synimet e ndërhyrjeve të saj ishin afatgjata.

Ekuilibrat e krijuar nga tregu në kohë nuk mund të prishen me ndërhyrje rregullatore, sepse kjo do të shkaktonte probleme për sistemin financiar.

Për sa kohë që euro vazhdon të përdoret masivisht në ekonomi, edhe në rastet kur nuk është e nevojshme, do të jetë e vështirë që monedha europiane të pakësohet brenda sistemit financiar. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar sugjerojnë ndërhyrje edhe nga qeveria, për të kufizuar vendosjen e çmimeve dhe kryerjen e pagesave në euro.