MENU
klinika

Përballoi sfida të vështira jetësore

Vdiq 37 vjeçe/ Sekretet dhe të pathënat e Tefta Tashkos!

08.02.2019 - 16:28

Poeti Lasgush Poradeci (1899-1987) ka qenë mjaft i kursyer në vlerësimin e artistëve bashkëkohës që i ka njohur nga afër.

Kur dëgjonte këngët e sopranos liriko-dramatiko Tefta Tashko Koço (1910-1947) ai përsëriste shpesh refrenin karakterizues për personalitetin e saj artistik e të gjithanshëm: “Tefta nuk këndon, por fluturon”.

Ky karakterizim shpreh thelbin e përpjekjeve të saj për ta ngritur artin e të kënduarit shqip në nivelet më të epërme dhe për ta përdorur gjithë fuqinë e tij në emancipimin e shumëanshëm të shoqërisë shqiptare përgjatë viteve të trazuar 1927-1947.

Tefta përballoi sfida të shumëllojshme. Thënë në gjuhë më sociologjike, ajo fluturoi mbi vështirësitë e shumëllojshme me energjitë relative të vullnetit, të disiplinës së hekurt në tërë procesin artistik krijues.

Më konkretisht:

1. Tefta Tashko ishte talent i lindur, ose siç shprehej shtypi i kohës, kishte lindur me “zërin e saj ëngjëllor”. Në kohën kur debutoi për herë të parë në skenë Tefta Tashko 12-vjeçare, shoqëria shqiptare ndodhej nën trysninë e paragjykimeve përçmuese për muzikën “si profesion që ushtrohet nga këngëtarët jevgj dhe vallëtarët romë.

Duke sfiduar paragjykime të tilla Tefta Tashko ka qenë në brezin e parë të vajzave shqiptare, e cila nisi rrugën e mundimshme për të kultivuar talentin e saj për kanto për afro dhjetë vite 1927-1937, në konservatorët më prestigjozë të Francës dhe Italisë. Shpesh u detyrua të bënte punë të rëndomta për të siguruar kushtet minimale të jetesës.

2. Tefta Tashko braktisi perspektivën e sigurt të një karriere të shkëlqyer të sopranos në Francë dhe u kthye në atdhe, kur nuk kishte asnjë teatër opera dhe ishin fare të paktë bashkëkombaasit e saj që mund të kishin dëgjuar ndonjëherë muzikë operistike.

Përçimi i muzikës operistike përbënte vetëm një aspekt të misionit të saj të gjerë emancipues e fisnikërues të popullit, i cili në vitet 1930 ishte i varfër deri në mjerim dhe i pashkolluar deri në masën 90%.

Në mungesë të infrastrukturës për të zhvilluar muzikë operistike, Tefta Tashko nisi të japë koncerte recitale me disa nga operat më të njohura dhe duke interpretuar në versione origjinale këngë popullore dhe qytetare shqiptare.

Nëpërmjet punës këmbëngulëse ajo përpunoi deri në perfeksion pothuajse të gjithë elementët e saj të saj dhe të interpretimit. Ajo hyri natyrshëm në rezonancë me shpirtrat e shqiptarëve të të gjithë grupimeve sociale, veçanërisht me shpirtrat e drobitur të të vobektëve të shumtë.

Ndonëse vetë ishte në vështirësi ekonomike, ajo shpesh jepte koncerte falas për nxënësit e të varfërit, duke përballuar shpeshherë shpenzimet e koncerteve.

Në një letër që i dërgonte një kolegu dhe që gjendet në fondet e Arkivit Qendror të Shtetit Shqiptar, Tefta Tashko shkruante për koncertin në Fier: “Jam shumë e kënaqur nga pritja e popullit, por, për sa u përket të ardhurave, m’u desh të paguaj nga xhepi dy napolona e gjysëm”.

Shpesh të ardhurat që grumbullonte nga koncertet ajo i dhuronte për bamirësi për të varfërit dhe familjet e dëmtuara nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe të varfërit, në pamundësi për të blerë biletë, e ndiqnin koncertin nga jashtë sallës.

3. Ndonëse ishte shëndetligë, Tefta Tashko udhëtonte në të ftohtë, në rrugët me baltë dhe jepte koncerte në salla ku mungonin kushtet minimale për të kënduar. Madje jepte koncerte edhe në kushtet më të vështira të fshatrave.

Me këngët e saj Tefta jo vetëm gëzonte bashkëkombësit halleshumë, por edhe ndriçonte e zbulonte talentet për art në radhët e të rinjve dhe të rejave, i nxiste ata të hynin në rrugën e vështirë të artit që ka fuqi të madhe emancipuese dhe fisnikëruese.

4. Nderimin e veçantë për popullin shqiptar Tefta Tashko e ka shprehur edhe nëpërmjet përpjekjeve sistematike për të përpunuar këngët popullore, këngët qytetare shqiptare më të arrira të gjithë krahinave dhe qyteteve, dhe për t’i interpretuar ato me origjinalitet të papërsëritshëm.

Me këngë të tilla ajo hyri më shpejt në zemrat e shqiptarëve, të cilët përpiqeshin të gjenin format më dinjitoze për të shprehur nderimin për të.

5. Me gjithë punën dhe personalietin e saj, Tefta Tashko “funksiononte” si simbol dhe model i vajzës shqiptare të emancipuar dhe emancipuese, e aftë për t’u mirarsimuar në shkollat më cilësore të botës dhe për të ushtruar profesione të vështira e mjaft delikate, e vendosur në luftë kundër paragjykimeve të çfarëdollojshme dhe e përkushtuar për të zhvilluar vendin, e aftë për të konkuruar me dinjitet me profesionistët e të njejtit profil.

Kudo ku shkonte Tefta Tashko provokonte lot në sytë e vajzave dhe të grave, lot hidhërimi sepse ishin të mbyllura brenda ekonomive familjare dhe mjaft prej tyre e shihnin botën përmes errësirës së perçes; lot gëzimi sepse me gjithë personaltetin e saj Tefta Tashko ndriçonte si model i arrirë emancipimi, që i frymëzonte gratë dhe vajzat shqiptare të luftonin për emancipimin e tyre.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë nuk dinit për Vaçe Zelën

Të pathënat e divës së muzikës shqiptare


Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB