MENU
klinika

Albert Ajnshtajni

“Absolutisti i relativitetit”

14.03.2019 - 12:19

Sot është përvjetori i lindjes së një prej mendjeve më të bukura të shekullit, Albert Ajnshtajnit, i cili në moshën 26-vjeçare i dhuroi botës teorinë e relativitetit. Fizikan, filozof, humanist, laureat i çmimit “Nobel” në vitin 1922, Ajnshtajni shënoi epokën e tij aq sa u zgjodh njeriu i shekullit të 20-të nga gazeta amerikane “Time”. Ndër bëmat e tij të shumta, teoria e relativitetit mbetet pa dyshim aspekti më i njohur i kontributit të tij në njohuritë shkencore… Për të kuptuar se Ajnshtajni ishte një gjeni, nuk është e nevojshme të dimë se ç’është relativiteti, edhe pse fizikani e ka shpjeguar atë në një mënyrë mjaft të thjeshtë: “Kur një burrë ulet pranë një vajze të bukur për një orë, i duket sikur ka kaluar një minutë. Por uleni mbi një sobë të ndezur për një minutë dhe do t’i duket një pafundësi. Ky është relativiteti”. Teoria e relativitetit të tij impresionoi mbarë imagjinatën kolektive, aq sa emri i tij është i lidhur pazgjidhshërisht me gjeninë dhe inteligjencën absolute.

Çfarë njeriu fshihet pas gjenisë së Albert Ajnshtajnit? Me çfarë përngjan një gjeni në jetën e përditshme? Mjekët që ekzaminuan trurin e tij, pas vdekjes, e gjetën krejt të zakonshëm. Gjatë viteve të hershme, ai qe dëshpërimi i prindërve, filloi të fliste aq vonë saqë njerëzit filluan të pyesnin nëse ishte anormal. Në shkollë ishte një nxënës kaq i dobët, sa më vonë ishte e pamundur të gjendej qoftë edhe një mësues i vetëm që ta mbante mend. “Nuk e di se ç’do të bëjmë më vonë me Albertin, por vërtet nuk po mëson gjë”, – i shkruante e ëma një shoqeje.

Tipari i vetëm që zgjonte vëmendjen ishte aftësia e lindur e entuziazmit. Në moshën dhjetëvjeçare, në moshën kur djemtë shkëmbejnë grushte, fëmijë i një familjeje hebraike agnostike, edukuar në një shkollë katolike, kaloi një krizë fetare. Në moshën dymbëdhjetëvjeçare, ai zbuloi gjeometrinë e Euklidit dhe, atë, fëmijën e trashë, nxënësin apatik, e përfshiu sërish një impuls i vërtetë mistik. Më vonë, do shkruante: “Ai që nuk është entuziazmuar nga ky libër, në fëmijërinë e tij, nuk ka lindur për t’u bërë studiues teorik”.

Sapo i vetinte ndonjë ide, Ajnshtajni, edhe sikur të ishte në mes të ndonjë bisede të flaktë, i përkushtohej kryekëput asaj, përqendrohej vetëm tek ajo. “Asgjë nuk duket se ka ndryshuar në shprehjen e tij. Një buzëqeshje mund t’i përvijohet mbi buzë. Sytë vijon t’i mbajë hapur, por kaq pashprehi dhe pashkëlqim tamam si sytë e një të verbri. Mund të bëjmë zallamahi ose të zhytemi në heshtje edhe më bezdisëse, po ai as na sheh e as na dëgjon. Rri për një kohë të gjatë i hutuar ose dera hapet vetëtimthi. Kthimet e tij janë po kaq noprane, sa edhe arratisjet. Megjithatë, nuk na bezdis fakti se prania e tij mes nesh ishte vetëm një hua”, – shprehet Antonina Valentini, autore e biografisë së matematicienit. […]. Ai është njeriu që nuk hezitoi, për herë të parë në botë, t’i shkëpuste pallamarët e ankorimit me të menduarin e zakonshëm.

Disa aforizma nga kjo mendje e bukur:

Vetëm dy gjëra janë infinite: gjithësia dhe marrëzia njerëzore. Sa i përket universit kam dyshimet e mia…”.

“Logjika do t’ju çojë nga A-ja tek B-ja. Imagjinata do t’ju çojë kudo…”.

“Gjithkush është një gjeni. Por nëse e gjykoni një peshk për aftësinë që ka për t’u ngjitur në pemë, ai do ta kalojë gjithë jetën duke besuar se është budalla…”.

“Gjithsecili e di se diçka është e pamundur të arrihet, derisa të vijë një leshko që nuk e di dhe e shpik atë…”.

“Kushdo që thotë se është e pamundur, nuk duhet t’i shqetësojë ata që po e bëjnë atë…”.

“Jeta nuk ia vlen të jetohet, nëse nuk jetohet për dikë tjetër…”.

“Ekziston një forcë lëvizëse më e fortë sesa avulli, se energjia elektrike dhe energjia atomike: vullneti…”.

“Mendja është si parashuta. Funksionon vetëm nëse hapet…”.

“Njeriu ka zbuluar bombën atomike, por nuk ka mi në botë që do të ndërtonte një çarg minjsh…”.

“Gjithçka është relative. Merrni një njëqindvjeçar që thyen një pasqyrë: do lumturohej kur të mësojë se do jetojë ende edhe shtatë vjet fatkeqësi…”

 

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB