Nesër është afati i fundit për dorëzimin e deklaratës së fitimit dhe pasqyrave financiare për vitin fiskal 2018. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kujton tatimpaguesit se formulari i Deklarimit të Tatimit mbi Fitimin duhet të jetë sipas modelit të miratuar me udhëzim, i cili plotësohet me shënimet sqaruese.
Po kështu, ai dorëzon vetëm elektronikisht në administratën tatimore, bilancin kontabël së bashku me pasqyrat financiare dhe anekset e tij, konkretisht :
Bilanci (aktivet, pasivet dhe kapitali)
Pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve
Pasqyra e ndryshimeve në kapital, pasqyra e fluksit të parasë ose pasqyra e qarkullimit të likuiditeteve (cash-floë)
Aneksi për shpjegimet shpjeguese
Raporti i ekspertit të autorizuar të shoqërisë (kur ky raport kërkohet në zbatim të ligjit nr.10091, datë 5.3.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”, Neni 41 “Personat juridikë që detyrohen për auditimin ligjor të pasqyrave financiare”, apo akteve nënligjore).
Sa i takon dokumentacionit shtesë të këtrkuar në bazë të ligjit Nr.9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, neni 60, i cili do të dorëzohet elektronikisht së bashku me pasqyrat financiare përfshin:
Kontratën e qirasë për ambientet e marra me qira apo vërtetimin e pronësisë për objektin
Gjendjen e inventarit të mallrave për shitje më datë 31.12.2018 (analitik)
Inventarin e mjeteve të transportit në pronësi
Pasqyra e aktiveve afatgjata materiale
Pasqyrat financiare (pasqyrat e aktivit, pasivit dhe kapitalit), pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve, pasqyra e ndryshimeve në kapital, pasqyra e qarkullimit të likuiditeteve (cash-floë), pasqyra e aktiveve afatgjata materiale, do të dorëzohen elektronikisht në version PDF (të skanuara) dhe në version Excel.
Pasqyrat financiare të dorëzuara në version PDF (të skanuara) detyrimisht do të jenë të nënshkruara dhe vulosura nga administratori i shoqërisë.
Do të dorëzohen elektronikisht vetëm në version PDF (të skanuara) aneksi për shpjegimet shpjeguese, raporti i ekspertit të autorizuar të shoqërisë, kontratat e qerasë për ambientet e marra me qira, vërtetimi i pronësisë për objektet në pronësi, inventari i mjeteve të transportit në pronësi.
Gjendja e inventarit të mallrave për shitje më datë 31.12.2018 (analitik) do të deklarohet në versionin e mundshëm të tatimpaguesit, por me kushtin që version i deklaruar të jetë i pandryshueshëm.