MENU
klinika

‘’Kush s’ka vdekur, rron akoma’’

Kadri Roshi, i patalentuari që ‘preku’ Olimpin!

16.03.2019 - 11:45

Aktori i njëmijë e një fytyrave! Kështu është cilësuar Kadri Roshi, për sa i takon galerisë së personazheve që rijetësoi viteve, në skenën e Teatrit. Kjo figurë emblematike e teatrit dhe kinematografisë, lindi më 4 janar 1924, në Ballsh të Mallakastrës. Ai do të mbetej jetim vetëm në moshën dyvjeçare nga e ëma dhe në moshën dymbëdhjetëvjeçare nga i ati.

Qysh në moshë të vogël do të tërhiqte vëmendjen e mësuesit të fillores, duke e mahnitur atë, ndërsa recitonte poezi të Naimit apo Migjenit.

E çuditshmja është se në vitin 1945, do të dëgjonte për një grup teatral të krijuar, duke marrë pjesë aty. Por ja që do të ishte pikërisht ky konkurs që do e skualifikonte, duke e quajtur të patalentuar dhe me pengesë në të folur. Kjo do të ishte në fakt dhe disfata e tij e parë.

Ai do ta thyente këtë paragjykim. Si? Me një guralec në gojë, do të ushtrohej çdo ditë. Kudo që do të ndodhej do të përsëriste zhdërvjellore. Madje edhe deri duke ngrënë. Në një dorë lugën dhe tjetrën gurin! Derisa kurrkush nuk do të imagjinonte që më pas ai do të shpërfaqej si Ezopi i të gjitha kohërave. E megjithatë, për të arritur deri aty, sërish do t’i duhej të luftonte. Kështu konkurroi sërish! Por këtë herë nuk do të qe i vetmi që do të skualifikohej, sepse bashkë me të, në listën e të patalentuarve, do të ishte dhe emri i Naim Frashërit.

Por talentin e tyre nuk e ndali asnjë, pasi nga frëngjishtja nga ku do të përkthenin një pjesë së bashku me ndihmën e miqve të tjerë e do të ngjisnin ‘’Martesën e Gogolit’’, nga ku më pas roli i Podgolisenit do ta vendoste në piedestalin e teatrit popullor.

Tashmë nuk ishin më dhe aq të largëta ato netë të magjishme kur hëna do të zbriste në tokë dhe dielli i tij do të digjte në skenë.

Mihal Luarasi citon në një portret për Kadri Roshin: ‘’Ka aktorë, të mëdhenj dhe të vegjël, të cilët duken sikur gjithmonë japin veten e tyre në çdo rol. Ata, në vështrimin e sipërfaqshëm, të bëhet sikur përsërisin personazhet e mishëruara më parë; ka të tjerë që nuk mbeten në transformimin e botës së brendshme sepse karakteri i tyre aktorial i nënshtrohet tërësisht rolit, e, ky ishte Kadri Roshi ose Hamleti, apo Klaudi.

Ndërsa gjeniu i letrave shqipe, Dritëro Agolli, do të shprehej: ‘’Kadri Roshi është patriarku i fjalës së kënduar shqipe. Fjala në gojën e tij merr tingullin e zileve të këmborëve të Malit të Nemërçkës, Malit të Gjerë, të këngës së bukur polifonike dhe gurgullimës së lumenjve’’.

Ndërsa ai vetë, në çdo intervistë shprehej vetëm se duhej shumë punë dhe fare pak talent për të prekur Olimpin.

Koha do t’i jepte të drejtë! Kujtesa jonë kolektive tashmë e ka vërtetuar këtë gjë!

Së fundmi, ai gjithçka do e përballonte me shprehjen që kishte rrëmbyer nga Arturo Ui, në 1974, të cilën e ktheu dhe në moto të jetës: ‘Kokën lart, djema! Kush s’ka vdekur, rron akoma’’.

Dhe kështu mbylli sytë, në shkurtin e 2007-s, duke lënë pas një thesar rolesh.

 

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB