MENU
klinika

Nga Pëllumb Xhufi

“Këta politikanë të dështuar e gazetarë të frustruar nuk duan thjesht ikjen e Ramës”

01.03.2019 - 10:07

Nga Pëllumb Xhufi

Francesco Guccini është një këngëtar e poet i dashur italian, që u bë i njohur në kohën e lëvizjeve studentore të viteve 1968. Sot është edhe një qytetar i angazhuar. Në 2 shkurt të këtij viti, gjatë një takimi me studentët e Universitetit të Pisës, i pyetur se si e vlerësonte ai situatën politike në Itali, Guccini dha përgjigjen e mëposhtme: “Jam shumë i trembur, më ngjan se jemi kthyer në vitet e Weimarit.

Më 1933 Republika e konsumuar e Weimarit solli në pushtet, me vota, Hitlerin. Në vitin 2018 kjo republika jonë, në Itali, solli me vota Matteo Salvinin. Ky është njeriu që mburret se ka pas vetes 60 milionë italianë, mu si Musolini, që në prag të Luftës II Botërore mburrej se kishte nën urdhër 60 milionë bajoneta”! Në mënyrë domethënëse, këtë takim me studentët artisti i shquar e mbylli duke i nxitur ata t’i kthehen botës reale e të lexojnë shumë. Nxënia nëpërmjet leximit, sipas tij, është antidoti më i mirë për të ndalur një rrëshqitje të dytë në ciklin fatal të nazi-fashizmit të viteve ’30 të shek. XX.

Tani, në dritën e këtij episodi, që pati shumë komente në Itali e jashtë saj, nuk mund të mos konstatojmë se sot po përsëriten, mutatis mutandis, ato situata që gati një shekull më parë favorizuan ardhjen në pushtet të regjimeve fashiste ose parafashiste në Itali, Japoni, Spanjë, Gjermani, Austri, Norvegji, Hungari, Rumani, Greqi.

Në vitet ’20-’30 të shek. XX, “Depresioni i Madh” futi në një krizë të thellë demokracitë klasike dhe ngjalli pasiguri e pakënaqësi masive, të cilën e shfrytëzuan demagogë të llojit Musolini e Hitler të dalë nga bota e errët e subkulturës. Me një retorikë revanshiste e hipernacionaliste, fashistët italianë apo gjermanë montuan para syve të popujve të tyre imazhin e një bote të padrejtë, që kërcënohej nga “komunistët e Moskës” dhe nga “plutarkitë e degjeneruara të Perëndimit”.

Kështu përcaktoheshin nga propaganda nazi-fashiste SHBA dhe Britania e Madhe, të cilat, sipas saj, ishin vënë në shërbim të “judaizmit botëror”. Me një gjuhë të vrazhdë e agresive, me nënvizime ultranacionaliste të shoqëruara nga sulme skuadriste, Musolini e Hitleri ndërtuan perandorinë e frikës, me anë të së cilës mbytën zërat opozitarë dhe erdhën në pushtet.

Komunistët, social-demokratët, demokratët liberalë e më tej, hebrejtë, romët, afrikanët ishin viktimat e para të homogjenizimit fashist të shoqërisë. Vazhdimi i historisë dihet: pasi konsoliduan regjimet e tyre të terrorit brenda vendit, ata i hynë aventurës së çmendur për vendosjen e një rendi të ri botëror.

***

Krahasimet gjithnjë çalojnë, por nuk mund të mos konstatohet se bota ka hyrë në një cikël të ngjashëm në këtë fillim të shek. XXI. Ekonomia botërore është përfshirë nga një krizë e rëndë e bashkë me të ka hyrë në krizë edhe vetë sistemi i vlerave mbi të cilin mbështeten prej shekujsh, tashmë, demokracitë perëndimore.

Një botë e mbështetur mbi parimet e globalizimit dhe të angazhimit kolektiv në mbrojtjen e lirive dhe të paqes, duket se ka pësuar një shkundje të fortë nga politika e re e administratës Trump, e mishëruar në moton “Amerika e para” (America first). Deri tani, kjo politikë e re është materializuar në riformulimin e marrëdhënieve ekonomike e në rishikimin e tarifave doganore, si dhe në tërheqjen e paralajmëruar të SHBA nga skenarë të nxehtë, si Siria, Afganistani.

Nëse një politikë e tillë do të thellohet më tej, rrezikohet të shkaktohen zhvendosje të mëdha tektonike që mund të destabilizojnë marrëdhëniet ndërkombëtare. Qysh tani, ndryshimet në politikën e jashtme amerikane kanë favorizuar lindjen në Evropë të një lëvizjeje të ashtuquajtur “sovraniste”, që predikon rikthimin tek modeli i shtetit nacional, duke e shpallur një eksperiment të dështuar “Bashkimin Evropian”. Gjithkush e kupton se çdo të thotë një shpërbërje e mundshme e Bashkimit Evropian. Nuk përbën tashmë një mister fakti që sovranistët evropianë po e zbatojnë projektin e tyre duke iu referuar gjithnjë e më shpesh ndryshimeve në politikën amerikane.

Dhe nuk është një rastësi, që ish-kryestrategu i presidentit Trump, Steve Bannon, është instaluar tashmë në Evropë, ku ka filluar të ngrejë të ashtuquajturat “qendra të formimit e të promovimit sovranist”. Objekt i luftës së lëvizjes sovraniste është Bashkimi Evropian, parimet dhe vlerat e promovuara prej tij. Jo më kot, gjatë një konference të fundit mbajtur në Paris, Bannon iu drejtua me këto fjalë sovranistëve francezë: “Mos u kompleksoni nëqoftëse ju quajnë sovranistë, populistë, fashistë, racistë, ksenofobë, omofobë, misogjinë. Përkundrazi, tregoni se ndjeheni krenarë që jeni të tillë”.

Në Francë, lëvizja sovraniste (por mund ta quajmë pa frikë lëvizja neofashiste) ka prodhuar tashmë edhe “Hitlerin” e saj. Ky është Christophe Chalençon, një produkt tipik i subkulturës franceze: tornitor, i paarsimuar e i pagdhendur, por me ambicie të mëdha pushteti. Është vetëshpallur si armiku më i egër i demokracisë franceze, kundër së cilës po mundohet të ngrejë kultin e dhunës.

Ka bashkuar rreth vetes krahun më radikal të lëvizjes heterogjene të “jelekverdhëve”, dhe është bërë protagonist i sulmeve skuadriste kundër policisë e institucioneve qendrore. Në 23 dhjetor 2018 Chalençon paralajmëronte se në janar do fillonte luftën civile. Nuk mungoi t’i bëjë thirrje ushtrisë të rebelohej dhe të bashkohej me skuadronet e tij të dhunës për të përmbysur rendin kushtetues. Chalençon nuk mungoi gjithashtu të bëjë të ditur edhe emrin e kryetarit të ri të qeverisë, që do të ishte një ushtarak i zgjedhur prej tij, gjenerali de Villiers. Për sa i përket presidentit të ardhshëm, heshti, por siç vetëkuptohet atë post ia ka taksur vetes. Dhe si për të plotësuar ciklin hitlerian të ferrit, në muajin shkurt skuadristët e Chalençon-it sulmuan e përdhosën varrezat hebraike në Alsas si dhe rrezikuan të linçojnë mu në mes të Parisit filozofin e njohur me origjinë hebraike, Alain Finkielkraut.

Por, ndërsa në Francë lëvizja “sovraniste” është dëshpërimisht ende në rrugë, në Itali, prej marsit të shkuar, ajo ndodhet në pushtet, ku përfaqësohet nga liderët e lëvizjes “Cinque Stelle” dhe “Lega Nord”, Luigi di Maio e Matteo Salvini. Ky i fundit, që është edhe më radikali, është gjithashtu produkt i subkulturës së Italisë së Veriut, që ngrihet mbi urrejtjen ndaj emigrantëve dhe, madje, ndaj italianëve të jugut (terroni).

Deri para pak muajsh, gjuha e vrazhdë dhe e pakultivuar e Salvinit e kishte bërë atë objekt të përditshëm të satirës politike, por nga koha kur u kurorëzua Zv. Kryeministër e Ministër i Brendshëm, edhe më trimi i satirës politike italiane, Maurizio Crozza, po duket se ka frikë të tallet me të. Salvini është sot “njeriu i fortë” i Italisë. Kur e pyesin për barkat me emigrantë që mbërrijnë nga brigjet e Afrikës, Salvini përgjigjet: “të gjithë në det”! Kur e pyesin se ç’do bëhet me kampet romë, Salvini përgjigjet “ruspat”! Kur e pyesin për kriminalitetin në Itali, ia pret shkurt “shqiptarët”! Dhe kur e pyesin për Evropën e Bashkuar, përgjigjet “kaput”!

Pak ditë më parë, Salvini ishte i pari që reagoi ndaj vendimit të jurisë së Festivalit të San Remos, e cila shpalli si fitues këngëtarin e ri italian Mahmud, me babë egjiptian e me nënë italiane. “Një Mahmud fitues i festivalit të këngës italiane?”, pyeste provokues në instagram Salvini, i ndjekur nga një ushtri e tërë like-sh. Me siguri, po të kishte qenë në sallë, do ishte ngritur e do ishte larguar në mënyrë demonstrative, siç bëri Führeri në vitin 1936, në Olimpiadën e Mynihut, kur braktisi duke turfulluar stadiumin, ku pak çaste më parë zezaku Jesse Owens kishte triumfuar mbi atletët e tij “arianë”.

Por problemi nuk është thjesht Salvini, janë edhe italianët. Nëse para disa vjetësh, partia e Salvinit “Lega Nord” merrte 4% të votave, dhe ato të përqendruara vetëm në Italinë e Veriut, në zgjedhjet e vitit 2017 ajo mori 17% të votave, kësaj radhe të shpërndara në të gjithë Italinë, kurse sot sondazhet e nxjerrin me 34% të preferencave, duke shtyrë në vend të dytë partnerin në qeverisje, lëvizjen “Cinque Stelle”. Duket absurd një diagramë në rritje për një parti që qeveris Italinë, e cila, përtej retorikës së ndezur raciste e nacionaliste, nuk po i ofron qytetarëve të atij vendi veç rritje të vazhdueshme të papunësisë dhe rënie drastike të prodhimit: për vitin 2019 rritja e prodhimit të brendshëm bruto parashikohet të jetë 0!

***

Në këtë kontekst të përgjithshëm evropian po mundohen të gjejnë shtratin e tyre edhe pulsimet antisistem, antidemokratike e puçiste edhe në Shqipërinë tonë. Referencë e tyre politike është padyshim e ashtuquajtura Parti Demokratike, një parti që ka një bilanc katastrofik me vendin dhe me popullin e vet. Lindi që në fillim me nervin e shkatërrimit, të cilin nerv ia ngrehin kur të duan, nga Beogradi, nga Athina apo, siç thotë ish zëvendës shefi i FBI, Marc Rossini, nga Moska e largët.

Sot PD ka dalë “përfundimisht” në rrugë dhe i ka shpallur luftë të gjithëve: Edi Ramës, qeverisë, policisë, SHBA-së e BE-së. Në fakt, aksionet e dhunshme të tipit skuadrist u paralajmëruan qysh në pranverën e vitit zgjedhor 2017, kur Kryetari i PD filloi të shfaqet mes një grupi të rinjsh me uniforma paraushtarake që imitonin ato të grupimeve neonaziste në Evropë e në Amerikë. Mund të jemi të sigurt, se “grupet e zjarrit” që sulmuan Kryeministrinë e Parlamentin këto ditë i përkisnin kësaj kategorie “të revoltuarish”, kësaj radhe të veshur civilë.

Pjesërisht, ndoshta, i përkisnin edhe të rinjve pushues të Jalit, që po në verën e vitit 2017 betoheshin e nderonin ushtarakisht, edhe pse veshur vetëm me rroba banje. Atë kohë këto sjellje e këto shfaqje na u dukën një butafori. Mirëpo sot punët kanë ndryshuar, sepse edhe vetë Evropa e lirisë dhe e demokracisë po ofron modele të gatshme partish e liderësh neofashistë, të cilët mund të imitohen në kohë reale edhe këtu në Shqipëri. Siç u tha më sipër, njeri prej tyre, Salvini, sot qeveris në Italinë fqinje, por nuk duket të jetë fort i preferuar për opozitën revolucionare shqiptare.

Ndoshta sepse erdhi në pushtet me mjete paqësore. Apo ndoshta sepse nuk ka ditur t’i fshehë ndjenjat e tij antishqiptare dhe si i tillë mund të prishë punë. Ndaj, opozita e sotme në Shqipëri ka zgjedhur të imitojë “tornitorin revolucionar” nga Franca, Christophe Chalençon, mbështetës i vendosur i aksioneve guerrilje dhe i luftës civile. Lideri i opozitës, z. Basha, ka kopjuar në gjithçka deklaratat e veprimet e neofashistit francez, siç bëri edhe gjatë sulmit të fundit kundër Parlamentit, kur i bëri thirrje policisë të dezertonte e të bashkohej me opozitën “për të arrestuar deputetët hajdutë të shumicës”!

Nuk ka dyshim, që veç “Mjeshtrit të Madh të Rrëmujës”, zotit Berisha, z. Basha dëgjon shumë edhe këshillat e njerëzve të medias, veçanërisht të dy gazetarëve të avanguardës, njeri ekspert për çështjet italiane, dhe tjetri ekspert për çështjet franceze. Mund t’i shihni çdo natë duke bërë xhiron e studiove televizive. Tashmë prej 30 vjetësh, pa u ndalur.

Mund të dallohen lehtë, pa qenë nevoja t’u përmendim emrin. Njeri pozon sikur të ishte Sokrat i vuajtur. Tjetri kuvendon sikur të jetë duke tjerrur lesh. Vuajnë që të dy të njëjtën sëmundje endemike për politikanët e për gazetarët shqiptarë: nuk dinë të bëjnë dallimin midis privates dhe publikes.

Dikur ishin miq të afërt të z. Rama, kur ky ishte gazetar si ata. Sot që z. Rama është Kryeministër, janë gati t’i kruajnë me dhëmbë edhe skalpin, siç bën kont Ugolini me skalpin e arqipeshkvit Ruggieri në “Ferrin” e Dantes. Janë prishur për vdekje me Ramën, sigurisht jo për hir të Shqipërisë, as për hir të demokracisë. Do jenë prishur për ndonjë haset të vogël, le të themi për ndonjë kafe të papaguar… Pasi bënë thirrje për javë të tëra për dhunë, tani bëjnë të pakënaqurin me demonstruesit, të cilët u treguan shumë “të butë” në dy sulmet e para dhe ulërasin për më shumë dhunë.

Shihet qartë, se problemi i kësaj turme heterogjene politikanësh të dështuar, gazetarësh të frustruar e individësh të lindur me instinktin e shkatërrimit nuk është thjesht “ikja” e Ramës. Ramën mund “ta ikin” votuesit shqiptarë në vitin 2021. Ramën mund ta largojnë nga pushteti edhe përpara kësaj date. Por këtë nuk mund ta bëjnë, dhe nuk do ta bëjnë dot, zjarrvënësit e përhershëm të Shqipërisë. Këtë, nëse e gjykojnë të nevojshme, u takon ta bëjnë PS dhe socialistët shqiptarë, të cilët kanë boll arsye për të qenë të pakënaqur me liderin e tyre. Ata e dinë mirë se krizat e sistemit, që shpërthejnë me virulencë në çdo prag zgjedhjesh, e kanë burimin tek ortakëria e paprinciptë e vitit 2008 e z. Rama me z. Berisha për të përçudnuar Kushtetutën e ligjin zgjedhor.

Por, në fund të fundit, për opozitën e sotme revolucionare, nuk është Rama problemi. Madje ky, me cinizmin, me ekstravagancat, poturet e zeza apo atletet e bardha duket se u jep një dorë për të mashtruar naivët e për të justifikuar me to “shpërthimet e zemëratës popullore” të stisura e të organizuara prej tyre.

Problemi i vërtetë për opozitën është se populli shqiptar i njeh mirë zjarrvënësit e Shqipërisë, e nuk do t’i votojë ndonjëherë, nuk do të votojë as partinë e tyre të referencës, PD, nëse kjo nuk ndërron tabiat, surrat e lëkurë. Dhe, nëse do insistojnë të mbeten të tillë siç janë sot e 30 vjet, u mbetet vetëm një shans: të presin që një ditë Evropa të ndërrojë fytyrë e në krye të saj të vijnë …tornitori Chalençon e skuadristët e tij.

Por, a mund të ndodhë kjo?

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!