MENU
klinika

“Hajde, more Osman Taka”

Pse vrau trimi nga Çamëria?

01.03.2019 - 11:42

Nuk ka dasmë shqipatare, ku të mos kërcehet e këndohet vallja e vjetër çame… Por, a e dini se pse nuk hezitoi ky burrë fisnik nga Çamëria, për të qëlluar mbi turqit? Nderi dhe krenaria ishin më të çmuara se gjithçka tjetër, për shqiptarët e asaj kohe. Vetëm një fjalë mjaftonte për të zgjuar trimërinë, burrërinë , fisknikërinë apo bujarinë e shqiptarëve. Një ndër burrat që kanë bërë historinë e këtij vendi, falë karakterit të fortë e shpirtit artistik, Osman Taka “pagëzoi” me gjestin e tij, vallen e vjetër të trashëguar të Çamërisë.


Osman Taka nga familja e madhe e Takajve të Konispolit ishte një djalë perifan, me trup elegant, me pamje të bukur dhe burrërore, përfaqesues tipik i familjes aristokratike të Takajve. Një nga familjet më patriote të krahinës së Çamërisë. Ngjarjet zhvillohen në Konispol, në kohën e pushtimit nga Perandoria Osmane! Në Konispol si qendër administrative, atëherë nga ana ushtarake kontrollohej, nga “karakolli i Qafë-Botës” në kufij me Sajaden ose posta kufitare turke, një trupë e përbërë me 14 ushtarë dhe 2 oficerë, të cilët ruanin rendin në të dyja anët nga Filati deri në Konispol. Kjo trupë komandohej nga komanda ushtarake turke në Janinë. Trupa e karakollit turk, një oficer dhe 5 ushtarë, falte të “xhumanë” njëherë në xhaminë e Konispolit, radhën tjetër në xhaminë e Filatit. Këtu nis rruga edhe historia e bukur e Osman Takës. Ditën e ‘xhuma’ dy gra nga Takajt, të veshura mirë dhe të mbuluara dhe në fytyrën, nisen nga Shehati për në Çucat nga rruga e re, për të pajgorisur në Mullenj, gruaja dhe motra e Osman Takës, duke ecur në udhën e re, të dy gratë, u takuan në rrugë me trupën turke. I pari komandanti turk, u zuri rrugën grave dhe u çoi shaminë dhe u pa fytyrën, duke thënë sa të bukura, “ifrret jalem marshallah”.

Gratë u larguan të turpëruara, sakaq mbaruan sebepin në Mullenj dhe u kthyen në shtëpi, si të zëna në faj, se ashtu ishte zakoni, quhej turp të shikohej fytyra e femrës nga burra të huaj. Motra, menjëherë i thotë Osmanit, se trupa ushtarake turke, që fal të xhumanë, na zbuluan fytyrën. Kaq duhej dhe Osmani mblodhi burrat tek Oda e Madhe e Takajve dhe u mor vendimi, që komandanti me gjithë ushtarët do të ruhen kur kanë radhën për t’u falur në xhaminë e Konispolit dhe do të vriten. U tha dhe u bë! U ruajt radha, trupa u fal në Filat, i erdhi radha për në Konispol. Osman Taka me 4 djem trima konispolatë, u zunë pusinë në udhë të re trupës që vinte nga Karakolli turk, për faljen e radhës të xhumanë në Konispol. Komandanti me pesë ushtarët të rënë në pritën e trimave konispolatë vriten dhe mbetet një nga ushtaret gjallë, të cilin Osmani e çarmatosi dhe i tha: Po të lë gjallë, t’i tregosh komandantit tënd në Janinë se kush jam unë dhe se nuk ka ushtarë e oficerë të prekë femrën konispolate, çoji selam nga Osman Taka i Konispolit. Ushtari që i shpëtoi vrasjes u kthye në karakoll dhe tregoi ngjarjen e pësuar.

Menjëherë u lajmërua Janina, për vrasjen në pritë të trupës ushtarake nga Osman Taka, i cili u shpall menjëherë në kërkim bashkë me trimat e tij. Valiu i Janinës vuri në dispozicion të kapjes së vrasësve 5 mijë napolona floriri, që erdhi me ferman nga Porta e Lartë. Trupat turke të ardhura nga Janina e bastisën Konispolin, për të zënë të gjallë Osman Takën me shokët e tij. Por më kot, Osmani me trimat e tij, kaluan bogazin e Koskës dhe u fshehën në gravat e Koskës, një fshat i Çamërisë i mbetur në kufirin grek, pas ndarjes së vitit 1913. Aty u strehuan rreth tre muaj, derisa ranë në syrin e spiunëve të perandorisë dhe i zuri dimri me borë dhe ngrica. Për të mos rënë në duart e turqve, ikin natën dhe strehohen në Shalës, ku priten shumë mirë nga fshatarët e Shalësit, të cilët bënin roje me radhë, për të mos u zbuluar nga ushtaret turq, të cilët kërkonin çdo ditë Osmanin dhe trimat e tij. Duke qenë se trupat turke hynë në Shalës, Osmani me trimat u larguan dhe zbritën te konopicat matanë urës së Bogazit. Natën vonë gjetën një stan përpara, me të cilin njihej Osmani, ky ishte Nasho Gërxhua një çoban i njohur, në të gjithë zonën.

Nashua e kishte stanin me të tre djemtë e tij. Ai e ftoi Osmanin në kalive, BUJUR në kalive, është nder për mua të më vijë Osman Taka në konak dhe menjëherë theri qingjat dhe i vuri në hell. Askush nuk dyshonte te Nashua, se mund të strehonte Osman Takën, kur fermani i Portës së Lartë thoshte qartë se kush e strehon dhe i jep bukë, do të dënohet njësoj si Osmani, kush e dorëzon do të paguhet me 5 mijë napolona flori. Këtë Nashua e dinte dhe mendja djallëzore e tij i shkon tek parate dhe për këtë, u bëri darkë të mirë me mish helli dhe raki, me të cilën i dehu dhe i vuri në gjumë. Pasi u bind se trimat ishin të lodhur për gjumë dhe të dehur, ia hipi mushkës dhe shkoi menjëherë te karakolli turk i Qafë-Botës. Ushtarët e pritën. – Lepe, Nasho effendi – i thanë, ç’e mirë të solli. Atëherë u tha – unë kam Osman Takën e trimat e tij në stanin tim. Je i sigurt? – i tha komandanti i Karakollit. Po, – i tha Nashua – edhe i kam dehur. Menjëherë lajmëruan Janinën dhe u nisën taborët me ushtarë. Nashua, i thotë komandantit turk: Dua paret, 5 mijë napolonat flori, që i keni taksur për kokën e Osmanit. Komandanti i tha: Nasho do t’i marrësh, por pasi të zëmë të gjallë Osman Takën dhe pasi i lidhën duar e këmbë e mbajtën sa erdhën trupat ushtarake nga Janina. Trupat ushtarake me Nashon të lidhur, ecën me shpejtësi dhe e rrethuan stanin, u folën djemve të Nashos: Dorëzo vrasësit të gjallë, në të kundërt do digjeni të gjithe brenda në kalive. Osmani me trimat filluan menjëherë të qëllonin kundër turqve, luftë e madhe!


Vazhdimi i historisë së valles së Osman Takës, valles së burrave të Konispolit!
Gjatë luftimeve ndërmjet taborëve turq dhe Osman Takës e trimave të tij, u vranë dy djem të Nasho Gërxhos, një nga shokët e Osman Takës, në fund, pasi u mbaruan fishekët, Osman Takën dhe tre trimat e tjerë i kapën të gjallë dhe i çuan në burgun e Janinës, ku pas një muaji Gjykata e Janinës i dënon me vdekje me varje në litar, Osman Takën dhe të tre trimat e tij. Porta e Lartë vendosi që pas një muaji, të ekzekutohet dënimi në Filat, meqenëse të dënuarit ishin nga krahina e Çamërisë. U lajmërua e gjithë krahina të merrnin pjesë në ditën e ekzekutimit të fermanit të dalë nga Porta e Lartë. Në këso rastesh, Valiu i Janinës, Hasan beu, së bashku me gruan e tij Xhemile Hanemi, të vendosur në dy kolltuqet e parë, për të ndjekur ekzekutimin që do të bëhej nga Kadiu turk Mexhit bej, po shikonin me vëmendje të madhe, miletin që kishte mbushur sheshin kryesor të Filatit. Valiu kërkonte pjesëmarrje sa më të madhe të arnautëve të Çamërisë, të cilët nga kjo varje do të nxirrnin mësim dhe nuk do t’i nxirrnin probleme perandorisë turke. Kadiu Mexhit bej, po ecte krenar dhe në podiumin e ngritur për ekzekutimin e fermanit, për varjen e djemve nga Konispoli, iu afrua trimave. – I dënuar me vdekje me varje në litar, Osman Taka me të dënuarit e tjerë nga Konispoli, cila është kërkesa juaj e fundit në këtë botë?

Fjalën e mori Osmani i cili, pasi shau perandorinë, për padrejtësitë që po bën, pasi the se qe i bindur për hakmarrjen që e kishte bërë, për të ruajtur nderin e familjes dhe të krahinës, iu drejtua Kadiut: I nderuar Mexhit bej, kërkesa ime e fundit në këtë botë, është paksa e çuditshme. Unë dua një sufra dhe sazet e Filatit e Konispolit për të kërcyer një valle që ne e quajmë “Vallja e burrave të Konispolit”, dua orkestrën e Braho Salametit (të parë). Për pak minuta erdhi sufraj dhe Braho Salameti me shokët e tij.

Brahua i tha: Osman Aga, çish avaz do t’i bije? Osmani i thotë: Dua vallen e burrave të Konispolit. Menjëherë, Brahua ia shkuli, një melodi e rrallë, çish të shikoje Osmanin një valltar elegant, me pamje të rrallë, burrë që kërcente aq bukur, sa që Hasan bej me gruan e tij Xhemile Hanemin u çuan në këmbë duke thënë: Nuk kam parë burrë si ky, i hijshëm, trim, elegant, nuk kam lënë vend të perandorisë pa shkelur dhe nuk kam parë të tillë div, të tillë artist, ky është lindur për të jetuar, për të argëtuar veten dhe ne. Xhemile Hanemi iu drejtua Mexhit beut: Gjynah të varet ky njeri dhe këta burra. Do t’i them fermanit në Portën e Lartë dhe u ngjit në podiumin e varjes dhe kërkoi vallen të luhej përsëri, ku Osmani e kërceu me krenari dhe me virtuozitet, “Vallen e burrave të Konispolit”.

Pikërisht për shkakun e kësaj historie, ngase kjo valle i shpëtoi jetën Osmanit dhe trimave të tij, ajo mori emrin “Vallja e Osman Takës”. Kjo është historia origjinale e kësaj valleje shumë të dashur nga të gjitha krahinat, madje edhe ato jashtë kufijve shqiptarë!

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB