MENU
klinika

Nga Kaltrina Ibishi

Sot nuk dua të festoj, por të protestoj!

09.03.2019 - 00:30

8 marsi quhet kudo në botë dita e gruas, edhe gratë ndër ne e shpallin si ditë feste të tyren duke pushtuar lokalet publike, sheshet, rrugët.

Burrat në shumicë, bëhen pjesë e kësaj hipokrizie feste të rrejshme, edhe ja urojnë shoqeve të jetës a të shortit, me fjalë të bukura.

Mirëpo e vërteta është se 8 marsi nuk është festë e njohur as zyrtarisht, dhe gruaja duhet respektuar e nderuar gjithë vitin, gjithë jetën. A është kështu ndër ne? Jo, edhe për këtë arsye, gratë nuk kanë arsye madje me e festuar edhe një ditë të vetme, por për të protestuar gjithë vitin.

Politika, vendimmarrja është e dominuar nga burrat. Nëse Kosova vuan si krejt Ballkani nga mungesa e qarkullimit të elitave, atëherë udhëheqësit janë burra dhe të njëjtët prej 20 vjetësh. Në këtë konsolidim të pushtetit të tyre, burrat sigurisht ndihmohen nga gra, që janë ministre, zëvendësministre, apo ambasadore, por roli i tyre është dytësor. Situata është pak më ndryshe në shoqërinë civile ku gjenden gra që udhëheqin, por kjo nuk është shpresë e madhe se situata do ndryshojë. Treni udhëhiqet nga lokomotiva dhe jo nga vagonat.

kaltrina-ibishi-konica.al
kaltrina-ibishi-konica.al

Ju do të thoni se ka gra në politikë edhe në media, pra situata nuk është krejt pa shpresë. Mbase, mirëpo gratë janë armike të grave – është një thënie e vjetër. Në vende si tonat janë madje gratë që luftojnë gratë më shumë sesa burrat. Në përpjekje për të ruajtur dukjen e një vendimarrje ku respektohet barazia gjinore, burrat promovojnë të njëjtat gra. Këto gra nuk lejojnë që kuotat gjinore t’i mbushin disa gra të tjera. Për pasojë, edhe gratë nuk qarkullojnë brenda elitave. Janë të njëjtat fytyra.

Prej nga është krijuar ky problem ? Nga politika ? Besoj se problemi është më i hershëm. Odat … i takojnë burrave edhe gratë vetëm shërbejnë. Feja ? Nuk ka ndihmuar, madje i ka përkeqësuar gjërat. Shikoni çfarë ndodhi me rastin e të miturës së dhunuar në Drenas. Faji ju vu asaj, madje edhe nga Hoxha.

E keqja e madhe është se këto rregulla të pashkruara që e diskriminojnë gruan, janë më të forta se ato të shkruara. Rregullat e ligjit. Gjykatat tona në rast divorcesh, ndarje pasurish, privilegjojnë më të fortin, burrin. Kjo nuk është thjesht prapanike. Kjo është kriminale. Nuk diskriminohet vetëm gruaja, por edhe fëmija apo fëmijët, krijesa të pafajshme martesash fatkeqe.

Jemi shtet i ri, me zakone të vjetra. Kemi hedhur themele të mira për shumëçka, por familja dominohet nga burri. Nuk jam fare për barazinë gjinore, sepse nuk e ndjej solidaritetin e grave për njëra tjetrën, por jam për drejtësinë e shanseve, që të fitojë kush është më i zoti. Jemi shumë larg kësaj arritjeje, andaj sot nuk dua të festoj, por të protestoj.

Sekretare e përgjithshme e Shoqatës së Profesorëve të Frëngjishtes në Kosovë