Qeveria shqiptare ka autorizuar Avokaturën e Shtetit për kryerjen e procedurave të kontraktimit të një zyre avokatie të huaj për shërbimin e konsulencës për marrëveshjen e koncesionit të lidhur me shoqërinë “Tirana International Partners” sh.p.k., për aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Rinas, Tiranë, si dhe përcaktimin e procedurës përkatëse të përzgjedhjes sipas kushteve e afateve këtij vendimi.
Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare ku mësohet se është vendosur kontraktimi i zyrës së avokatisë së huaj do të realizohet nëpërmjet procedurës konkurruese dhe transparente përzgjedhëse.
Vendimi parashikon se me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit miraton urdhrin për ngritjen e komisionit të kryerjes së procedurës përzgjedhëse të zyrës së avokatisë së huaj për shërbimin e konsulencës për marrëveshjen e koncesionit të lidhur me shoqërinë “Tirana International Partners” sh.p.k., për aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Rinas, Tiranë.
Për këtë qëllim, kryetari i Komisionit do të vendosë për hartimin e dërgimin e ftesës për ofertë disa zyrave të avokatisë të huaja, të renditura të parat në një ose disa nga guidat e renditjes avokatore, si: “Chambers & Partners”, “Legal 500”, “Who’s Who Legal”, si dhe do të bëjë njoftimin për ftesë për ofertë në faqen zyrtare të internetit të Avokaturës së Shtetit. Si ftesa për ofertë, ashtu edhe njoftimi në faqen zyrtare, do të jenë në gjuhën shqipe dhe në atë angleze.
Pas përfundimit të procedurës së ankesave, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit negocion dhe nënshkruan kontratën me zyrën e avokatisë të huaj të përzgjedhur sipas procedurës së mësipërme në emër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për kryerjen e shërbimeve.
Pas nënshkrimit të kontratës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave angazhohen në mbështetjen dhe vënien në dispozicion të kontraktorit të të gjithë akseseve të nevojshme në terrene dhe në dokumentacion mbi bazë të kontratës.
Pas nënshkrimit të kontratës dhe hyrjes në fuqi të saj, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit merr masa për të pajisur zyrën e avokatisë të huaj të përzgjedhur me autorizimet përkatëse për kryerjen e shërbimeve.
Avokati i Përgjithshëm i Shtetit cakton, me urdhër, një avokat shteti për ndjekjen e zbatimit të kontratës deri në përfundim të saj, i cili do të ketë kryesisht funksione mbikëqyrjeje, koordinimi dhe komunikimi me të kontraktuarin.
Kostot financiare (kryerja e pagesës së çmimit të kontratës për të kontraktuarin – zyrën e avokatisë të huaj) do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, bazuar në kushtet specifike që do të përcaktohen në kontratë.
Ky vendim vjen në një kohë kur ka tensione mes qeverisë shqiptare dhe koncesionarit të aeroportit të Rinasit, sidomos pas ngjarjes së disa javëve më parë kur u grabitën paratë që po përgatiteshin të transportoheshin jashtë vendit.