MENU
klinika

Shkarkimet nga puna

Në 5 vite, 102 milionë dollarë kosto buxhetit të shtetit

11.04.2019 - 14:45

Në raportin vjetor të 2018, i publikuar nga Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil vihet re se në Shqipëri përveçse largimeve të padrejta nga puna, ka mangësi edhe në zbatimin e vendimeve të Gjykatës për rikthimin e tyre në punë.

Sipas këtij raporti, në Gjykatën Administrative janë ankimuar rreth 609 akte administrative.

Përmes këtyre akteve janë larguar ose liruar nënpunës civilë. Nga këto raste të depozituara janë zgjidhur me vendim të formës së prerë vetëm 389 raste.

Shumica e të shkarkuarve fitojnë gjyqin, pasi rrëzohen vetëm 80 padi.

E njëjta gjë ndodh edhe në institucionet e vetëqeverisjes vendore, kur 323 akte administrative janë ankimuar dhe me vendim të formës së prerë janë zgjidhur vetëm 214 raste, ku 62 ankimime janë rrëzuar.

Kohëzgjatja mesatare e një gjyqi për rikthim në punë shkon deri në 3 vjet për punonjësit e shkarkuar në mënyrë të padrejtë.

Në pesë vitet e fundit të dhënat flasin se vetëm për shkarkimet e padrejta nga puna nga Ministria e Financave janë paguar mbi 102 milionë dollarë.

Kulmi i shpenzimeve është shënuar në 2014, vit i cili pasoi zgjedhjet parlamentare të 2013, kur nga Buxheti i Shtetit u paguan për vendimet gjyqësore rreth 32 milionë dollarë.