Tregu i punës në vitin 2018 ka shënuar përmirësime të rëndësishme, të reflektuara në rritjen e punësimit, uljen e papunësisë dhe rritjen e nivelit të pagave.
Analiza e ish-ministrit Ahmetaj:
Pas Bankës Botërore, që konfirmoi disa ditë më parë dinamikën pozitive të zhvillimeve në tregun e punës dhe pagave në Shqipëri, edhe raporti i sotëm i INSTAT, ka të dhëna të rëndësishme që vlejnë të nënvizohen:
1- Në vitin 2018 në Shqipëri janë 1.23 milionë të punësuar, ndërsa shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës ka arritur nivelin 68.3%. Sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 42.9 % dhe 37.4 % të të punësuarve gjithsej;
2- Papunësia ka vijuar trendin rënës në nivelin 12.3 %, ose 1.4 pikë përqindje më pak krahasuar me vitin 2017;
3- Ulja e papunësisë tek të rinjtë e moshës 15-24 vjec, ka vazhduar edhe gjatë vitit të shkuar. Në vitin 2018 shkalla e papunësisë së të rinjve ka rënë me 3.6 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë;
4- Rritja e pagave është një tjetër e dhënë domethënëse për qytetarët dhe të punësuarit në Shqipëri. Së pari, përqindja e të punësuarve me pagë minimale është ulur në 26.6% në 2018 nga 29.6% që ishte një vit më parë. Së dyti, paga mesatare mujore bruto është rritur. Administrata publike, arsimi, shëndetësia, janë ndër sektorët kycë ku paga mesatare mujore bruto është mbi nivelin mesatar;
5- Banka Botërore në raportin më të fundit për Shqipërinë, nënvizon se rritja ekonomike ka nxitur krijimin e vendeve të punës në të gjithë sektorët dhe norma e papunësisë është ulur, ndërsa paga mesatare reale u rrit me 1.6 përqind në fund të vitit 2018.
Sfida mbetet ende aty, tek cdo qytetar dhe familje shqiptare që ende është në kërkim të një pune dhe nuk e ka siguruar atë.
Vazhdimi i reformave dhe konsolidimit fiskal, është parakusht thelbësor për përshpejtimin e rritjes ekonomike, që nxit krijimin e vendeve të reja të punës në ekonomi.