Niveli i lartë i ekonomisë informale është ngritur si shqetësim kryesor nga ekspertët e ekonomisë në vendin tonë.
Gjatë një forumi shkencor të organizuar nga Akademia e Shkencave, ekspertët, të cilët sollën analiza më në detaje të situatës ekonomike në vend ndër vite e deri në ditët e sotme, nënvizuan se ka ardhur koha të përcaktohen prioritet e zhvillimit ekonomik dhe politikat të jenë të studiuara me seriozitet.
Sipas një studimi të bërë nga Organizata Europiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, evidentohet se ne sektorin privat aktiviteti informal është 1.4 herë më i lartë se ai formal, ose 40-45% më shumë, gjë e cila u diskutua nga të pranishmit në forum duke marrë shkas për të propozuar zgjidhjet përkatëse për problematikat e ndryshme që po has ekonomia në vend.
Ndërkohë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u ka bërë thirrje bizneseve që btë denoncojnë çdo rast të përfshirjes së punonjësve tanë në sjellje korruptive apo jo etike dhe në shkelje të ligjeve tatimore, duke premtuar ruajtjen e anonimatit të denoncuesit.
Ajo pohon se integriteti i figurës së punonjësit të Administratës Tatimore është një sfidë e fortë dhe e vazhdueshme. Reagimet, komentet, denoncimet e opinionit publik janë instrumentat shtesë me të cilat ne përpiqemi të vetëpërmirësohemi e të vetëkorigjohemi. Përmirësimi i imazhit dhe impakti i punës sonë në jetën e bizneseve, nëpërmjet respektimit të ligjit dhe trajtimit të barabartë është mision që përkufizon strategjinë tonë të punës.
Në vazhdën e kësaj përpjekje, për parandalimin dhe goditjen e rasteve korruptive brenda aparatit të administratës tatimore funksionon Drejtoria e Investigimit të Brendshëm (Antikorrupsion), e cila ndjek dhe adreson denoncimet e ndryshme të qytetarëve apo raporteve të auditit.
Përgjatë vitit 2018 (janar – dhjetor), DIBA ka verifikuar dhe investiguar 63 raste të denoncuara, nga të cilat: 28 Çështje janë regjistruar dhe investiguar; 3 Çështje janë referuar në Prokurori, ku janë përfshirë 7 inspektorë, referuar nenit 248 të Kodit Penal për “Shpërdorim Detyre”; 49 punonjës janë konstatuar me shkelje ligjore dhe janë referuar në Komisionin e Disiplinës: 35 raste të ardhura nga burime të ndryshme informacioni, janë verfikuar dhe investiguar, por nuk janë regjistruar si çështje, pasi nuk përmbajnë dhe nuk plotësojnë elementët e nevojshëm për procedim të mëtejshëm.