Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) penalizoi me masa administrative të paktën 20 subjekte në muajin prill, ku pjesa më e madhe e tyre, të paktën 14 prej tyre, janë lidhur me ngjarje ku humbën jetën tre persona.
Në shtatë raste, subjektet janë penalizuar pas vlerësimit në terren të situatës dhe në përputhje me aktin ekspertimit teknik të aksidentit me pasojë vdekjen e një shtetasi të ndodhur në dt.24.02.2019, në Njësinë Administrative Fierzë.
Referenca ligjore ku është bazuar masa ka të bëjë me shkeljen e ligjit “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve dhe Instalimeve Elektrike”, si dhe për shkeljen e pikave të ndryshme në Rregulloren e Sigurimit Teknik Elektrik.
Në rastin e dytë, gjoba është vendosur pasi është bërë vlerësimi në bazë të akt-ekspertimit teknik të rrethanave të vdekjes së një tjetër shtetasi, në datë .29.03.2019, në Njësinë Administrative Kelmend të Malësisë së Madhe, Qarku i Shkodrës.
Rasti i tretë, i ndodhur në 29 janar 2019 në Lagjen Gërhot, rruga nacionale Gjirokastër-Tepelenë ka përfunduar me gjoba në muajin prill për gjashtë subjekte, ku edhe në këtë rast si referencë ligjore ka shërbyer shkelja e ligjit “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve dhe Instalimeve Elektrike” dhe shkelja e pikave të veçanta në rregulloren për shfrytëzimin teknik elektrik.
Në listën e gjobave bien në sy edhe emri i Bankers Petroleum, e cila operon në fushën e Patos-Marinzës në nxjerrjen dhe prodhimin e naftës. Për Bankers, shkak për gjobën është bërë mospajisja me deklaratat e konformitetit CE të lëshuara nga subjektet monitorues. Bankers Petroleum u gjobit edhe në muajin mars nën argumentin se nuk kishte kryer kontrollin periodik teknik të tetë pajisjeve nën presion.
Në total për shkurt-prill, ISHTI ka vendosur të paktën 40 masa administrative ndaj subjekteve të ndryshëm të kapur me shkelje, kurse totali i këtyre masave në vlerë llogaritet 9.3 milionë lekë.
TABELA E SANKSIONEVE TË ISHTI-T PËR INSPEKTIMET E PERIUDHËS PRILL 2019