MENU
klinika

Tolstoi novelist

‘Jeta pushon së qeni qëllim dhe shndërrohet në mjet’

25.05.2019 - 14:03

“Sa ndryshon kuptimi i jetës, kur nis të jetosh jo për vete, por për të tjerët. ”. 

 Të formuluarit e kuptimit të jetës, në rast se njeriu kërkon të merret seriozisht me këtë çështje, mund të bëhet kurdoherë me ca fjalë të thjeshta si këto më sipër. Ky tipar thjeshtësie dhe përbashkësie i tyre dëshmon se të tilla fjalë shprehin diçka thelbësore për natyrën e njeriut, që ato pasqyrojnë thelbin e historisë së njerëzimit. Megjithatë, fjalë të tilla shprehur nga dora e Tolstoit nuk mund të mos ngjallnin habi dhe admirim. Habi, sepse shprehen nga një përfaqësues shoqëror i aristokracisë dhe admirim, sepse i ka shkruar dora e një njëzetvjeçari.

Të gjashtëdhjetë vjetët e jetës letrare të Tolstoit janë një dëshmi vërtet e rrallë e shkrirjes në një të vetme të misionit të artit me kuptimin e jetës.  Lumturinë e vet Tolstoi e pa tek bashkimi i fatit të tij me fatin e masave dhjetëramilionëshe të fshatarëve bujkrobër, të përpiqej për çlirimin e tyre pikërisht në kushtet e një regjimi absolutit. Pra nëse jeta mori për të kuptimin e një mjeti, ndërsa lumturia atë të përdorimit të tij, arti u bë mënyra e përdorimit. Ja përse arti i Tolstoit vazhdon të na mahnitë edhe sot me monumentalitetin e tij ashtu si na fisnikëron me universin e mendimeve: Ai buron nga jeta dhe i shërben asaj. Ai është formë veprimtari, pra në thelb lumturidhënës.

Korpusi i novelave të Tolstoit, krahas romaneve të tij magjepsës, mund të konsiderohet si monumenti i tij i katërt. Novelat vërtet ndryshojnë midis tyre nga subjekti, por të lënë përshtypjen e kapitujve të një romani, e hallkave të një vargoi. Çdo problem që ngrihet në to është rregullisht i lidhur me të tjerët dhe trajtohet në mënyrë të tillë, që merr përmasa kombëtare.

Kuptoi se arritja e ekuilibrit midis mendjes dhe trupit ishte pjesë thelbësore e procesit të tij krijues. Ai jo vetëm e linte vazhdimisht penën për të marrë plugun mes përmes fushës, por mbante një kosë dhe priste me sharrë, duke u mbështetur pas murit ngjitur me tavolinën e shkrimit. Në vitet e tij të fundit, kur gazetarë e shkrimtarë vinin të respektonin plakun e zgjuar me mjekër, ata gjithmonë befasoheshin kur gjenin një nga autorët më të famshëm botërorë të mbledhur kruspull mbi veglat e punës, duke bërë një palë çizme.

Novelat si “Vdekja e Ivan Iliçit”. “Lumturia e familjes”, “Kazakët”, “Haxhi Murati” etj.

Tek “Kazakët” (1863), Olenini, një i ri aristokrat i velur nga jeta boshe e njerëzve të sërës së tij në qytetin e madh, largohet për në fshat. Ai shkon në një fshat tipik, në stanicën e kazakëve, që jetojnë në kufijtë e perandorisë, sikundër edhe në skajet e jetës ekonomike e politike të vendit. Atje e habit, e trondit, madje e magjeps veçanërisht mënyra me të cilën e kuptojnë dhe e jetojnë jetën kazakët dhe që ndryshon aq shumë nga mënyra e tij prej njeriu me pozitë e të civilizuar. Kazakët jetojnë thjesht, pa sajuar probleme, sepse kanë me sa ta mbushin kohën, kanë hallet e jetës. Mirëpo këto halle në vend që t’i shtrydhin nën peshën e tyre kthehen në stimul energjish, në shtytje energjish, në shtytje për veprim. Në këtë stanicë, që ka mjaft pika takimi me komunat primitive, Olenini arrin te kuptimi i lumturisë. “Lumturia qëndron në atë që të jetosh për të tjerët”, – mendon ai.

Të gjithë personazhet e kryesore të Tolstoit, shtyhen nga një nevojë e brendshme, shprehje e domosdoshmërisë reale, drejt popullit. Tolstoi piketoi disa prej çështjeve që do të bëheshin tema themelore të veprimtarisë së tij letrare e më gjerë. Heronjtë letrarë e kuptojnë rëndësinë e ndjenjës në veprimtarinë e tyre jetësore, nevojën e të përjetuarit të gjërave. Lirizmi i përshkrimit të proceseve psikologjike te heronjtë e veprës na fisnikëron shpirtin në po atë masë që na pasuron edhe mendjen. Mbarojmë së lexuari një novelë dhe na duket sikur kemi lexuar një roman, ashtu siç ndodh me një sonatë të përkryer, që na lartëson drejt majave ku mund të arrijë vetëm simfonia.

Kur u vra presidenti Linkoln, Leon  shkruante nga Rusia me fisnikërinë e gjeniut: “Ai mbeti në histori si Bethoveni në muzikë, si Dante në poezi, si Rafaeli në pikturë, si Krishti në filozofinë e jetës. Heroizmi në themel, që të mos harrohet, do katër meditime të piketuara në vepra: humanizëm, çiltërsi, drejtësi, mëshirë! Uashingtoni-një amerikan tipik! Napoloni- francez tipik! Linkolni – njerëzor sa vetë bota”.

Realizmi i Tolstoit duhet parë si një realizëm përjetimesh, realizëm përjetimesh dhe  përsiatjesh për probleme të mëdha që buron nga fakti se njeriu nuk është një automat. Sa më të fuqishme përsiatjet rreth karakterit të realitetit rrethues, pra sa më të vetëdijshëm personazhet, aq më e fuqishme vepra dhe ndikimi i saj në gjendjen emocionale të lexuesit.

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB