MENU
klinika

Ndërtimi i Milot-Balldren zgjat 4.5 vjet

Kontrata e PPP është 213 mln euro

30.05.2019 - 17:24

Punimet për ndërtimin e aksit Milot-Balldren, do të zgjatin 4.5 vite.

Gjithçka përcaktohet në kontratën e partneritetit publik-privat për këtë segment, që tashmë është miratuar në qeveri dhe pret miratimin nga parlamenti. Kontrata me vlerë 213 milion euro, ka një kohëzgjatje 13-vjeçare u përveç 4.5 vjet ndërtim, përfshihen edhe 8 vjet mirëmbajtje.

Në kontratën e propozuar nga qeveria për miratim, përshkruhet ndërtimi i një rruge prej 17.263 km, e cila shtrihet përgjatë aksit të rrugës ekzistuese që lidh Milotin me qytetin e Lezhës dhe devijohet si rrugë plotësisht e re, nga nyja e qytetit të Lezhës deri në Balldren, ku më pas lidhet me rrugën ekzistuese në drejtim të Shkodrës.

Projekti përfshin edhe ndërtimin e një tuneli me dy tuba në malin e Rencit.

Gjithashtu, pjesë e veprës janë edhe 2 ura: ajo e Matit dhe e Drinit me gjatësi 620 dhe 223 metra secila. Gjithashtu, në kontratë propozohet ndërtimi në total i 9,500 m rrugë dytësore dhe rrugë lidhëse të nyjeve për të mundësuar dhe lehtësuar qarkullimin e banorëve të kësaj zone.

Ndërtimi i këtij aksi të ri rrugor, nga nyja e rrethrrotullimit të Lezhës deri në hyrjen e tunelit në Balldren, kalon përmes kënetës së Kune-Vainit, ndërkohë që ajo klasifikohet e kategorisë autostradë A, me 2 korsi kalimi dhe 1 korsi emergjence.

Financimi nga furnitorët do të jetë në vlerën 19,500,000 euro, ndërkohë shoqëria do të investojë nga kapitali i saj shumën prej 52,000,000 euro.

Sipas propozimit të rishikuar financiar, norma e interesit e llogaritur për gjitha burimet e financimit të përcaktuara më sipër është 5%.