MENU
klinika

Bilanci i ALSE

Në periudhën Shkurt-Dhjetor, vlera e tregtimit 2.57 miliardë lekë

29.05.2019 - 20:19

Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE, ka publikuar raportin vjetor për 2018-ën, në vitin e parë të funksionimit të saj.

Gjatë kësaj periudhe, për shkak të fazës embrionale të zhvillimit të tregut në vend, Bursa Shqiptare zhvilloi tregti 2 ditë në javë, të martën dhe të enjten, ndërsa tregtimi i titujve qeveritarë nisi më 22 shkurt të vitit 2018.

Janë caktuar vetëm 2 ditë zyrtare tregtimi në javë, pasi niveli aktual i zhvillimit të tregut është në fazat fillestare dhe volumet e tregtimit janë modeste.

Gjatë periudhës shkurt-dhjetor 2018, vlera e tregtimit në Bursën Shqiptare të Titujve arriti në nivelin e 2.57 miliardë lekëve, ose rreth 20.8 milionë euro, me një volum prej më shumë se 106,700 njësi titujsh të tregtuar dhe një numër total prej 127 transaksionesh.

Gjatë kësaj periudhe kanë mbizotëruar transaksionet mes bankave, transaksionet në Oraret Zyrtare, transaksionet në Obligacione Thesari dhe transaksionet në monedhën lek.

Pjesa më e madhe e numrit të transaksioneve të zhvilluara gjatë vitit të parë të veprimtarisë janë transaksione në tregun me pakicë, që kryhen ndërmjet bankës dhe klientëve apo mes klientëve midis tyre.

Ndërkohë, si numër transaksionesh janë kryer më shumë transaksionet që realizojnë bankat me klientët, apo klientët me njëri-tjetrin që përbëjnë 63% të totalit.