MENU
klinika

Akset ku do të investohet

Rrugët, Banka Botërore jep 20 milionë dollarë!

20.05.2019 - 19:42

Banka Botërore bëri me dije sot se nga projekti për mirëmbatjen e rrugëve në bazë performance janë dhënë deri tani mbi 20 milionë dollarë, ndërkohë që projekti në total mbështetet nga ky institucion me 80 milionë dollarë.

Banka Botërore bën me dije se në rishikimin e fundit të projektit saj nuk ka dhënë shumë detaje por paralajmëroi se një rishikim i plotë me rezultate do të jepet në mes të qershorit të këtij viti. Në vlerësimin e saj BB e cilëson projektin me një progres të kënaqshëm në mënyrë të moderuar ndërkohë që nga rishikimi afatmesëm i ecurisë së projektit që u mbajt në muajin prill do të dalin rezultate të rifreskuara për treguesit e hollësishëm që përfshin çdo komponent.

“Punimet e mirëmbajtjes dhe ato regabilituese janë zbatuar gjatë periudhës së ndërtimit në fillim të 2019-ës dhe rezultatet në termat e sigurisë dhe konektivitetit në rrjetin rrugor po konfirmojnë progresin e projektit” thuhet në dokumentin e Bankës.

Projekti për mirëmbajtjen e rrugëve në bazë të performancës nisi në vitin 2015 me miratimin e një kredie nga Banka Botërore. Projekti supozohej që të parashikonte mirëmbajtjen e 1334 kilometrave rrugë në gjithë vendin për një periudhë 5 vjeçare në bazë të katër kontratave por ai hasi në vonesa të shumta një pjesë e lidhur me faktin se kompanitë e përzgjedhura për zbatimin e tyre patën kontestime për mënyrën sesi ishte bërë reflektimi i situatës së rrugëve e cila në disa raste kishte mospërputhje me situatën reale.

Projekti nisi zbatmin në vitin 2018 dhe sipas datës që mban në dokumentet e BB parashikohet të zgjasë deri në fund të vititi 2021. Aktualisht kontratat janë konsultuar në zona të ndryshme që prekin kryesisht për ndërhyrje të rëndësishme në rrjetin rrugor që përfshin secila.

Katër kontratat

Kontratat e mirëmbajtjes në bazë të performancës përfshijnë 1334 kilometra rrugë në gjithë vendin.

E para, është kontrata A që përfshin Rajonin Verior Shkodër-Kukës, me një gjatësi në kilometra 336 dhe me një vlerë 21.2 milionë euro që është marrë nën menaxhim nga (JV) BIOLIAP A.T.E.V.E. & GECI LTD.

E dyta, është zona B që përfshin Rajonin Veri /Qendër/Lindje – Tiranë – Dibër me gjatësi 286 kilometra dhe me një vlerë 19.6 milionë euro e fituar edhe kjo nga (JV) BIOLIAP A.T.E.V.E. & GECI LTD.

E treta, zona C, përfshin rajonin Qendër/Jugor Lindje Fier-Elbasan – Korçë me gjatësi 419 kilometra me një vlerë 11.6 milionë euro dhe e lidhur me kompaninë Raëafed Al-torok Contracting Establishment.

E katërta zona D, rajoni jugor-Vlorë-Gjirokastër, me një gjatësi 350 kilometra, vlerë 13.7 milionë euro dhe operator fitues Elicatechnical Commerce Societa & Salillari shpk.