Testimet e para të Shell Upstream Albania B.V. (Shell) në pusin vlerësues Shpirag-4 në afërsi të Beratit, konfirmojnë potencialin e prurjeve të një zbulimi të rëndësishëm nafte të lehtë.
“Zbulimi i Shpiragut për Shell është i pari në tokë në një brez tektonik të rrudhosur dhe të mbihypur në Shqipëri (struktura gjeologjike ku gjendet rezervuari i hidrokarbureve)”, tha Marc Gerrits, Zëvendës Presidenti Ekzekutiv i Shell për Eksplorimin.
“Ne jemi të gjithë të kënaqur që këto testime të para kanë konfirmuar potencialin e këtij zbulimi dhe presim të rrisim biznesin tonë në Shqipëri”.
Testimi disa ditor i pusit u krye sipas pritshmërive, me një prurje potenciale të disa mijëra fucive nafte në ditë.
Volumi komercial i rikuperueshëm i naftës nga Shpiragu duhet përcaktuar më tej përmes aktivitetesh të tjera vlerësuese.
Hapi tjetër në vlerësim, sipas kompanisë është kryerja e një testimit vlerësues të gjatë në pusin Shpirag-4, pasuar nga shpimi vlerësues në pusin Shpirag-3.
Paralelisht Shell planifikon të kryejë shpime pusesh të tjerë vlerësues brenda blloqeve që ka të drejta për të testuar potencialin e tyre.
Zbulimi i Shpiragut u konfirmua në vitin 2013 nga pusi Shpirag-2, i cili tregoi prezencën e një kolone nafte të lehtë në të paktën 800m në rezervuar.