MENU
klinika

Çfarë thotë ISSH për të ardhurat?

Skema e pensioneve, rritet numri i kontribuesve

19.05.2019 - 15:33

Në 5 vitet e fundit evidentohet një rritje e ndjeshme e të ardhurave nga kontributet, e cila kryesisht është pasojë e rritjes së numrit të kontribuesve.

Në vitin 2018, kundrejt vitit 2013 të ardhurat e drejtpërdrejta nga kontributet dhe të ardhurat e tjera janë rritur me 27,951 milionë lekë, ose 54.4%. Në total, në vitin 2018 numri i kontribuesve arriti në 778,144 persona.

Kundrejt vitit 2013, i cili është përcaktuar si vit bazë i reformës së pensioneve të vitit 2014, numri i kontribuesve është rritur me 216,975 persona, ose 38.7 % më shumë, ndërkohë që numri fizik i tyre është edhe më i lartë. Të dhënat janë bërë të ditura nga kreu i ISSH-së Astrit Hado.

Astrit Hado-konica.al

Sipas tij problematike mbetet pjesëmarrja e fermerëve në skemën e kontributeve shëndetësore, ku nga 255 milionë lekë janë realizuar vetëm 63 milionë lekë, ose rreth 25% e planit. Kjo mbetet një çështje mjaft thelbësore për t’u zgjidhur. Hado ka bërë publike të dhënat për vitin 2018 dhe rezulton se janë trajtuar me pagesa përfitimi rreth 635,700 pensionistë të të gjithë llojeve e kategorive, si dhe 16,000 përfitues me përfitime për sëmundje, barrëlindje dhe aksidente në punë.

Gjithashtu, ISSH vazhdon të administrojë skemën e pensioneve të posaçme, skemën e pensioneve suplementare të punonjësve që kryejnë funksione kushtetuese dhe punonjësve të tjerë të shtetit, skemën e sigurimeve suplementare të ushtarakëve, pilotëve, ushtarakëve të nëndetëseve, policisë së shtetit, skemën e trajtimeve financiare të veçanta për minatorët dhe punonjësit e industrisë ushtarake, skemën e trajtimeve të veçanta për familjet e dëshmorëve me 36,180 përfitime, si dhe pagesat për rimbursimin e shpenzimeve të funeraleve.

Sipas kreut të ISSH-së mësohet se janë respektuar çdo muaj limitet e programuara të fondeve për shpenzimet e administrimit, si dhe për transfertat në buxhetet familjare e shpenzimet e tjera.

Në përfundim, shpenzimet për sistemin e sigurimeve shoqërore u mbyllën në masën 98.4 % ose nga 127,360 milionë lekë të programuara, u realizuan me 125,364 milionë lekë, me një kursim prej 1,995.6milionë lekë, nga të cilat rreth 400 milionë lekë kryesisht janë pasojë e efekteve të reformës së pensioneve. Kreu i ISSH-së ka renditur edhe objetivat për këtë viti.

Ndër prioritetet e vitit 2019 janë:

· Rritja e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe orientimi i punës së ISSH- së pro- klient;

· Ulja e kërkesë – ankesave të qytetarëve ndaj ISSH-së, duke thjeshtëzuar procedurat, eliminimi i barrierave administrative, respektimi i afateve të shërbimit, unifikimi i praktikave dhe zgjidhja administrative e çështjeve që ankimohen;

· Pagesat online për të gjitha përfitimet dhe intensifikimi i punës për kalimin e pagesave të pensioneve në Banka;

· Realizimi i të ardhurave kontributive në përgjegjësi të ISSH-së dhe numrit të kontribuesve, duke rritur pjesëmarrjen në skemë të fermerëve;

· Intensifikimi i punës për dixhitalizimin e periudhave të sigurimit dhe kalimi në historikun kontributiv si llogari individuale;

· Zbatimi me korrektësi i transfertave në buxhetet familjare nga sigurimet shoqërore dhe i politikave të Qeverisë në fushën e pensioneve;

· Pjesëmarrja aktive për arritjen e marrëveshjeve bilaterale në fushën e mbrojtjes shoqërore;

· Ulja me 10% e numrit të pensioneve që caktohen jashtë afateve ligjore, duke vënë theksin sidomos në drejtim të ngushtimit të afateve të caktimit të pensioneve të invaliditetit, si dhe ulja me 5% e ditëve mesatare të caktimit të pensionit;

· Mbledhja me 2.4% më shumë të të ardhurave nga kontributet, në krahasim me realizimin e tyre gjatë vitit 2018;

Lehtësimi i procedurave të transferimit të qendrës së pagesës për marrjen e pensioneve, deklarimit të konfirmimit të pagesave në bankë, si dhe shërbimeve të tjera lidhur me qytetarët.