Minatorët naftëtarët dhe metalurgët do të përfitojnë ulje të moshës së daljes në pension dhe rritje të përfitimeve.
Drafti është diskutuar në Komisionin e Ekonomisë. Kreu i Komisonit të Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj ka bërë të ditur përfitimet shtesë të profesioneve të vecanta, minatorët, naftetarët dhe metalurgët.
Ky projektligj synon të mbulojë me përfitim përpara mbushjes së moshës për pension dhe përfitime shtesë mbi ato që akordohen në ligjin aktual për këto tre kategori.
Së pari, mosha e daljes në pension, parashikohet:
– Për minatorët: 55 vjeç, ose 10 vite para moshës ligjore të daljes në pension; – Për naftëtarët dhe metalurgët: 60 vjeç, ose 5 vite para moshës ligjore të daljes në pension.
Së dyti, parashikohet një shtesë mbi pension për minatorët 1% të pensionit të pleqërisë për cdo vit pune në nëntokë dhe për naftëtarët e metalurgët 0,6% e pensionit për cdo vit pune në këto profesione.
Bazuar në vjetërsinë e punës, minatorët përfitojnë një shtesë mbi pension minimalisht 12.5% dhe naftetarët e metalurgët 12%.
Në terma absolutë për pensionistët aktualë, kjo shtesë llogaritet në 2900 lekë në muaj, kurse për ata të rinj, edhe 1400 më tepër, si rezultat i uljes së moshës së daljes në pension.
Së fundi, koeficienti i kthimit të kontributeve është 340% për minatorët, 157% për naftetarët dhe metalurgët.
Pra për cdo lek kontribut, minatorët perfitojnë 3.4 lekë dhe naftëtarët e metalurgët 1.57 lekë.